“Më hoqe mikrofonin”, zbardhet përplasja mes Boçit dhe Maznikut te “Territorialja”
Ndërsa vijojnë seancat e diskutimeve mbi reformën territoriale, mbledhja e radhës u shoqërua me debate të forta dhe përplasje mes palëve.
Pas ditëve me një klimë më të qetë dhe bashkëpunuese, tonet mes Arbjan Maznikut dhe Luçiano Boçit u tensionuan gjatë mbledhjes së fundit, ku u raportua edhe një përplasje verbale në sallë.
Më pas bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi braktisi sallën pasi bashkëkryetari i PS-së, Mazniku, i hoqi mikrofonin duke mos e lejuar të vazhdonte komentin.
Pjesë nga debati:
Boçi: Mund ta mbyll se nuk është etike. Jo të ma heqësh mua mikrofonin…
Mazniku: Kanë folur nga ana e opozitës, nuk ka folur asnjë nga mazhoranca.
Boçi: Nuk është etike që ndërhyn në fjalën time. Tani e tepruat. Nuk po bëj pyetje, po bëj parashtrim.
Unë e kuptoj se fjala pyetje ju axhiton. Ta përfundoj unë.
Mazniku: Nuk mund të vazhdojë kjo histori.
Boçi: Nuk bëhet kjo sfidë në këtë formë se jemi edhe live. Në komision nuk pranoj sfida të tilla. Parashtrimin tim nuk dua të ma ndërpresë kush, asnjë deputeti s’mund t’ia ndërpresim edhe ne dhe jo më të ndërhyjmë ne si bashkëdrejtues. Këtu stop orkestra.
Mazniku: Jepni fjalën.
Boçi: Mos bëj si kalama, ta mbaroj. Ça është kjo ndërhyrje.
Mazniku: Keni dy orë që nuk i jepni fjalën një personi të mazhorancës.
Boçi: Ja mbaje mikrofonin e fute në xhep. Kjo tregon autoritetin tënd.
Mazniku: Mos abuzoni me hapësirën që ju është lënë.
Boçi: Mbaje ta gëzosh.
Në mbledhje mbajtën fjalën e tyre katër kryebashkiakët e qarkut të Beratit, të cilët shprehën qëndrime të ndryshme mbi suksesin e hartës territoriale të vitit 2014.
Kryebashkiaku i Beratit mbajti qëndrim në mbështetje të diskutimeve për funksionimin e reformës, ndërsa kryetarët e Dimalit dhe Skraparit u shprehën më të rezervuar në vlerësimet e tyre.
Në Komision, kritika më e fortë për reformën e vitit 2014 erdhi nga kryetari i Poliçanit, i cili prej 25 vitesh drejton bashkinë dhe ngriti shqetësime për kufizimin e kompetencave të pushtetit vendor.
Ai deklaroi se kufizimi i mandateve dhe mënyra e vendimmarrjes nga parlamenti, sipas tij, cenon rolin e kryetarëve të bashkive dhe krijon pabarazi mes institucioneve lokale dhe qendrore.
“Ne na janë hequr gjithë kompetencat si kryetar bashkie me kufizimin e mandateve. Ju që jeni deputetë që votoni keni të drejtë. Ne që ballafaqohemi çdo ditë me qytetarët s’kemi të drejtë, dhe kjo është shkelje e kushtetutës. Nuk e kam personale. S’mendoj që ndonjë nga kolegët e mi sot e ndien veten kryetar bashkie.”
Ndërkohë, vijojnë raportimet për qarkun Fier dhe Shkodër.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.