Mbi 26 mijë serbë nga veriu janë pajisur me dokumente të Kosovës
Me gjithë hezitimet, pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në komunat veriore të Kosovës kohëve të fundit kanë rritur interesimin për t’u pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës.
Sipas autoriteteve lokale në veri, pajisja me dokumente të Kosovës nuk po paraqet më problem dhe temë tabu siç ka qenë para disa viteve.
“Aplikimi për dokumente të Kosovës nuk është më temë tabu për qytetarët e Mitrovicës veriore. Në komunën tonë e kemi qendrën civile, e cila punon në këtë drejtim dhe çdo ditë kemi numër të madh të qytetarëve të cilët lirshëm vijnë dhe aplikojnë për dokumente të cilat u nevojiten”, tha Hoxhiq.
Në anën tjetër, nga Ministria e Punëve të Brendshme është bërë e ditur për Radion Evropa e Lirë se deri më tani në komunat veriore të Kosovës, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut, me letërnjoftime janë pajisur mbi 26,100 qytetarë, kurse me dokumente të udhëtimit – po në këto komuna – janë pajisur 2,183 persona.
Hoxhiq deklaroi se në Komunën e Mitrovicës Veriore – jo vetëm qytetarët nga komunat veriore të Kosovës, por edhe ata të komunave të tjera në jug – mund të pajisen me dokumente, si letërnjoftime apo dokumente tjera.
“Integrimi veç po ndodh. E kemi pasur procesin e integrimit të policisë, pastaj të mbrojtjes civile dhe besoj që njerëzit e kanë kuptuar që është mirë me i posedu edhe dokumentet e Kosovës. Në përgjithësi nuk janë të imponuara , por njerëzit kanë nevojë thjesht t’i kenë dokumentet. Një pjesë e qytetarëve që aplikojnë për dokumente të Kosovës i kanë pronat e tyre të cilat ndodhen në pjesën jugoret të Kosovës”, tha Hoxhiq.
Qytetarët serbë, ndërkaq, flasin për marrjen e këtyre dokumenteve. Disa thonë se i kanë marrë dokumentet e Kosovës, por ka edhe të atillë që deklarojnë se nuk u nevojiten.
Jelena Markoviq, një qytetare nga veriu i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë së nuk ka nevojë për dokumentet e Kosovës, pasi që i posedon ato të Serbisë.
“Nuk kam dokumente të Kosovës. Nuk kam nevojë për to, ngase i kam si dokumentet e Serbisë, ashtu edhe ato kroate. Unë i përdori dokumentet serbe. Kur kemi nevojë të udhëtojmë jashtë, pasaporta serbe është e mjaftueshme, sepse nuk ka nevojë për vizë. Kështu që nuk e shoh të nevojshme t’i kem dokumentet e Kosovës”, thekson Jelena Mirkoviq.
Por, një qytetare tjetër nga Mitrovica veriore, Jelena Ilijevska thotë se është pajisur me dokumentet e Kosovës që moti.
“I kam nxjerrë këto dokumente, sepse jetoj në atë territor ku kjo është e domosdoshme. Këto dokumente janë të nevojshme për kërkimin e vendit të punës, për pranimin e të ardhurave personale, si dhe letërnjoftimi i Kosovës ka qenë i domosdoshëm për hapjen e llogarisë bankare, bashkë me kontratën e punës. Kështu që dokumentet e Kosovës janë të nevojshme”, ka thënë kjo qytetare.
Aktualisht, ajo thotë se nuk ka pasaportë, por nëse do t’i nevojitej nuk e sheh si problem që ta marrë pasaportën e Kosovës.
Zyrtarët e institucioneve kanë deklaruar se numri i banorëve serbë që kanë shprehur interesim të pajisen me dokumente të Kosovës është rritur edhe për faktin se ata kanë përfituar nga fondi pensional dhe ndihmat e tjera të skemave sociale.
Autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se numri i qytetarëve serbë që janë pajisur me pasaporta biometrike me simbolet e Republikës së Kosovës ka shënuar rritje që prej rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizim vizash.
Por, liberalizimi i vizave për Kosovën, megjithëkëtë, është ende i paqartë. Kushtet e vëna nga Komisioni Evropian për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi dhe dëshmitë e plota të fuqizimit të luftës kundër korrupsionit nuk janë kryer ende.