Marrëveshja Kosovë-Serbi: Presidenti serb kërkon “garanci” për anëtarësimin në BE
“Që të mund të arrijmë në një marrëveshje (me Prishtinën), Serbia duhet të marrë garanci se do të bëhet një vend anëtar i BE në vitin 2025,” – tha Vuçiçi për Reuters në një intervistë. Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, patën një takim ballë për ballë në Bruksel të premten e kaluar, ku të dy palët pritej të diskutonin për herë të parë një plan për shkëmbimin e tokës, por nuk pati asnjë rezultat. Pritet që të takohen më vonë këtë muaj. Vuçiç tha se arritja e një marrëveshje mund të zgjasë deri në 10 vjet për shkak të dallimeve të shumta të opinioneve.
Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën në vitin 1999 pas një fushate bombardimi të NATO-s për të ndalur forcat serbe të vazhdonin vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve gjatë një lufte dy-vjeçare. Kosova shpalli pavarësinë në 2008 dhe njihet nga më shumë se 110 shtete, por jo nga pesë anëtarë të BE, Rusia apo Serbia.Marrëveshja e propozuar e shkëmbimit të tokës, e cila po diskutohet veçmas si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, do t’i jepte Serbisë kontrollin mbi pjesën veriore të Kosovës të populluar kryesisht nga serbët. Në këmbim Prishtina do të fitonte kontrollin e komunave jugore serbe të populluara kryesisht nga shqiptarët.
Shtetet e Bashkuara dhe disa zyrtarë të BE kanë thënë se nëse dy shtetet do të arrijnë një marrëveshje ,ata nuk do të kundërshtojnë por Gjermania e ka hedhur poshtë këtë ide duke thënë se kjo do të ringjallte përsëri armiqësitë e vjetra nga luftërat etnike në vitet 1990. “Është e pamundur të kemi një marrëveshje përfundimtare pa mbështetjen e Gjermanisë, Rusisë, Shteteve të Bashkuara ose Francës” -tha Vuçiç.
Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë do t’i mundësojë gjithashtu Kosovës që të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.