Kronika

Mbyllet tregu tek ish-uzina Dinamo dhe në rrugën “Hamdi Pepa”

treguTask-Forcë: Tregtimi i produkteve në këto zona i rrezikshëm për konsumatorët

Mbyllet tregu tek ish-uzina Dinamo dhe në rrugën “Hamdi Pepa”. Vendimi erdhi pas relacioneve të raportuara dje nga Task-Forcë e ngritur nga prefekti, Sadi Vorpsi dhe Bashkia e Tiranës, ku konstatohen shkelje të rënda të standardeve të tregtimit të produkteve ushqimore. Referuar të dhënave të bëra publike në mbledhjen e djeshme, shkak për mbylljen e dy tregjeve është mungesa e kushteve higjieno-sanitare të tregtimit. Në relacione thuhet se janë konstatuar mangësi të theksuara në struktura dhe të kushteve higjieno-sanitare në tregun e ish-uzinës Dinamo. Ndërkohë që në tregun “Hamdi Pepa”, shumica e objekteve janë kioska shitjeje që nuk plotësojnë as kushtet minimale për tregtimin e produkteve ushqimore. “Nëpërmjet relacioneve të ardhura pranë institucionit të Prefektit të Qarkut të Tiranës, u vu re se nga kontrolli i ushtruar pranë tregjeve të ish-uzinës Dinamo, por edhe në tregun e rrugës ‘Hamdi Pepa’, gjendja është e papranueshme duke sjellë një sërë problematikash për cilësinë e shëndetit të qytetarëve”, – tha prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi.

Ai theksoi se një sipërmarrje e tillë vjen me qëllim vendosjen e standardeve në cilësinë dhe në mënyrën e tregtimit të produkteve ushqimore.

Tregtarët

Por, ndërsa prefekti i Tiranës pohon se kjo nismë vjen në kuadër të politikave për rritjen e sigurisë së tregtimit të produkteve ushqimore në tregje, tregtarët mohojnë, duke lëshuar akuza të forta.Ata theksojnë se ky vendim nuk ka ardhur për shkak të kushteve të tregtimit, por për interesa të tjera, për qëllime ndërtimi. Kjo, sipas tyre, është arsyeja pse po kërkohet me këmbëngulje zhvendosja e tyre në tregun që pozicionohet në autostradë, rrugës për në Rinas. Unioni i Tregtarëve e cilëson të paligjshëm vendimin për të mbyllur tregun te ish-uzina Dinamo, pasi, sipas tyre, kjo shkel të drejtat e tyre duke filluar që nga e drejta e punësimit dhe e tregut të lirë. Në një rrugë pa zgjidhje si kjo, tregtarët paralajmërojnë protesta.

Higjiena

Gazeta “Shqip” ka siguruar raportin e muajit qershor të Drejtorisë së Përgjithshme të Higjienës, ku thuhet se tregjet në kryeqytet nuk e kanë miratimin e Inspektoratit Sanitar, për të ushtruar funksionin e tyre, pasi nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Violeta Kërxhalli, përgjegjëse e këtij sektori, sqaron: “Gjatë kontrolleve të ushtruara nga inspektorët e Higjienës Ushqimore gjatë gjithë vitit në tregjet e hapura ka pasur probleme me kushtet higjieno-sanitare të tyre. Në lidhje me këtë janë lënë procesverbale me detyrë dhe vendim mbylljeje”. Kërxhalli shtoi se janë ushtruar kontrolle edhe me grupe të përbashkëta dhe me inspektorë të AKU-së dhe të Bashkisë së Tiranës. “Janë dërguar edhe informacione në njësitë bashkiake përkatëse, që i kanë në juridiksion, por nuk janë marrë asnjëherë masa dhe se gjendja e tyre është tejet problematike, ende sot”, thekson përgjegjësja e sektorit të Higjienës Ushqimore. Ajo pohon se e kanë ngritur disa herë si shqetësim, por janë autoritete të tjera që vendosin në lidhje me ushtrimin e veprimtarinë së tyre ose jo.

 Ilda Hoxha

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button