Mbi 16 mijë mësues nesër në testim, Malaj: Asnjë s’ikën nga puna
Rreth 16.500 mësues që janë në marrëdhënie pune dhe drejtuesit e shkollave do t’i nënshtrohen nesër testimit për identifikimin e nevojave për zhvillimin e tyre profesional. Pas implementimit të këtij instrumenti për mësuesit e Tiranës, ditën e nesërme ai do të zhvillohet në 13-të Drejtoritë Arsimore Rajonale.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj deklaroi se testimi do të zhvillohet në orën 11:00 deri në orën 13:00, në gjithë vendin, ndërkohë që në testim nuk do të futen mësuesit që kanë arritur shkallën e parë të kualifikimit dhe kanë mbi 20 vite eksperiencë pune.
“Qëllimi i këtij monitorimi nuk ka lidhje me lëvizjen e mësuesve apo situata të tjera punësimi, por ka të bëjë me hartën që Ministria e Arsimit dhe Sportit po ndërton për nevojat e formimit profesional të mësuesve”, deklaroi Malaj.
Sipas Zëvendësministres Malaj, nga monitorimi i qytetit të Tiranës dolën disa problematika që lidhen me menaxhimin e orës së mësimit, komunikimin, etikën, legjislacionin, etj. Ndaj, shumë e rëndësishme është që të gjithë këto problematika që shfaqjen në nevojat që kanë mësuesit për trajnim, MAS t’i rendis për të nxjerrë më pas disa rekomandime të rëndësishme në mënyrë që niveli i nxënësve dhe niveli i mësuesve të jetë i standardizuar.
“Kryefjala e këtij procesi është ta shikojmë në thellësi problemin, duke mos u marrë vetëm me pasojat, por për të analizuar shkaqet që të japim më pas zgjidhjet për vendosjen e standardeve”, deklaroi Malaj.
Pyetjet e testimit janë hartuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit. Mësuesit do të vlerësohen në 4 fusha siç janë planifikimi, aspektet metodike-pedagogjike, stili i komunikimit dhe etika e përdorur nga punonjësit arsimor si edhe përgatitja shkencore e mësuesve dhe zhvillimi i tyre profesional.
Në lidhje me raportin e fundit të Bankës Botërore, referuar rezultateve të Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, Zëvendësministrja Nora Malaj deklaroi se ato i referohen rezultateve në lëndën e matematikës për vitin 2012-të.
“Analfabetizmi funksional është një proces ku një nxënës mund të shkojë në shkollë, mund të qëndrojë gjatë gjithë orës së mësimit dhe në fund dija e tij është minimaliste dhe jo ajo që duhet. Ndaj, MAS po zhvillon testimin e mësuesve, rezultatet e të cilit janë më se të domosdoshme në orientimin e duhur të politikave të ministrisë për hartimin e një skeme të re kualifikimi dhe trajnimi profesional të mësuesve shqiptarë”, u shpreh ajo.