Mbyllet Samiti i Diasporës- Meta: Krenarë për kontributin dhe përfaqësimin e diasporës
Kontributi dhe përvoja e diasporës, energjia, dashuria për atdheun, mendimet, shkollimi dhe sidomos arritjet e shqiptarëve të diasporës, janë gjithmonë të mirëpritura e të mirëseardhura, deklaroi të dielën Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Në fjalën e tij në mbrëmjen gala të organizuar në mbyllje të Samitit të Diasporës “Të Pandarë për Shqipërinë” që u zhvillua në Tiranë, dedikuar vlerësimit me “Shqiponjën e Artë” të personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në botë, kryeparlamentari Meta tha se është çasti për të shprehur një detyrim ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi organizimin e këtij aktiviteti për herë të parë në vendin tonë, që e ka kthyer Tiranën në qendrën më të madhe të pelegrinazhit kombëtar të mërgimtarëve shqiptarë dhe dashamirësve e miqve të tyre të vërtetë.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për atë që diaspora shqiptare ka bërë, ka arritur e që përfaqëson kudo në botë.
“Ndonëse larg, shpesh shumë larg Shqipërisë, në distancë dhe në histori, ju mundët të ruani në shpirtin dhe në mendjen tuaj origjinën e të parëve tuaj, ndërgjegjen kombëtare dhe kujtesën historike ndaj kombit tonë. Ndaj ne duhet të pohojmë me zë të lartë sot që jemi krenar për ju dhe përfaqësimit tuaj të denjë në botë”, nënvizoi Meta.
Ju, vijoi ai, jeni ambasadorët tanë të përhershëm të politikës, të ekonomisë, të sipërmarrjes, të kulturës dhe të arsimit në botë. “Ne të gjithë duhet të punojmë njëkohësisht edhe me përkushtim për suksesin e përbashkët dhe duhet të ndodhemi pranë njëri-tjetrit, që suksesi të arrihet në një kohë sa më të shpejtë”, theksoi Meta.
Kryeparlamentari Meta tha se “Kosova është sot shtet i pavarur, sovran dhe funksional, i angazhuar në rrugën e pakthyeshme të integrimit në strukturat euroatlantike”. Sipas tij, të gjitha këto, janë arritur edhe në saj të kontributit, angazhimit dhe përkushtimit të pazëvendësueshëm të diasporës sonë.
“Sot është e nevojshme të kemi një regjistër të plotë të diasporës sonë të shoqëruar me një studim gjithëpërfshirës mbi shtrirjen e saj gjeografike, mbi nevojat dhe problemet që ajo përballon, mbi nivelin e integrimit në vendet pritëse dhe sidomos për të marrë masa për ruajtjen e identitetit tonë kulturor, trashëgimisë, të gjuhës, mbi potencialet e diasporës sonë dhe njëkohësisht, për nxitjen e mundësive pjesëmarrëse në zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundoi Meta.