Libri

Mbi librin “Sikur ta dija..” të Baki Balës

Si transformohet trauma në triumf

Nga Beqir Skreli

Përfytyroni një burrë në kulmin e energjive mendore dhe fizike, me një jetë të jetuar në të gjitha dimensionet, me shumë ëndërra e plane për të ardhmen që i rrethuar nga familja e tij dhe shumë shokë e miq, në një ditë të bukur vere me qiell të kaltër po i ngjitet përpjetë një mali të lartë.

Në një moment kur ishin ulur për të bërë një pushim dhe po i gëzoheshin ditës me të qeshura e shkara, pa pritur, ky burrë përfundon i dërrmuar në fund të greminës i goditur nga rrufeja.

Kështu i ndodh edhe Robertit, heroit të librit “Sikur ta dija” të Baki Balës.

Roberti jetonte ditët më të bukura të jetës së tij kur papritur, hap sytë dhe e shikon veten në një dhomë spitali në Itali, mbërthyer në krevat, i pa aftë për të folur, për të ngrënë, për të pirë, për të lëvizur, për të marrë frymë.

Rrufeja?

Më keq akoma.

Robertit i kishin bërë trakeostomi. Ai ishte i goditur nga Lou Gehrig, një sëmundje shumë e rëndë, deri tani e pashërueshme nga shkenca.

Roberti kishte humbur çdo gjë veç familjes, dashurisë dhe përkrahjes së miqve të shumtë.

Por, i kishte mbetur shpirti i pamposhtur, ky zog, i vetmi që është në gjendje të ngrejë kafazin e tij.

“Kur njeriu sheh që mundësitë në raport me disfatën janë 99% me 1%, ai heziton. Por kur e sheh veten në disfatë dhe mundësitë janë 1%, ai shpreson.” shprehet Roberti.

Ky shpirt ku bashkohet realizmi i akullt me optimizmin e zjarrtë e mori gjithë situatën në dorë. Nisi ngjitja me thonj e me dhëmbë për të dalë nga gremina.

Gradualisht, filloi rë hajë, të flasë, të qëndrojë ndënjur, të shkruajë, të pikturojë…

Filloi të jetojë.

Të jetojë, jo të vegjetojë.

Ai tani shkruan poezi.

Ai boton romane.

Ai bën jetë më aktive se dikush që s’i ka dhembur ndonjë herë koka.

Në dy raste Roberti psherëtin thellë “Ah. Sikur ta dija…” Në të dyja rastet duket madhështia e shpirtit të tij.

Në rastin e parë ai do të dijë nga i erdhi kjo gjëmë. Ishte gjenetike apo kishte shkaqe të tjera?
Po të ishte gjenetike, kishte një mundësi trajtimi. Ndërkohë kjo rezervonte mundësinë e të papriturave të pakëndshme për familjen dhe pasardhësit.

Në dhomë hyn vajza, Edita, me një fytyrë pa shenja gëzimi ose shqetësimi. Kishte marrë rezultatin e testit gjenetik.

Negativ!

Pra, sëmundja nuk kishte shkaqe gjenetike.

Pra, eleminohej mundësia e trajtimit të sëmundjes së Robertit.

“Rofshi ju vajzat tona! Rrofshin nipër e mbesa! tha Roberti. Lajmi është shumë i gëzuar.”

Rasti i dytë është kur Roberti përmendet pas operacionit të trakeostomisë dhe e shikon veten tërësisht të bllokuar fizikisht. Kjo pjesë është ndoshta më e realizuars e këtij libri.

Ajo na tregon sa të pasur jemi edhe në varfërinë tonë më të thellë. Sa shumë gjëra të mrekullueshme kemi dhe nuk i vëmë re, i marrim të mirëqëna!

Ah sikur …ta dija që do të ishte puthja e fundit, vallzimi i fundit, vrapimi i fundit… Ah sikur….të mundja të shkoja dhe një herë tek avllia e shtëpisë në fshat e të ndizja furrën me nënën, të pija një gotë rakie me babanë, të shkoja tek burimi, të ngjitesh në mal, t’ia merrja një herë këngës ….!

Libri është i ngjeshur plot me skena jete të vrullshme, me bukuri natyrore magjepse, me kontraste, me shpresa, iluzione, me vështirësi e triumfe..

Një vënd qëndror në libër zë familja, gruaja, vajzat, prindërit, vëllai, motra, nipërit dhe mbesat. Dashuria dhe përkushtimi i tyre është oksigjeni i mushkrive dhe shpirtit të Robertit.

Libri është një himn për jetën, për dashurinë, për bukurinë shpirtërore dhe fizike, për natyrën, për dijen, për vullnetin, për punën …

Roberti është vetë Bakiu, miku im i shtrenjtë që nga fëmijëria, njeriu që na mëson se si duhet jetuar jeta, njeriu që bën të pamundurën të mundur.

Mbaron librin dhe ndjehesh se je bërë më i mirë e më i fortë.

Bakiu na tregon se si kthehet trauma në triumf.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button