Opinion

Mbrojtja e Berishës nga SPAK-u, shpërfillje e Washingtonit dhe Londrës ?

Petro Dhimitri

Të gjitha prokuroritë e Botës demokratike kanë për detyrë të zbulojnë dhe hetojnë të  gjithë kriminelët qofshin ata persona të veçantë apo grupime banditësh. Për zbulimin e tyre nga hetuesit përdoren metoda nga më të thjeshtat e deri te më të sofistikuarat. Një ndihmë e madhe për ta janë edhe kallzimet e institucioneve, mediave të folura apo të shkruara si dhe ato të individëve të veçantë, kur ia vlen të niset një hetim. Nga kjo praktikë ndërkombëtare nuk mund të bëjnë përjashtim as hetuesit e Shqipërisë, qofshin të prokurorive të rretheve apo ata që janë pjesë e SPAK-ut, Prokurorisë Speciale Kundër krimit të Organizuar. Pikërisht nga kallzimi i PD-së për abuzimet për inceneratorët u vu në pranga një ministër dhe po nga të dhënat që dolën nga një proces gjyqësor në Itali, u hetua, u burgos dhe u dënua ish Ministri i Brendshëm i qeverisë Rama. Gjithashtu po nga kallzimet e individëve po hetohen disa çështje të tjera. Së fundmi është njoftuar si i pandehur dhe ish Ministri i Mbrojtjes i qeverirë Berisha për çështjen Gërdeci, deputeti Fatmir Mediu. SPAK, me sa duket, është duke hetuar edhe për akuzat ndaj ish zëvendëskryeministrit të qeverisë Rama, deputetit Arben Ahmetaj. Deri këtu mund të themi me plot gojë I LUMTË SPAK-ut! Ama deri këtu, sepse populli ka vërejtje të qenësishme për atë institucion shumë shpresëdhënës për të shpartalluar korrupsionin e lartë shtetëror të Shqipërisë. Njerëzit e ndershëm nuk e kuptojnë dot pse SPAK-u po bën veshin shurdhër dhe rolin e të verbërit për hetimin e ish Presidentit dhe ish Kryeministrit Sali Berisha. Ka plot 22 muaj që SHBA (më vonë edhe Mbretëria e Bashkuar e Anglisë) që ka shpallur NON GRATA këtë njeri dhe nuk po shikojmë as më të voglën lëvizje për të nisur hetimin ndaj tij?! Kur, ju të nderuar prokurorë të SPAK-ut, merrni si të mirëqëna kallzimet e partive ose edhe njerëzve të thjeshtë, si nuk u vutë menjëherë në lëvizje kur Amerika dhe Anglia, dy shtete me sherbime intiligjente nga më të përsosurat, ia vunë damkën ndërkombëtare të të korruptuarit madhor Sali Berishës!? A kishte dhe a ka kallzim më zyrtar dhe serioz se akuza e zotit Antoni Blinken:” Veprat e korrupsionit të ish Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri.Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Bukur fort, besa, thonë shkodranët, Për në Amerikë i papërshtatshëm se je i korruptuar, në Shqipëri je i denjë për deputet, kryetar partie dhe aspirues për t’u bërë sërish Kryeministër?! O,dhe, hapu që të gjejmë pak prehje edhe ne shqipot?!

        PSE NDODH KJO? Kurrsesi nuk mund të quhet rastësi ose se drejtësia jonë gjoja e rinovuar është kundër vendimit të udhëheqësve të Botës Perëndimore për Berishën. Po të ishte kështu ata kishin për të dalë me ndonjë deklaratë pak si zbutëse për njeriun që akuzohet nga përtejdetit. Ata thjesht po heshtin ose bëjnë rolin e atij që nuk e kupton pse po bien këmbanat, sepse: Ambasadorja Juri Kim ka thënë: 1. KANË FRIKË.2. JANË TË BLERË.
          Nuk besojnë që kanë aq frikë nga që Berisha nuk mundi të dilte deputet nga votat e popullit. Mori vetëm një minimum qesharak në Kavajë.Të blerë, ka të ngjarë. Doemos jo të gjithë. Disa prej tyre mbase. Unë do të shtoja edhe një faktor të TRETË. Ata janë partiakë të padeklaruar, shumë të heshtur të PD-së ose PS-së në pushtet. Si të tillë kanë marrë të mirëqëna deklarimet televizive të përsëritura të Berishës se amerikanët nuk kanë as edhe një fakt kundër meje, se unë jam i pastër. Duke lënë mënjanë dokumentacionin  që gjoja u kërkohet Anglo-Amerikanëve, unë dua t’ju kujtoj prokurorëve të SPAK-ut, bëmat akuzuese që i numërojnë njerëzit e thjeshtë e të ndershëm doktor Berishës.
          Po e filloj me firmat piramidale. Pse i mbështeti ato, vetëm ai e di. Popullin e mashtroi kur i tha se në ato firma paratë i keni të sigurta. Doli që gënjeu. Këtë ju mund mos ta dini, mbase atëhere keni qenë të rinj. Po vijoj me vitin e mbrapshtë 1997 kur dha urdhër që ushtria dhe vullnetarë nga Veriu të sulmonin Vlorën dhe  tërë Jugun. Dy pilotë shqiptarë kërkuan strehim në Italinë fqinje sepse kishin marrë urdhër të bombardonin ato troje. Mbase edhe urdhëri i tij për hapjen e depove të ushtrisë, duke u vjedhur ç’kishte në to, nuk është ndonjë kallzim që ia vlen të merren prokurorët HIGH KLASS të SPAK-ut?! Ec e besoje këtë?!
            Populli mbeti i shtangur kur nga RTSH njerëzit e Berishës që pushtuan Radiotelevizionin me tankun e Gardës së Republikës, deklaruan rrëzimin e qeverisë Nano. Po me një tank tjetër të Gardës Berisha kishte sulmuar dhe marrë Kryeministrinë. Për të shpëtuar jetën e tij kryeministri i zgjedhur me votën e popullit mundi të largohej.  Këto skena  mbase nuk i keni parë në atë kohë, prandaj po ua tregoj si për një indicie. Madje nga Washingtoni të nerërmen erdhi urgjentisht sekretarja e shtetit Madelin Ollbrait. Ishte ajo që i foli popullit para dyerve të Kryeministrisë. Trimi i Jutbinës nga Viçidoli u detyrua të ristrukej në selinë e PD-së dhe të dorëzonte tanket.
               Nga t’ia fillosh e të vazhdosh me aktet e Berishës, që sipas juristëve shqiptarë, nuk përbëjnë shkelje të rëndësishme për të filluar hetimet?! Po më vijnë në mënd skenat makabre të 21 janarit! U vranë 4 vetë, u plagosën 13 dhe nga telat qenë zbrapsur 26 plumba?! U qëllua në një demonstratë paqësore, kur ajo ishte duke u shuar?! Kush dha urdhër për të qëlluar? Në ushtri asnjeri nuk mund të qëllojë, aq më tepër popullin, pa urdhër! Tre vetë qenë ata që kishin këtë të drejtë: Komandanti i Gardës, Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri. Gojët e liga duan të thonë se komandati i Gardës, zoti Prenga hyri në Kryeministri për të takuar Berishën. Kur doli andej syrin e kishte të mavijosur. E kishin rrahur dhe kërcënuar për të qëlluar. Ishte ai vetë që qëlloi. Komandanti i Gardës  vrau?! A u gjykua ai dhe të tjerët për vrasje? Prokurorët dhe gjykatësit e Berishës shpikën variantin që ata kishin qëlluar në ajër, po plumbat kishin bërë rikoshetë në degët e pishave dhe vranë të pafajshmit, dëshmorët e demokracisë?! U pagëzua krimi si vrasje aksidentale?! Turp shtetëror! Kësaj nuk ke ç’ti thuash tjetër. Ka edhe më, të nderuar juristë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Për dy dëshmorët e tjerë që u vranë në mes të bulevardit dhe nuk mund të trillohej gënjeshtra  e plumbave rikoshetë, edhe pse kanë kaluar kaq vite, ka një heshtje të paspjegueshme prej varri. Mbase nuk i keni dhënë rëndësi edhe faktit uluritës që nga ndërtesa e Kryeministrisë u hoqën apo u prishën serverat që kishin regjistruar ç’kishte ndodhur atë ditë breda selisë ku jepte urdhëra doktori?! Po të mos ishte i përlyer Berisha, nuk kishte pse të prishte serverat. Nuk mund ta di, se nuk jam profet, po a nuk shikoni në ëndërr dhe nuk dëgjoni thirrjet e martirëve të 21 janarit ” Na vrau ai, na vranë ata! Pse bën edhe SPAK-u shurdh-memecin!!!???
         Qetë qetë dua të vijoj me tragjedinë e Gërdecit. Edhe pse në mbledhjen e Kryeministrisë nuk u miratua hapja e asaj punishteje primitive, pas një muaji këtë detyrë Berisha ia besoi, zotit Mediu si  Ministër i Mbrojtjes që ishte. Pse si Berisha dhe Mediu  municionet, pronë e shtetit, t’ua shisnin lirë një kompanie private?! Privati i  blente  plumbat psh. 2 cent dhe ia shiste Afganistanit 8 cent.  Fare mirë këtë biznes mund dhe duhet ta bënte vetë Ministria e Mbrojtjes. E dyta dhe më e rëndësishmja: pse të ngrihej një punishte pa kushtet përkatëse të sigurisë së lartë në Gërdec, kur ne kemi dy uzina ushtarake që i plotësojnë kërkesat e duhura për demontimin e armëve?!  Berisha nguli këmbë te Gërdeci , se vetëm përmes një kompanie private mund të fitonte djali i tij. Ai po përpiqej të siguronte dokumentet zyrtare për këtë blerje-shitje masive me përfitim kolosal. Si çdo qytetar ai kishte të drejtë të kërkonte fillimin e një biznesi.Është përgjegjësia e Berishës për konflikt interesi dhe e Mediut ose dhe ministrit të drejtësisë që firmosën shkresat për miratimin e punishtes dhe demontimin. Përfundimi ishte tragjik. 26 të vrarë dhe mbi 250 të plagosur. Procesi gjyqësor ishte një skandal tjetër i rradhës për drejtësinë tonë. U dënuan anësorët. Shigjeta nuk u ngrit te benjamini i Berishës, Zoti Mediu, madje as edhe te Berisha, sepse nuk ka shqiptar që nuk e di që Gërdeci ishte në pronësi të familjes së tij. Po bëj një pyetje pak si naive: Edhe pse i pandehur për shpërdorim detyre, a thua se me të vërtetë Mediu ka për t’u dënuar?!  Për të pyetur e hetuar edhe Berishën e panegociueshëm nga prokurorët as që mund të bëhet fjalë?! Nuk besoj që  kur ndodhi kjo tragjedi juristët e SPAK-ut nuk kanë qenë në Shqipëri ?! Atëhere pse kjo zvarritje kaq e gjatë për të dënuar kryefajtorët?!
          Që nuk janë zhveshur edhe nga preferencat partiake këta njerëz që kanë pranuar të bëjnë të paanëshmin, prandaj dhe paguhen jo keq, tregojnë dhe vendimet e prokurores Manjola Kajana si dhe ai i gjykatëses Tereza Merkaj. Zonja Manjola nuk pranoi të rifillonte  gjykimi për vjedhjen e floririt. Pse? Kishin kaluar 20 vite dhe në 2021 qenë dënuar 5 veta.  Kjo është e vërtetë. Fshatarët kishin hyrë në tunel pasi mjeshtrat e vjedhjes, që kishin patur çelësat origjinalë të portës, qenë larguar. Ata dhe vetëm ata morën arkat me  flori. Pretendimin e kësaj prokurore e hodhi poshtë gjykatësja Floreja Davidhi. Më 30 nëntor 2022 ajo urdhëroi SPAK-un të hetonte pasurinë e zotërinjve Meta dhe Berisha që kishte lidhje me vjedhjen e  këtij thesari në 1997. Përsëri në SPAK u gjend nje gjykatëse që t’u vinte në ndihmë të korruptuarve?! Ajo quhet Tereza Merkaj. Arësyetimi i saj për hapjen e këtij procesi: ajo çështje është gjykuar një herë. Edhe kjo është e vërtetë. Janë gjykuar nga gjykatësit e Berishës 5 vjedhës që morën mbeturinat. Ata që vodhën arkat me 280 kg. dhe që , nga gojët e liga, thuhet se gjurmët të çojnë te çifti Meta-Berisha, nuk u gjykuan?! Dëshmitarë të rëndësishëm nuk u pyetën edhe pse thesari i shtetit u vodh. Ka tre mundësi. Këto juriste të SPAK-ut ose janë të paguara, ose janë të  paafta, ose janë adhuruse partiake të këtyre lidërve. A mund të besojë më populli se këto juriste janë të denja për të dhënë drejtësi aq më tepër në SPAK?!
         Mosveprimi i SPAK-ut për procesin me vulën NON GRATA të dyshes SHBA-ANGLI, që është një pohim i mirëfilltë zyrtar ndërkombëtar, për të gjithë shqiptarët e ndershëm, është një shpërfillje ndaj Washingtonit dhe Londrës zyrtare. Kur të huajt, dhe çfarë të huajsh se, të thotë ky është i korruptuari madhor, ç’të mbetet të presësh më për të filluar hetimin?!  Janë të paguar, po mund të jenë edhe idhtarë të doktorit. Deri kur kanë për të vazhduar juristët e përzgjedhur të SPAK-ut të heshtin? Nuk dihet.  Për të bërë hapa të mëtejshëm drejt procesit të bashkimit me Europën mbase kanë për t’u detyruar të ”çlirohen” nga preferencat për idhujt partiakë. Le të shpresojmë.Për raste të tilla mënçuria popullore thotë: MË MIRË VONË SE KURRË.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button