Markat tregtare, mburojë për prodhimet bujqësore
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural miratoi sot projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Singaporit mbi Ligjin e Markave Tregtare, bërë në Singapor më 27 mars 2006”.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, deklaroi se projektligji synon modernizimin e kuadrit ligjor dhe harmonizimin e procedurave administrative për regjistrimin e markave tregtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e zyrave të pronësisë intelektuale.
Sipas tij, traktati fokusohet në thjeshtimin e procedurave administrative dhe ka një fushë më të gjerë zbatimi krahasuar me marrëveshjet e mëparshme, duke njohur edhe markat jotradicionale, duke mbështetur konkurueshmërinë, sipërmarrjet e investitorëve dhe zhvillimin e aktivitetit ekonomik.
Një nga elementët kyç të këtij traktati është lehtësimi i procedurave për aplikantët dhe mbajtësit e markave dhe forcon besueshmërinë e markës shqiptare duke e vendosur Shqipërinë në kuadër të harmonizuar me standardet ndërkombëtare.
Kajo tha se, projektligji është hartuar në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare dhe nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Institucioni përgjegjës për përgatitjen e tij është Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, ndërsa hartimi është realizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Relatori i projektligjit, deputeti Ornaldo Rakipi, theksoi se rëndësia e këtij akti lidhet ngushtë edhe me sektorin e bujqësisë. Sipas tij, në kushtet e konkurrencës në rritje, tregu nuk varet vetëm nga sasia dhe cilësia e prodhimit, por edhe nga identiteti dhe besueshmëria që përcjell marka tregtare.
“Të gjitha kategoritë e produkteve bujqësore kanë një domosdoshmëri të shtuar për t’u mbrojtur nga imitimet në treg. Ky projektligj ka rëndësi sepse mbron prodhuesit dhe markat e prodhimeve të tyre”, u shpreh Rakipi.
Aderimi i Shqipërisë në këtë traktat pritet të rrisë sigurinë juridike për bizneset, të lehtësojë procedurat e regjistrimit dhe të forcojë mbrojtjen e markave tregtare, duke e afruar vendin me standardet ndërkombëtare.
/e.xh/a.f/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.