Me Iranin, Obama arrin fitoren e madhe diplomatike
Irani dhe fuqitë e mëdha arritën sot një marrëveshje historike që e bën pothuajse të pamundur ndërtimin e një bombe atomike nga Teherani për disa vite, në këmbim të një heqjeje progresive të sanksioneve.
“Jam në fillim të punëve të mia në skenën botërore”, deklaroi Obama gjatë marrjes së çmimit Nobel për Paqe në fillim të mandatit të parë, duke pranuar kundërshtitë e ngjallura nga dhënia e këtij çmimi të papritur.
Rreth gjashtë vite më vonë, ai arrin, në sajë të marrëveshjes me Teheranin për programin bërthamor, një sukses diplomatik dimensional që largon perspektivën për një ndërhyrje ushtarake me pasoja të paparashikueshme në një rajon thellësisht të paqendrueshëm.
Marrëveshja ka sigurisht dhe kundërshtarë, si në SHBA ashtu dhe në skenën ndërkombëtare, nga Izraeli në monarkitë sunite të Gjirit Persik. Ndonëse në javët e ardhshme do të kalojë në etapën delikate të Kongresit, duhet të presim disa vite, shumë kohë pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë për të matur vlerën reale të kësaj marrëveshjeje.
Por presidenti i 44 amerikan mund të shohë legjitimisht kthimin konkret të një prej principeve themelore të politikës së huaj, t’i japë mundësi dialogut, madje edhe me armiqtë e amerikës.
”Duhet të provojmë të gjejmë një ekuilibër mes izolimit dhe bashkëpunimit, presioneve dhe inkurajimeve”, theksoi Obama gjatë marrjes së çmimit Nobel për Paqe në Oslo në dhjetor të vitit 2009 duke nënvizuar se sanksionet pa dorë të shtrirë dhe dënimet pa diskutime ishin të destinuara të dështonin.
35 vjet pas shkëputjes së marrëdhënieve të tyre diplomatike pas Revolucionit islamik dhe pengmarrjes në ambasadën amerikane në Teheran, dy vendet si dhe anëtarë të tjerë të grupit 5+1, ranë dakord për një dokument që parashikon të pengojë Iranin të pajiset me armë bërthamore në këmbim të heqjes së sanksioneve që kanë përkeqësuar ekonominë iraniane.
“Për dekada me radhë, politika jonë ka qenë të përmbajë Iranin, jo për të bashkëpunuar apo punuar për disa çështje, sido qofshin. Ky është një ndryshim themelor”, nënvizoi Aaron David Miller, nga ”Wilson Center”.
Për Trita Parsi, nga qendra e reflektimit ”National Iranian American Council”, marrëveshja e miratuar në Vjenë është në mënyrë të pakontestueshme është pjesa kryesore e bilancit të politikës së huaj të Obamës, që do të lërë Shtëpinë e Bardhë pas 18 muajve.
“Nëse rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kubën, njoftuar disa ditë më parë, është ndoshta më e diskutuara për një numër të madh amerikanësh, kjo marrëveshje me Republikën islamike do të ketë pasoja gjeopolitike pafundësisht të rëndësishme”, theksoi ai.
– ‘Emri im në marrëveshje’ –
Në fund, të gjithë sytë kthehen drejt Kongresit amerikan. Nëse ai nuk është thirrur për të ratifikuar tekstin, ai ka gjithashtu pushtetin ta bllokojë. Në luftën që njoftohet, çdo zë do të numërohet. Nëse të zgjedhurit e Kapitol miratojnë një mocion mosmarrëveshjeje, Obama do të mundet ende të vendosë veton. Por ky i fundit mund të tejkalohet nëse dy e treta e anëtarëve të Konsgresit kundërshtojnë presidentin.
Nëse ai kapërcen pengesën, çfarë vendi do të zërë kjo marrëveshje shumë teknike, e negociuar që prej rreth dy viteve, në librat e historisë?
Disa përmendin afrimin mes SHBA-së dhe Kinës në vitet 1970 nën drejtimin e Richard Nixon, i cili kishte zhvilluar një vizitë historike në Pekin në shkurt të vitit 1972.
“Ne jemi shumë larg një normalizimi të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Iranit”, nënvizon Aaron David Miller, që përmend burime të shumta tensioni në rajon si mbështetja nga Teherani për regjimin e Assadit në Siri, të Hezbollahut në Liban, të hamasit në Rripin e Gazës apo të Huthis në Jemen.
”Mbetet për të mësuar nëse kjo marrëveshje mund të shënojë një transformim më të thellë, fillimin e një dialogu më gjerë mes Uashingtonit dhe Iranit. Historia do ta tregojë, ne nuk e dimë ende”, vijon historiani.
Për Suzanne Maloney nga ”Brookings Institution”, ky zbulim i madh, fryt i vendosjes të një energjie diplomatike të jashtëzakonshme duhet krahasuar me marrëveshjet e arritura gjatë Luftës së Ftohtë, nga Ronald Reagan në mënyrë të veçantë, mbi çarmatimin me Bashkimin Sovjetik.
“Bëhet fjalë për marrëveshje strategjike që kanë mundësuar administrimin e një prej aspekteve më të rrezikshme të një marrëdhënieje mes kundërshtarësh”, nënvizoi ajo.
I vetëdijshëm se kjo qasje nuk ka unanimitet, Obama vendos për momentin të gjithë peshën dhe vendin e tij në histori.
“Emri im do të shkruhet në këtë marrëveshje”, theksoi ai në fund të majit. “Askush nuk ka më shumë interes se sa unë që të garantohet mbajtja e premtimeve”.