VMRO-DPMNE kërkon takim mes liderëve politikë për të gjetur një zgjidhje për ngërçin institucional në Maqedoni. Por LSDM nuk e pranon këtë kërkesë duke thënë se ndryshimet do të vijnë vetëm nga shumica e re parlamentare.
Në kuvendin e Maqedonisë vazhdojnë grindjet, tashmë të zakonshme, ndërmjet deputetëve. Debati arriti kulmin kur deputetët e VMRO-DPMNE kërkuan nga Talat Xhaferri, si kandidat për kryetar të institucionit ligjvënës që të tregojë nëse do të mbështeste një ndarje të re territoriale të Tetovës, si pasojë e zbatimit të platformës së partive shqiptare. Xhaferri i provokuar nga pyetja reagoi ashpër në foltore.
Talat Xhaferri, Deputet i BDI: “Unë isha ministër i mbrojtjes në këtë shtet. Nuk rash nga marsi, nuk më sollën nga hëna këtu. Më zgjodhën qytetarët duke përfshirë edhe ata tetovarët të cilët ju referohesh. Të gjitha ata ofendime që i dëgjojmë për 60 ditë, këtu dhe në rrugë, vetëm ne i durojmë. Ky Kuvend nuk do të shkojë as në Tiranë as në Prishtinë, as në Tunguzi dhe ndërpritini më këto gjëra për të cilat folni.”
Më tej partia e Gruevskit akuzoi LSDM se ka shkaktuar krizën politike tre vite më parë dhe kërkoi takim të ri liderësh. Por nga partia e Zoran Zaev theksohet se zgjidhja do të vijë nga shumica e re parlamentare.
Petre Shilegov, Deputet i LSDM: “Për çfarë do të bisedonim në takim liderësh dhe me kë? Ne kemi pasur takime liderësh në të cilin u arrit Marrëveshja e Përzhinës dhe u realizua qëllimi përfundimtar i tyre, zgjedhjet parlamentare. Ndryshime do të ketë shumë shpejt sepse shumica parlamentare do ta ndërmarrë përgjegjësinë. Ky proces do të zhbllokohet dhe për këtë do të ketë edhe përgjegjësi tjetër përveç asaj politike, për Gruevskin si porositës dhe Veljanovskin e Ivanovin si zbatues të porosisë”.
Ndërkohë, idenë e takimit të liderëve, së fundmi është përmendur edhe nga eksponentë të BDI.