Ekonomia

Mbi 100 mijë të rinj, punonjës pa pagë

43.9% e të rinjve, punëtorë në familje. Papunësia e rinisë, 49% më e lartë se në 2011-n

Nga Zamir Alushi

Mbi 100 mijë të rinj llogariten si të punësuar në zërin “Punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes”. Sipas analizës së INSTAT-it, me titull “Të rinjtë në Shqipëri: sfidat në kohët që ndryshojnë”, 43.9 për qind e të rinjve të punësuar u përkasin punonjësve pa pagesë. Në tregun e punës, të rinj konsiderohen nga mosha 15 vjeç deri në 29 vjeç. Kjo fazë e jetës shënon një periudhë me përvoja dhe ngjarje të rëndësishme, sidomos ato në lidhje me përfundimin e shkollimit, tranzicionin nga shkolla në tregun e punës, krijimin e familjes etj. Perspektiva e zymtë për punësim dhe status të denjë social, është shkaku kryesor i emigrimit për të rinjtë shqiptarë. Ekonomitë e avancuara synojnë të kenë përqindje të lartë të punëtorëve në punësim me pagë ose normë, ndërsa ekonomitë informale dhe të pazhvilluara synojnë të kenë përqindje të madhe të punëtorëve për llogari të tyre. Rëndësia e punëtorëve që kontribuojnë në familje zakonisht tregon edhe zhvillimin e dobët, rritjen jo të madhe të punësimit, varfërinë e përhapur dhe shpesh një ekonomi gjerësisht rurale. Ky lloj punësimi vlerësohet si “punësim i pambrojtur”. Punëtorë për llogari të tyre dhe që kontribuojnë për familjen kanë mundësi më të pakta për të pasur marrëveshje formale pune. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë për Shqipërinë karakteristikat e një ekonomie të nënzhvilluar dhe informale me një përqindje relativisht të ulët të punëmarrësve të paguar dhe me pagë e përqindje mjaft të larta të punëtorëve të vetëpunësuar dhe që kontribuojnë në familje. Shumica e 58.1 për qind e popullsisë së punësuar është klasifikuar si popullsi në “punësim të pambrojtur”. Zakonisht brezi i të rinjve që ndihmojnë një biznes familjar është më e madhe në raport me rriturit (30-65 vjeç). Në vitin 2011, përqindja në “punësim të pambrojtur” e të rinjve ishte 60.6 për qind që u korrespondon 186 mijë të rinjve, njofton INSTAT-i. Të dhënat e vitit 2014, sugjerojnë një ndryshim pozitiv në kuptimin që norma e përgjithshme e punësimit të pambrojtur ka rënë, për shkak të ndryshimit të shpërndarjes në statusin e punësimit nga punëtori që punon për llogari të vetes dhe ai që kontribuon në familje te punëmarrësit formalë. Ky kalim është përqendruar pothuajse në mënyrë ekskluzive te kategoria e të rinjve dhe sidomos e të rejave femra. Norma e punësimit të pambrojtur të të rinjve u ul nga 60.6 në 47.7 për qind (përfaqëson 95 mijë persona) me pothuajse të njëjtin nivel për të dyja gjinitë.

Ku punojnë të rinjtë?

Për të rinjtë, sidomos për femrat e reja, sektori i bujqësisë është akoma më i rëndësishmi për mundësitë e punësimit (për 51.1 për qind), në shumë raste për punëtorët që kontribuojnë në familje. Ky sektor kishte punësuar rreth 157 mijë të rinj në vitin 2011. Shërbimet e tregut dhe ndërtimi së bashku thithin 37 për qind të të rinjve të punësuar (65 mijë meshkuj), ndërsa shërbimet e tregut dhe jo të tregut së bashku përfshijnë 30.1 për qind të të rejave të punësuara (39 mijë), sidomos në funksionet administrative. Në vitin 2014, sektori i bujqësisë ka punësuar vetëm 38.1 për qind të të rinjve (13 për qind më pak se në vitin 2011). Gjithashtu, sektori i ndërtimit ka humbur një pjesë të dukshme të personave të punësuar, kryesisht meshkuj (4.2 pikë përqindje), ndërsa sektorët e shërbimeve të tregut dhe prodhimit janë bërë relativisht më të rëndësishme (përkatësisht 10.1 dhe 4.2 pikë përqindje). INSTAT-i thekson se të gjithë sektorët ekonomikë kanë pësuar rënie të të rinjve të punësuar në terma absolutë, për shkak të zhvendosjes së përgjithshme nga punësimi në papunësi dhe sidomos inaktivitet.

Profesionet

Në vitin 2011, grupi i profesioneve që përfshin punëtorët në bujqësi ishte kategoria më e madhe për të rinjtë e punësuar (62.8 për qind). Kategoria e menaxherëve, profesionistëve dhe teknikëve është i vetmi grup profesionesh që është rritur në vitet 2011-2014, ndërsa profesionet e bujqësisë kanë humbur shumicën e personave të punësuar.

Kualifikimi dhe puna

Të rinjtë e punësuar me arsim dytësor punojnë në një punë që përshtatet me nivelin e tyre arsimor: vetëm 4.5 për qind punojnë në punë që kërkon më pak ose më shumë se arsimin e mesëm. Nga ana tjetër, norma e mospërputhjes për punëtorët e rinj në arsimin e lartë ka qenë shumë e lartë – 33.5 për qind në vitin 2011. Të dhënat e 2014-s tregojnë rritje në nivelin e mospërputhjes së kualifikimeve.

Puna e denjë

Vetëm një përqindje e vogël (rreth 9 për qind nga 2011-a në 2014-n) nga gjithë popullsia e të rinjve janë të punësuar në kushte pune të denja. Përqindja e të punësuarve, por në tranzicion për në punë më të mira, në vitin 2011 ishte 34 për qind dhe përfshinte personat që jo me dëshirën e tyre punojnë me orë të shkurtuara pune (nënpunësimi i lidhur me kohën) ose punojnë përkohësisht, persona që punojnë në punësim të pambrojtur (punëtorë për llogari të tyre dhe punëtorë që kontribuojnë në familje) dhe punëtorë kushtet e punës së të cilëve nuk plotësojnë standardet e tyre ose standardet për punë të denjë.

43.9%

38.2% e të rinjve punojnë me pagë, 16.7% të vetëpunësuar, 1.2% të vetëpunësuar me punëtorë, 43.9% punonjës pa pagesë

2014

Papunësia në radhët e të rinjve arriti nga 21.9 për qind në 2011-n në 32.5 për qind në 2014-n (rritja me 49 për qind)

2015

Në tremujorin e dytë 2015, për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç, shkalla e papunësisë është 34,2 për qind

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button