Maqedonia
Maqedonia e Veriut: Dimitrioski, nga teknologjia “5G” do të përfitojnë kompanitë
Dobi më të madhe se qytetarët nga shfrytëzimi i teknologjisë së re 5G për transferimin e të dhënave elektronike do kenë kompanitë. Drejtori i Agjencisë për komunikime elektronike Sasho Dimitrioski, për Alsat thotë se teknologjia 5G përdorim më të shumtë do ketë në veprimtaritë prodhuese dhe në sektorin IT.
“Dobia më e madhe e teknologjisë 5G është vonesa minimale e sinjalit. Kjo është shumë e nevojshme te robotizimi i fabrikave, robotizimin e proceseve dhe i gjithë automatizimi kërkon shumë pak vonesa që i ofron teknologjia 5G dhe siguron lidhjen e njëkohshme të më shumë aparateve në rrjet”-tha Sasho Dimitrioski, drejtor i AKE.
Teknologjia 5G nuk do mund të shfrytëzohet në telefonat celularë që i kemi tani për momentin. Nevojiten aparate të reja me çipe të posaçme. Për mbulim të plotë me rrjetin e teknologjisë 5G operatorët teknologjik do duhet të bëjnë investime të mëdha në pajisje dhe në antena. Llogaritë thonë se në vend do nevojiten 700 antena te reja. Për momentin ka vetëm dy me të cilat ishte mundësuar për të provuar përdorimin e 5G para disa muajve.
“Sipas planeve, në vitin 2020 ishte planifikuar të shpallen tenderët për shfrytëzimin e frekuencave që do përdoreshin për teknologjinë 5G. Ato janë në 700 megaherc dhe 3 gigaherc e gjysmë. Ato frekuenca Agjencia do i publikojë në gjysmën e dytë të këtij viti”-pohoi Sasho Dimitrioski, drejtor i AKE.
Telekomi i Maqedonisë dhe A1 Maqedoni kanë afat deri më 20 prill të dorëzojnë mendim dhe vërejtje deri në AEK për lëshimin e lejeve për shfrytëzimin e kësaj teknologjie më të re. Ajo tashmë funksionon në vendet më të zhvilluara si Kore të Jugut, Kinë, SHBA. Por, në disa vende kishte edhe protesta kundër kësaj teknologjie me pretendimin se kjo është e dëmshme për shëndetin.