Mblidhet KQZ/ Biba: Dekreti i Metës i pavlefshëm. Zguri braktis mbledhjen
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar një mbledhje urgjente pas vendimit të Presidentit Ilir Meta që sot firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar.
KQZ do të mblidhej në orën 12:00, por teksa kryetari Klement Zguri e shtyu mbledhjen me dy orë, për në 14:00, pa dhënë sqarime për median për ketë vendim. Por në fillim të mbledhjes ai deklaroi se ajo çfarë po bën KQZ është një sfidë ndaj Presidentit, e për këtë arsye braktisi mbledhjen.
Në vijim të saj, nënkryetari i KQZ, Denar Biba e vlerësoi si të pavlefshëm dekretin e Presidentit Meta.
“Presidenti refuzon të zbatojë urdhërimin që e detyron atë të caktojë datë zgjedhjesh. Sipas nenit 1 të Kushtetutës, qeverisja bazohet në sistem zgjedhjesh periodike, çdo katër vjet. Shfuqizimi i dekretit që përcaktonte datën 30 qershor është shkelje e hapur dhe flagrante e parashikimeve të mësipërme duke e lënë vendin pa datë zgjedhjesh dhe pa proces zgjedhor. Ky dekret nuk sjell asnjë pasojë juridike, ai konsiderohet se nuk ekziston, cdo subjekt që ndesh një akt të tillë nuk i nënshtrohet rregullave të tij dhe nuk e merr parasysh. KQZ ka detyrimin të vijojë punën”- u shpreh Biba.
Sipas tij, ky dekret i dytë që shfuqizon atë të nëntorit, është akt administrativ i pavlefshëm.
“Në kundërshtim me nenin 108 të kodit të procedurave administrative, bie në kundërshtim me dispozitën urdhëruese të kodit. Bie ndesh me parimin e parashikuar nga neni 4 i kodit të procedurës administrative, sipas të cilit organet ushtrojnë veprimtarinë e tyre brenda kufijve të kometencave dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca. Presidenti ka diskrecion të caktojë një datë, por jo të shkojë përtej kësaj dhe akoma më keq të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit vendi është pa datë zgjedhjesh”- tha ai.