Politika

Manjani: Rama donte të më mbyllte gojën. Ndërkombëtarët kërkuan shkarkimin e Tahirit

Ministri i shkarkuar i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama në një konferencë për shtyp, duke thënë se kreu i qeverisë nuk lë ministrat të flasin nëpër mbledhjet e qeverisë.

Gjithashtu, deklaroi se partnerët i kanë kërkuar Edi Ramës shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

Kur hyra në qeveri gjeta një praktikë që nuk kishte lidhje me profesionalizmin dhe me Kushtetutën. Ministrat nuk lejohen të flasin në mbledhjen e qeverisë. Me Ramën, asgjë personale, vetëm parimore. Kryeministri i ka bërë presion kryetarit të Parlamentit që të më shkarkonte. Donte të më mbyllte gojën. Ankohej se flisja në media pa lejen e Fugës. Po fole pa lejen e Fugës, shkarkohesh. Po dhe mendim, shkarkohesh. Rri urtë, bëj nai tender apo koncesion dhe je në rregull. Ky është mesazhi i kryeministrit”, tha Manjani, i cili shtoi se është i “nderuar që është shkarkuar” dhe se i “vjen turp për këtë qeveri”, me të cilën, sipas tij, nuk ka asnjë lidhje.

Denoncova se shteti nuk po mbronte investimet e huaja dhe pas kësaj deklarate në Këshillin e Ministrave u përzu dhe u rrah një biznesmen, duke e përzënë nga Shqipëria. Kam marrë nisma që më janë refuzuar në mënyrë të tmerrshme nga njerëz që nuk janë mbi ministrat. Këto kanë qenë debatet, por më i madhi është se pse flet me mediat. U shtua presioni pas deklaratës për kanabisin. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar për këtë fenomen dhe e kam bërë pa asnjë paragjykim”, shtoi Manjani.

U shtuan presionet kur bëra deklaratën për kanabisin. E bëra atë deklaratë si qytetar i shqetësuar. Nuk kisha asnjë paragjykim dhe asnjë prapamendim. Kryeministri u nervozua dhe shtyu dy ministra të reagojnë kundër meje. Të gjithë ata ministra më shkelin syrin por kanë frikë të flasin. Që pas asaj situate është shtuar presioni jo ndaj meje, por ndaj kryetarit të Kuvendit për largimin tim. Unë e di pse. Nuk është rastësi që bashkohet me emrin tim me dosjen e Klement Balilit. Ndërkohë që në Tiranë lidhej emri im me Klement Balilin, ministrat flinin me dashnoret te Santa Quaranta”, tha ai.

Ish-ministri tha gjithashtu se, “partnerët kanë kërkuar shkarkimin e ministrit të Brendshëm”.

“Nuk kërkuan shkarkimin tim, por kryeministri kërkon të heqë vëmendjen”, u shpreh Manjani, i cili përsëriti disa herë se është i nderuar që nuk bën më pjesë në qeveri sepse nuk është “për të majtën e bashkuar me krimin”.

“Do isha ministër jetëgjatë nëse do të qepja gojën e të zbatoja porositë, por ndërgjegjja ime qytetare e profesionale nuk ma lejonte këtë gjë”, mbylli fjalën e tij Ylli Manjani.

PYETJE-PERGJIGJE

Pse ju shkarkoi Rama?

E vlerësoj se gjesti i Ramës është hakmarrje e pastër për qëndrimet e mia. Për pozicionin tim, dhe për qëndrimet e mia për kanabisin. Ajo ka qenë diçka therëse për kryeministrin. Së dyti për qëndrimin e Ilir Metës, atij në planet e tij të partisë i këndojnë më shumë kumrija sesa kjo që them unë. Pa diskutim e kam vënë në dijeni Metën për çdo gjë. Sepse njeriu i vetëm nuk punon dot. Në fund fare Metës i ndjehem mirënjohës sepse më dha mundësi që të tregoj se ç’di të bëj në ekzekutiv. Detyra ime është të qëndroj në detyrë deri sa të vijë pasardhësi im deri sa të betohet.

Thate qe Kryeministri merrte ne telefon gjyqtare dhe i kërcënon. Keni ndonjë emër konkret?

Unë nuk bëj akuza, se ato i bën Prokurori. Kjo është praktikë, që kryeministri dhunon fjalën e lirë. Kjo është një çështje e vjetër e tij, është shumë e rëndë. Ai ka raporte shumë të këqija me lirinë e mendimit dhe fjalës. Shihni ç’po ndodh në media. Unë s’mund ta provoj se po arsyetoj dhe jam profesional.

Për pyetjen se ku ishte LSI-ja, këtu kemi qenë i kemi denoncuar dhe i kemi bërë publike. Kam gjetur kur kam ardhur në zyrë oponenca të tmerrshme. Se si pa tender jepeshin shuma 400 mijë deri në 1 mln euro. Medemek për shërbime avokatie. Naço dhe unë i kemi refuzuar. Përgjigja ishte te Komisioni i Reformës ta heqim avokaturën e shtetit nga ministri i Drejtësisë. Qeveria ka dhënë 2 mln euro për një zyrë ligjore kundër Beketit dhe e humbëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button