Kosova

Albin Kurti: Jemi gati t’ia zgjasim dorën Serbisë, nëse ata e lirojnë grushtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga punimet e Forumit të Paqes në Paris (PPF) gjatë një intervistë ka folur për të arriturat e Kosovës gjatë qeverisjes së tij dhe më pas ka përmendur edhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kryeministrit, marrëdhëniet mes dy vendeve as pas më shumë se një dekade nuk kanë pasur përmirësim.

Ai thotë se e ka një arsyeje mjaft të qartë për për këtë.

“Kosova ka filluar normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në vitin 2011. 11 vjet më vonë sot në shumë mënyra marrëdhëniet nuk janë më të mira sesa para një dekade  dhe ka një arsyeje të qartë për këtë, Serbia ka dështuar në demokratizimin e vetë dhe kërkon më shumë konflikt sesa bashkëpunim, ende i jep lavdi kriminelëve të luftës në vend se t’i dënojë. Kam frikë se Serbia nuk është as demokratike e as e pavarur në ditën e sotme”.

Kurti, ka shtuar se Kosova ka gatishmëri për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Kosova kërkon marrëdhënie fqinjësore të mira me Serbinë dhe jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë nëse ata janë gati të shlirojnë grushtet e tyre. Ajo që nuk ofrojmë më është koncesioni për të ndarë vendin tonë në vija etnike e të tjera”.

Por, që marrëdhëniet mes dy vendeve Kurti, gjatë sqarimit të tij i ka quajtur “jo normale”.

“Kosova është vend normal, por më duhet ta pranoj që marrëdhëniet e vendit tonë me Serbinë nuk janë normale duhet t’i normalizojmë marrëdhëniet dhe dialogu në Bruksel është dialog për statusin e marrëdhënieve, pra jo për statusin e Kosovës”.

“Pra, bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve, e ky normalizim nënkupton marrëveshje përfundimtare ligjërisht obligative me njohjen e ndërsjellët në qendër të saj, sigurisht që mund të ketë edhe pika të tjera edhe në atë marrëveshje, por njohja e ndërsjellët do të jetë pika qendrore. Me mua si kryeministër, dialog me Serbinë është parimor, është simetrik, është i barabartë dhe jam absolutisht i përkushtuar, e konstruktiv, e kreativ, në të gjithë procesin”.

“Por, nëse Serbia, nuk është gati që të na njohin sepse kështu e kanë thënë, pesë shtetet anëtare të Evropës nuk kanë nevojë të presin mund ta ndihmojnë Serbinë që të na pranoj më shpejt nëse ata na pranojnë më së pari”.

Kërkesë e Kurtit ishte që Bashkim Evropian ta përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor në Evropë.

“Rruga përpara në të cilën duhet të ecim është se na duhet një paqe afatgjate në Ballkanin Perëndimor duke e bërë Ballkanin Perëndimor më demokratik e më Evropian. Ka një lloj tendencë brenda Bashkimit Evropian për ta menduar Bashkimin Evropian si Evropë, e ky mendim I tillë edhe pse mund të mos jetë i pasaktë është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor”.

“Pra Ballkani Perëndimor është në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë e kjo bëhet saktësisht me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Kosova po pret njohje nga katër vende që të fillojë procesin për anëtarësim në NATO”

Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe synimi ne Kosovës për anëtarësimin në NATO.

Teksa theksoi që janë në pritje të njohjes së Kosovës si shtet edhe nga katër shtete për të vepruar në këtë drejtim.

“Historia e Kosovës dhe historia e NATO-s janë të ndërthurura, por edhe e ardhmja e të dyjave është e ndërthurur. Pra, duam t’i bashkangjitemi partneritetit për paqe si program dhe sa më shpejt që të është e mundur të integrohemi në NATO. Pasi të kemi fituar njohje nga Spanja, Sllovakia, Greqia dhe Rumania menjëherë do ta shfrytëzojnë këtë që t’i bashkohemi NATO-s në rrugën më të shkurt të mundshme”.

Kurti në Paris flet për të arriturat e Kosovës gjatë qeverisjes së tij

Ai gjatë këtij forumi me temën “Dalja nga kriza e shumëfishtë”, ka folur edhe për të arriturat e Kosovës gjatë qeverisjes së tij.

Sipas tij të arriturat e Kosovës janë shënuar fillimisht në fushën e drejtësisë.

“Projekti botërorë i drejtësisë edhe një herë e renditi Kosovën si të parën në indeksin e sundimit të ligjit dhe të dytën në të gjithë botën për përmirësim më të madhe të së drejtës në vitin e kaluar. Edhe një herë jemi përmirësuar për 17 pozita, edhe në luftën ndaj korrupsionit sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International”, ka thënë Kurti.

Ai progres ka thënë se ka ndodhur edhe në fushën e ekonomisë.

“Republika e Kosovës po vepron mirë edhe në kuptimin e ekonomisë 10.7 për qind rritje ekonomike vitin e kaluar dhe diku rreth 4 për qind këtë vit pasi të heqim inflacionin. Kjo rritje është shpërndarë e rishpërndarë e kemi bërë arsimin publik pa pagesë në të gjitha nivelet, përfshirë edhe universitetin”.

“Kemi ofruar pagesa mujore për nëna të reja dhe fëmijë, kemi rritur pensionet më 11 për qind dhe për personat me aftësi të kufizuar 33 për qind kemi subvencionuar bujqit tanë ma shumë se kurdo qoftë ndonjëherë që prej shpalljes së pavarësisë”.

I bazuar në idenë se bashkëpunimi ndërkombëtar është çelësi për tejkalimin e sfidave globale dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme, misioni i Forumit të Paqes në Paris është të bashkojë të gjithë aktorët në qeverisjen globale.

Kjo duke nisur me kryetarët e shteteve dhe qeverive, organizatat ndërkombëtare, qeveritë lokale, OJQ-të, fondacionet, bizneset, mediat, sindikatat, grupet fetare dhe qytetarët – në mënyrë që çdo vit ata të jenë në gjendje të angazhohen në dialog nën një çati.

Çdo vit që nga viti 2018, Forumi i Paqes ka nxjerrë në pah projektet dhe iniciativat qeverisëse që propozojnë zgjidhje dhe veprime specifike përballë sfidave globale.

Këto zgjidhje karakterizohen nga dimensioni i tyre ndërkombëtar dhe aftësia e tyre për të sjellë ndryshime të qëndrueshme brenda qeverisjes globale.

Forumi inaugurues tërhoqi 65 krerë shtetesh dhe mblodhi liderë nga sektorët qeveritarë dhe të korporatave si dhe nga shoqëria civile – të gjithë të bashkuar në riafirmimin e mesazhit thelbësor.

Ai është tanimë një ngjarje ndërkombëtare vjetore e fokusuar në ringjalljen dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

I konceptuar si një përgjigje ndaj rritjes së tensioneve dhe përkeqësimit të sistemit shumëpalësh, Forumi bazohet në një ide të thjeshtë: zgjidhjet bashkëpunuese janë kyçe për trajtimin e problemeve globale dhe për të siguruar paqe të qëndrueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button