Mali i Zi: Partitë pro-serbe zemërohen për mbështetjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Më 3 maj seancë dëgjimore me kryeministrin Abazoviq
Seanca dëgjimore e Abazoviqit, i cili gjithashtu mban detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, u mbështet nga deputetët e Frontit Demokratik pro-rus (DF), ata të Partisë Popullore Socialiste pro-serbe (SNP) dhe Demokratëve, me sugjerimin e kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq.
Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës e mbështeti dërgimin e kërkesës për votim tek Asambleja e saj Parlamentare më 24 prill, për të cilën votoi edhe përfaqësuesi i Malit të Zi. Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për.
Mali i Zi ka marrë vendimin për të mbështetur pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pas procedurave të nevojshme, është konfirmuar jozyrtarisht për Radion Evropa e Lirë nga Qeveria më 26 prill.
Për këtë kanë reaguar ashpër një pjesë e partive pro-serbe në pushtet, duke pretenduar se janë shkelur procedurat, për shkak se për një gjë të tillë nuk është diskutuar në Qeveri.
Një burim nga Qeveria, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka sqaruar për REL-in se Ministria e Punëve të Jashtme i jep udhëzime ambasadorit që të votojë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, në bazë të marrëveshjes politike në të cilën mbështetet Qeveria. “Dhe, marrëveshja është që të mos ndryshohet politika e jashtme. Marrëveshja është të mos bllokohet Kosova”, ka thënë burimi.
Nga zyra e kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili është edhe ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Jashtme, nuk kanë bërë asnjë njoftim zyrtar me këtë rast. Gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, Abazoviq theksoi se Mali i Zi do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili u zëvendësua në gusht të vitit 2020 pas tre dekadash në pushtet.
Kush e kundërshtoi vendimin?
Edhe pse shumica parlamentare e Frontit Demokratik pro-rus (DF), Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA u angazhuan pas fitores më 2020 që të mos e ndryshojnë kursin e politikës së jashtme të vendit, që përfshin njohjen e Kosovës, një nga liderët e FD-së, Millan Knezheviq, ka reaguar ashpër ndaj mbështetjes për Kosovën.
“Vendimi i Qeverisë së Dritan Abazoviqit për të mbështetur Kosovën është një nga më të turpshmit në historinë malazeze dhe e ndërlikon edhe më shumë situatën socio-politike në Mal të Zi dhe në rajon. Nëse nuk do të kishin guximin të ishin kundër saj, do të mund të abstenonin nga votimi”, tha Knezheviq.
Ai shtoi se tani është rasti i duhur për të filluar një fushatë nëpër kisha dhe manastire për mbledhjen e nënshkrimeve për tërheqjen e vendimit për njohjen e Kosovës.
Knezheviq i bëri thirrje presidentit të ardhshëm të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, që të distancohet nga, siç tha ai, akti terrorist i vendit që do të udhëheqë.
“Sepse deklarata e Jakov Millatoviqit se do të dëshironte të vizitonte Beogradin pas Brukselit tingëllon groteske, sepse Mali i Zi zyrtar, e që është e pakicës, vendosi destinacionin e ardhshëm të Millatoviqit, që është Prishtina”, tha Knezheviq.
Millatoviq, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale të 2 prillit, nuk është deklaruar me këtë rast.
Ndër të tjera, përkrahësit e DF të Knezheviqit votuan për të në zgjedhje.
Edhe nënkryetari i Qeverisë së Abazoviqit nga Partia Popullore Socialiste pro-serbe (SNP), Vlladimir Jokoviq tha se partia e tij në Qeveri do të votojë kundër këtij vendimi, por se lidhur me këtë nuk është diskutuar.
Sipas kryetarit të Komisionit, Miodrag Lekiq, vendimi është marrë në fshehtësi dhe paraqet një kontribut të ri për mendjelehtësinë dhe papërgjegjshmërinë e shtetit. Burimi i REL-it thotë se Mali i Zi është anëtar i rreth 50 nismave rajonale që kanë nga 50 pikë[të rendit] çdo ditë. “Nëse çdo pikë do të vendosej në seancat e Qeverisë, do të merrej vetëm me këtë”, thotë burimi. Ambasadorja e Malit të Zi në Këshillin e Evropës, Bozhidarka Kruniq, ka mbështetur hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Burimi i REL-it përkujton se Marrëveshja e Ohrit parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Pavarësisht se liderët (Kurti e Vuçiq) nuk e nënshkruan këtë marrëveshje, pala evropiane e konsideron marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.
Reagimet nga Serbia
Mbështetja e Malit të Zi është vlerësuar negativisht edhe nga lidershipi serb, i cili kundërshton pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Beogradi “nuk është entuziast” për vendimin e Malit të Zi për të mbështetur hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe se kjo do të ndikojë në marrëdhëniet e tyre. “Mund të abstenonit, ishte njëlloj sikur të kishit votuar për pranimin e Kosovës, të paktën të kishit treguar vëmendje ndaj Serbisë”, tha Vuçiq.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se Beogradi zyrtar do të duhet të veprojë në mënyrë reciproke. “Mali i Zi të paktën mund të kishte abstenuar, për të treguar të paktën pak respekt për problemet tona. Mali i Zi votoi për pranimin e Kosovës. Ata do të kenë nevojë për votën tonë dikur, ata sigurisht nuk do të mund të llogarisin në të”, tha Daçiq për Radio-Televizion Serb.
Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura. Marrëdhëniet politike janë të mira, po ashtu edhe bashkëpunimi ekonomik. Më 9 tetor 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për shpalljen e pavarësisë, Qeveria e Malit të Zi miratoi njëzëri vendimin për njohjen e Kosovës.
Ky vendim shkaktoi protesta dhe përleshje në rrugë nga opozita e atëhershme, e cila përbëhej nga parti pro-serbe të udhëhequra nga DF-ja pro-ruse, e cila tani përbën shumicën qeverisëse në Mal të Zi. Për shkak të vendimit për njohje, Beogradi e shpalli “persona non grata” ambasadoren e atëhershme të Malit të Zi në Serbi, Anka Vojvodiq. Kosova ka paraqitur kërkesën për pranim në Këshillin e Evropës një vit më parë. Sipas procedurës pas Komisionit, pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të vendoset në një nga seancat e ardhshme plenare të Asamblesë së Këshillit të Evropës. Komiteti i Ministrave është organi vendimmarrës i Këshillit të Evropës dhe përbëhet nga ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare ose përfaqësuesit e tyre diplomatikë në Strasburg.