Manjani kundër propozimit të Gjermenit për ligjin e territorit
Qeveria është duke përgatitur ndryshimet e reja ligjore në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”. Ajo që bie në sy në këtë projektligj është fakti se propozohet që këshillave bashkiakë t’u hiqet e drejta për të rikthyer për shqyrtim te kryetari i bashkisë, Planet e Detajuara Vendore. Në ndryshimet e propozuara në draftin që ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni u ka nisur drejtuesve të dikastereve të tjera për mendim, ka marrë një përgjigje negative nga Ministria e Drejtësisë.
Kolegu i saj, Ylli Manjani, në shkresën e kthimit të përgjigjes që disponon “Gazeta Shqiptare”, këto ndryshime i cilëson: “Një non sens juridik, logjik dhe demokratik, duke cënuar jo vetëm autonominë vendore, por edhe parimet kushtetuese”. Kjo shënon edhe përplasjen e dytë mes këtyre dy ministrave të koalicionit qeverisës PS-LSI, pasi përplasja e parë ishte për projektvendimin “Për përcaktimin e rregullave të legalizimit të objekteve me shkelje të lejes së ndërtimit dhe të objekteve shumëkatëshe pa leje”.
KËSHILLAT & PLANET VENDORE
Me ndryshimet e reja ligjore që po kërkohet t’i bëhen ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, këshillat bashkiakë duhet të kalojnë çdo Plan të Detajuar Vendor (PDV) që kryetari i bashkisë do të propozojë, pasi parashikohet që t’u hiqet e drejta që ata të rikthejnë një PDV edhe pse ai mund të jetë me shkelje ligjore. Kundër ndryshimit të këtij ligji dhe heqjes së kompetencave të këshillave vendorë është shprehur ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, në shkresën nr. 8035/1, dt.28.12.2016, që i ka nisur ministres Gjermeni, ku shprehet se nuk argumentohet nevoja e ndryshimeve në ligjin ekzistues.
“Çdo projekt për ndryshime duhet të paraprihet nga vlerësimi dhe vërtetimi i arsyeve pse nevojiten këto ndryshime. Nevoja, efektiviteti dhe qartësia e draftit duhet të përcaktohen që në fillim”, shkruhet në pikën 1 të shkresës së Manjanit. Më tej, në gjashtë pikat në vijim ai argumenton se përse nuk duhet t’u hiqet këshillave bashkiakë e drejta për të shqyrtuar dhe ndryshuar Planet e Detajuara Vendore.
“2. Projektligji (përmes ndryshimeve të propozuara nga neni 3) synon ndryshim të kompetencave të këshillave bashkiakë. Veçanërisht, propozohet heqja e së drejtës për të rikthyer për shqyrtim te kryetari i bashkisë Planet e Detajuara Vendore, në rast se konstaton mosrespektim të kërkesave ligjore. Për këtë ndryshim nuk jepet asnjë sqarim në relacionin shoqërues.
2.1 Këshilli bashkiak është një filtër i nevojshëm kontrolli para miratimit të dokumenteve vendore të planifikimit, ndaj çmoj se një kompetencë e tillë duhet t’i mbetet këshillit bashkiak.
2.2 Plani i detajuar vendor, është një pasuri publike, për sa kohë që lidhet me zhvillimin/rizhvillimin e një zone, apo ndërtimin e infrastrukturave publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në interesin publik. Ndaj edhe vendimmarrja për të duhet të jetë jo e një organi ekzekutiv, siç është kryetari i bashkisë, por e një organi kolegjial si këshilli bashkiak.
2.3 Për më tepër që, me miratimin e ligjit të ri për vetëqeverisjen vendore, duhet të nxitet zbatimi i këtij ligji dhe të ndihmohet decentralizimi, jo të pengohet përmes një nisme të tillë, që përbën një hap mbrapa, të pambështetur nga arsye legjitime, në drejtim të instrumenteve që garantojnë zhvillimin e territorit duke respektuar interesin publik.
2.4 Nisma e propozuar, për paralelizëm, është si të normosh me ligj që për projektligjet që Këshilli i Ministrave propozon, Kuvendi thjesht t’i miratojë, pa pasur mundësinë t’i konsultojë me aktorët e interesuar apo të propozojë ndryshime në to.
2.5 Për këtë arsye, parashikimet që lidhen me këtë çështje në projektligj (neni 3 dhe neni 5, që propozon shfuqizimin në nenin 22 të ligjit, të pikave 10 dhe 11, që normojnë të drejtën e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore për të monitoruar procesin e miratimit të PDV-së, për të garantuar respektimin e procedurave ligjore për miratimin e saj, dhe në rast se konstaton mangësi apo shkelje, për ta kthyer PDV-në për rishqyrtim nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, brenda 60 ditëve nga miratimi i saj), përbëjnë një non sens juridik, logjik dhe demokratik, duke cenuar jo vetëm autonominë vendore, por edhe parimet kushtetuese”, argumenton ministri i Drejtësisë Manjani, në përgjigjen drejtuar koleges Gjermeni. Në përfundim të shkresës, ai kërkon rishikimin e nismës së projektit.