Manjani publikon urdhërin për shërbimet publike: Të mos kalohet asnjë minut nga afati i përcaktuar nga ligji
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani duke prezantuar urdhërin për shërbimet publike dhe trajnimin e praktikave, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, theksoi se shërbimi ndaj publikut duhet të jetë sipas ligjit dhe afatit të përcaktuar nga ligji.
Sipas Manjani, ligjet duhen ndërtuar që të kuptohen nga njerëzit, jo vetëm nga juristët. “Nuk dua që të kemi asnjë vonesë në shërbimet ndaj publikut. Dua që qytetarët të jenë të qartë mbi afatet dhe punën që bëhet në shërbimet që ofron Ministria. Dua rregull dhe respektim të afateve”, tha Manjani.
Sipas tij, justifikimet për mos respektim të afateve, nuk do të pranohen. “Nuk dua të dëgjojë justifikime, cilat-do qofshin ato. Është e rëndësishme që shërbimi ndaj publikut të mos vonohet asnjë minutë më shumë se afati i përcaktuar nga ligji”, vijoi Manjani.
Ministri i Drejtësisë, gjithashtu gjatë publikimit të dokumentit në fjalë u shpreh se reforma në drejtësi është thelbi i punës sonë. “Reforma në drejtësi, ashtu siç e kam thënë dhe do ta them është kryefjala punës sonë. Integrimi jonë në Bashkimin Europian varet pikërisht nga kjo reformë, e cila do të bëhet duke ndjekur dhe këshillat e dhëna nga progres raporti BE-së”, tha Manjani.
Ministri i Drejtësisë prezantoi gjithashtu dhe ambientet e reja të pritjes me publikun.