McMaster shpreh mbështetjen e fortë amerikane për Kosovën
Këshilltari i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, H. R. McMaster, shprehu mbështetjen e fortë amerikane për Kosovën në një fjalim që mbajti të mërkurën mbrëma në Uashington me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së saj. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kosovën në aspektet e ndryshme që lidhen me forcimin e institucioneve demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër korrupsionit. Ai inkurajoi Kosovën të vazhdojë dialogun me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.
Në një pritje në Uashington me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane solli përshëndetjet e Presidentit Donald Trump:
“Dua t’ju sjell përshëndetjet e Presidentit tonë. Presidenti Trump është shumë krenar për Kosovën, krenar për atë që ju keni arritur dhe shumë krenar për marrëdhëniet tona me Kosovën.”
Gjenerali McMaster tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kosovën në aspektet e ndryshme të përparimit të shoqërisë dhe në angazhoimet e saj ndërkombëtare:
“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju ndërsa ju forconi institucionet demokratike, mbroni të drejtat e njeriut, përballeni me korrupsionin dhe krijoni një shoqëri të përgjegjshme ndaj sundimit të ligjit. Ne do të qëndrojmë me ju ndërsa ju forconi ekonominë dhe pakësoni papunësinë, sidomos mes të rinjve të Kosovës. Ne do të qëndrojmë me ju ndërsa ju mbani angazhimet tuaja ndërkombëtare dhe rigjallëroni dialogun me Serbinë për të kapërcyer një nga kapitujt më të vështirë të historisë dhe të kujtesës.”
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare H.R. McMasters ishte mes një grupi amerikanësh që morën pjesë në ceremoni, mes të cilëve kishte ligjvënës, përfaqësues nga Departamenti i Shtetit dhe zyrtarë të sigurisë kombëtare.
Në Pritje ishte edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj.
Gjenerali McMaster tha se kishte qenë vetë në Kosovë në vitin 1999, si komandant skuadre, në kohën kur sapo kishte mbaruar konflikti.
“Më bëri mjaft përshtypje forca e popullit, i cili sapo kishte dalë nga konflikti, shpirti i tyre pozitiv dhe fakti që ata filluan menjëherë të ndërtonin të ardhmen e tyre. Prandaj, festimi i këtij përvjetori është një privilegj i madh”, tha zoti McMaster.
“Që nga viti 2008, – tha ai, – ju keni mbajtur zgjedhje të drejta dhe të besueshme si dhe e keni shtrirë sistemin tuaj juridik dhe të gjykatave në të gjithë vendin.”
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha se SHBA investuan rreth 24 miliard dollarë për t’u dhënë fund konflikteve në rajon, duke përfshirë 1.8 miliard dollarë në formë ndihme të drejtpërdrejtë për Kosovën.
Ai përmendi marrëveshjen prej 1 miliard dollarësh që Kosova nënshkroi vitin e kaluar me një kompani amerikane për termocentralin. Kjo, tha ai, do të forcojë pavarësinë e vendit, do të zgjidhë kërcënimet e ndotjes dhe i tregon botës se Kosova është e hapur për biznesin.
Zoti McMaster tha se Kosova ka qenë një forcë për paqen dhe begatinë në një rajon që historikisht ka qenë i pllakosur nga konflikti dhe grindjet. Ai shtoi se çdo qytetar i Kosovës duhet të jetë krenar për këto suksese dhe amerikanët janë krenarë gjithashtu.