Mario Adorf, italiani i dashur i gjermanëve
Ylli i kinemasë europiane e botërore duket se ka shumë pengje e pyet nëse ai e ka bërë mirë çdo gjë. Adorf flet në një intervistë edhe për nënën që e rriti jetim e babanë që e takoi në Itali pas shumë vitesh.
“Ashiduco”, një zogth. Ky është dhe emri apo roli më i njohur me të cilin shqiptarët do ta mbajnë mend gjatë atë. Ndoshta sepse kjo lidhet me filmin që besohet se është parë e diskutuar më shumë nga shqiptarët gjatë gjithë kohërave, “Oktapodi”.
Në fakt, emri i tij i vërtetë është Mario Adorf dhe ai ka lindur në Gjermani. Nga emri e fytyra ai gëzon të gjitha tiparet e një italiani “babëlok”.
Tashmë 85-vjeçar, ai kujton filmin e tij të parë me të cilin debutoi në karrierën e tij kinematografike: “Natën, kur erdhi djalli” ai ka luajtur si Marlon Brando, thotë.
Ishte viti 1957, kur Marlon Brando ishte një idhull tashmë e Mario Adorf akoma veçse një i panjohur. Pretendon se nuk ka qenë i arrirë në shumicën e filmave të tij dhe madje disa prej tyre nuk ngurron t’i cilësojë “një dështim i vërtetë”.
Më shumë ai thotë se i pëlqen figura e Mario Adorf, që ai ia ka arritur të krijojë me nazet e hilet e tij që nuk ia imiton dot njeri (qesh): qepallat e ngritura lehtë lart dhe buzëqeshja karakteristike, me të cilën ai duket se gjithmonë ka diçka për të të thënë, diçka për të cilën ai dhe askush tjetër nuk mund t’ia marrë.
Sot, ai thotë se do të dëshironte të ishte më pak arrogant. Po, sepse karriera e tij më pas do të kishte qenë kësisoj më normale.
Qysh në fillimet e karrierës së vet, çdo gjë mund të më kishte ecur më mbarë nëse do të isha i tillë, tregon ai me bindje. Në fillim të viteve ’60, regjisori i famshëm amerikan, Billy Wilder, i kishte dhënë atij një rol në komedinë “Një, dy, tre”. “Mua më duheshin urgjent para”, thotë Adorf. Wilder donte ta mbante atë si “rusi i tretë”.
Një rol i vogël ky, që më vonë e luajti Peter Capell. Por Adorf refuzoi me kokëfortësi: “Unë nuk doja të luaja vogëlsira, e aq më pak rusin e tretë!”, dhe shton: “Isha shumë budalla e arrogant që atëherë”.
Por Wilder nuk e përtypi dot lehtë këtë gjë. Edhe në angazhimin që pati me dramën “Fedora”, 17 vjet më vonë në krah të Hildegard Knef, fjalia e tij e parë kishte qenë: “Mos refuzo sërish!” … E Adorf nuk mund ta fshehë dot një ndjenjë krenarie që pati asokohe.
Më pas ai e mendoi edhe një herë ofertën e këshillën e regjisorit. “Kur isha i ri nuk më rezervonin role të dorës së parë”, thotë ai. Të famshmin “Nderi i Katerina Blum” të Schlöndorff, ai e cilëson personazhin e luajtur si një rol që e ka paguar shtrenjtë. Komisarin duhet ta luante një tjetër – thotë ai.
“Unë duhet të inkuadrohesha në një vend tjetër.” Ndërsa jep intervistë duket shumë i menduar e rendit akoma dhe shumë fakte e raste të tjera refuzimesh e pendimesh. Thith një llullë, ashtu sikur ta kishin burgosur e bezdisur për një kohë të gjatë e tashmë duket se kur sheh dritën e diellit, nuk kërkon tjetër, veç pak qetësi. Por pamja e parë të gënjen.
Fëmijëria e Adorf për shembull, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ai u rrit në një kohë plot probleme: nëna e rriti jetim. Me shumë pasion ai dëshiron të tregojë se me sa shumë vështirësi është ndeshur në jetë e se me çfarë guximi i ka përballuar problemet, e aq më tepër i vjen keq për vuajtjet e së ëmës. “Ajo ishte një grua e fortë dhe e ndershme, që rrallë ankohej e mund ta shihje të lëshuar, me gjithë lodhjen”, thotë ai mendueshëm plot admirim për të ëmën.
E karrierën e të birit ajo kurrë nuk e lavdëroi. Nëna e Marios mjaftohej me faktin se të tjerët ia lavdëronin mjaft të birin, e i pëlqente pa bërë zhurmë të mblidhte si në një koleksion, ato çka shkruanin kritika e gazetat për të birin. Megjithatë, ajo vetë ishte shumë e tërhequr e të birit nuk i thoshte asnjë fjalë lavdërimi.
Natyrisht se Adorf donte të dinte se kush kishte qenë i ati i tij. Në kërkim të tij, Mario përfundoi në Itali në fund të viteve ’50. Më 1968-n ai u vendos në Romë.
“Isha në kërkim të babait tim”, thotë ai sot. “Por dështova.” Vetëm një herë ai arriti ta takonte të atin, një kirurg italian. “Ne u përpoqëm me latinisht, pasi italisht nuk dija. Ata nuk më kuptonin. Por gjithsesi, më pas kuptova se filloi të më pëlqente publiku italian.”
Në Gjermani, Adorf njihej tashmë prej kohësh si “italiani”. “Flokët e zinj dhe mjekra kanë qenë dhe ato çka më kanë përcaktuar mua gjatë kësaj periudhe.” Pastaj qesh. “Kur filluan të më thinjen flokët, dukesha më mirë.” Dhe në fakt, ai ishte bërë kësisoj personifikimi gjerman i një “italo-cowboys”.
Rolet e tij madhështore si pronari i restorantit te “Rossini – apo dhe pyetja vrastare, me të cilën ai flinte” ose ndoshta dhe italiani nga Këlni te “Kir Royal” erdhën më vonë, por jo shumë vonë. Kur ai nis të tregojë për të, sa nuk shpërthen nga emocioni. “Te ‘Rossini’ unë luaja një italian të përbuzur, që shihet tek-tuk i ndërthurur me miqtë e të ftuarit, thotë ai.”
Në këto role ai tregon në fakt për herë të parë atë përzierje të buzëqeshjes e madhështisë, përuljes e forcës, që atij nuk ia imiton dot askush tjetër. Për të tilla suksese u bë i njohur edhe Marlon Brando. E ndoshta Mario Adorf është, me siguri, më pak arrogant sesa ai vetë mendon.
Kush është Mario Adorf
Aktori më i vlerësuar në Gjermani
Mario Adorf lindi më 8 shtator 1930 në Zyrih të Zvicrës. Me më shumë se 120 filma dhe role në televizion, ai ka bërë për vete zemrat e publikut gjerman, italian, e më pas edhe atij europian e më gjerë. Por ai është njëkohësisht jo vetëm një aktor i madh, por edhe një organizator, skenarist e autor i suksesshëm.
Ai ishte biri i jashtëligjshëm i një gjermaneje me origjinë nga Alsasa dhe i një italiani (të martuar). Nga viti 1950 studioi për filozofi e teatër në Mainc. Më pas ndoqi një shkollë aktrimi në Munih. Fillimisht iu besuan disa role në teatër e më pas suksesi i tij do ta kishte emrin “kinema”. Repertori i tij artistik numëron shumë karaktere, duke ia nisur qysh nga skllevërit e piratët e deri te mafiozët apo dhe “zotërinjtë e nderuar”. Ajo që bie në sy më shumë te të gjithë ata që e kanë ndjekur Adorf, është padyshim, dashuria e tij për italianët e kulturën e tyre, gjë që ai e ka reflektuar edhe në filmat e personazhet që ka luajtur. Në vitet e fundit, ai është ndeshur shpesh edhe si autor librash. Qysh nga mesi i viteve ’80, ai është i martuar (për herë të dytë) me ish-modelen franceze Monique Faye. Edhe e bija e tij (nga martesa e parë) Stella Maria Adorf, është gjithashtu një aktore.
Përgatiti: Armand Plaka