Nga Facebook

Masakra e 4 Shkurtit 1944

Marre nga Agim Dervishi (Facebook)

Nga dokumentet arkivale, nga kujtimet e shumë veteranëve që përjetuan këto ngjarje, nga tregimet e disa pjesëtarëve të familjeve të kësaj masakre, si dhe deponimet e bëra nga disa ish-kryepleq të lagjeve të Tiranës që u morën me forcë rezulton: për këtë masakër çnjerëzore nazistët kuisling-ballistë që më parë kishin hartuar një skenar në një takim që ishte bërë më 16 janar 1944, në zyrën e ish-kryeministrit të qeverisë kuislinge, ku në të kishin marrë pjesë vetë kryeministri, Xhaferr Deva, ish-ministri i Brendshëm, Hysni Dema, komandant i përgjithshëm i Xhandarmërisë, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti ish-prefekt i Tiranës dhe një oficer i Gestapo-s gjermane.

Objektivi kryesor që synonte të realizonte në këtë operacion terrorist ishte që t’i jepej një goditje e rëndë asgjësuese organizatës së Partisë Komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar të Tiranës.
Kjo do të bëhej si kundërpërgjigje që pësuan forcat ushtarake gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre gjatë operacionit që bënë në muajin nëntor 1943 -janar 1944 kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Të arrestoheshin dhe të pushkatoheshin personat që përfshiheshin në listat e hartuara nga policia sekrete, në to në radhë të parë figuronin emrat e drejtuesve të qarkorit të Tiranës me në krye Gogo Nushin dhe të tjerë, aktivistë të rinisë komuniste dhe të Frontit Nacionalçlirimtar, të gruas antifashiste, nacionalistë, patriotë dhe pjesëtarë të njësiteve guerile. Operacioni do të mbahej shumë sekret dhe do të fillonte në orët e pasdites së 3 shkurtit 1944 dhe do të përfundonte në ora 5 të mëngjesit të datës 4 shkurt 1944. Ky operacion do të drejtohej nga Xhaferr Deva dhe Kadri Cakrani. Në këtë operacion terrorist, forcat e Gestapo-s gjermane nuk do të merrnin pjesë, pasi në një dokument të Komandës së Përgjithshme të Korparmatës së 21-të gjermane, thuhej: “Grupet nacionaliste sot natën do të ndërmarrin një kundër-reaksion. Të gjithë pjesëtarët e trupës gjermane në postat e shërbimit të qëndrojnë jashtë kësaj grindjeje. “Ky ishte një mashtrim, që synonte t’i paraqiste forcat gjermane të ardhura në Shqipëri jo si pushtuese, por si kalimtare, si nevojë e sigurimit të krahëve të forcave gjermane në jug të Ballkanit dhe të sigurimit të rrugëkalimit të këtyre forcave për në veri të Evropës. Por më vonë, në dokumentet gjermane të zbuluara, vërtetohen se në krye të këtij aksioni ka qenë oficeri i Gestapo-s gjermane Haufmanlangen, përfaqësues personal i Hitlerit në Shqipëri. Forcat që do të merrnin pjesë në këtë operacion përbëheshin nga xhandarmëria dhe policia sekrete kuislinge, që kishin ardhur në Shqipëri për ta shpëtuar atë nga regjimi komunist dhe nga forcat e armatosura të Ballit Kombëtar. Në krye të tyre ishin: Qazim Mulleti, Osman Kukaleshi, Xhelal Staravecka, Seit Matja dhe drejtues kryesor të organizatës së Ballit Kombëtar të Tiranës, Halim Begeja, Halil Mëniku, Seit Dumneri, Arif Merepeza, Osman Kazazi, Ziçe Hatipi dhe të tjerë. Operacioni filloi në orët e para të 3 shkurtit, ku disa grupe terroriste kanë tentuar të bëjnë atentat kundër qeverisë, personaliteteve të larta shqiptare, kundër Xhaferr Devës, Kadri Cakranit dhe kanë sulmuar automobilat e tyre me bomba dhe revolverë. Duke marrë shkas nga këto atentate të inskenuara, Xhelal Staravecka dhe Kadri Cakrani me agjentët e tyre në Tiranën e Re, arrestuan qytetarë të pafajshëm, të cilët ishin duke shkuar nga puna në shtëpitë e tyre dhe i pushkatuan. Duke filluar nga ora 02.00 e natës dhe deri në mëngjesin e ditës së 4 shkurtit, bastisën qindra shtëpi, u arrestuan mbi 500 qytetarë, prej të cilëve 84 u pushkatuan. Shumica e të pushkatuarve ishin antifashistë, aktivistë të Frontit Nacionalçlirimtar, të rinj dhe punëtorë të thjeshtë. Nga të pushkatuarit pati dhe me kombësi italiane, si dhe 4 të burgosur politikë, që me gjakun e tyre lagën rrugët e Tiranës.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button