Libri

Me Konicën, si Sanço Panço dhe Don Kishoti, rrugëve të Londrës

Raporti i Fan Nolit me Konicën nuk ka qenë thjesht një raport i dy miqve, por mbarte brenda një shqetësim kombëtar. Ata janë projektuesit e parë të mendimit dhe prozës moderne shqipe. Në 134- vjetorin e lindjes së Nolit po botojmë një shënim që ai ka bërë për Konicën…

Nga PESHKOP FAN S. NOLI, PH.D (Doktor në Filozofi) 

Për herë të parë e kam takuar Konicën më 1909. Kjo qe një përvojë që s’do ta harroj kurrë. Ai më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum kombëtar shqiptar. Qëllimi i tij ishte që ta nxirrnin të fotografuar në gazeta dhe kështu të popullarizohej çështja kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i tërë jetës së tij. Unë u zura në befasi. Në atë kohë, si prift ortodoks i stilit të vjetër, unë mbaja një rasë të zezë të gjatë, të cilën fëmijët e Bostonit nuk e vlerësonin shumë. Nuk e përshkruaj dot gëzimin e fëmijëve kur më panë duke shkuar rrugës me një burrë të veshur me fustanellë. Megjithëse deri atëherë nuk kisha parë fustanellë shqiptare, e merrja me mend se do të ishte diçka e ngjashme me fustanella-n greke, me fjalë të tjera diçka si ai fundi që mbajnë balerinat. Unë isha i shkurtër dhe rrondokop, Konica ishte i gjatë dhe i hollë; kështu që dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançon, të ikur nga ndonjë cirk. Sa u çudita kur pashë se fëmijët e Bostonit e harruan farerason time dhe zunë të admirojnë Konicën. Faik KonicaAtëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte ajo fustanella qesharake greke, por diçka e ngjashme me killtin skocez dhe që i rrinte shumë bukur një burri të hijshëm si Konica. Rastësisht lexuesi do të ndeshet në librat e Konicës në vëzhgime për ndryshimin ndërmjet kostumit shqiptar dhe atij grek. Në të vërtetë, grekët e kanë marrë atë nga shqiptarët, por ata u përpoqën ta stërhollojnë dhe e bënë tepër femëror. Kostumi nuk qe gjëja e vetme që më çuditi tek Konica. Unë mbeta pa mend kur filloi të më fliste për gjërat më të ndryshme. Ishte njeri me kulturë të gjerë. Gijom Apolineri (Apollinaire), një shkrimtar frëng mik i Konicës, e quante këtë “një enciklopedi ambulante” dhe që e fliste frëngjishten si një frëng. Një shkrimtar tjetër frëng, Zhyl Lëmetër (Jules Le Maitre) ka shkruar për të “cet étranger qui écrit si bien notre langue” (Ky i huaj që e shkruan aq mirë gjuhën tonë). Si studiues i pasionuar i muzikës, Konica admironte shumë Vagnerin. Ndër punët e para që bëri me mua qe të më njihte me Vagnerin e me muzikën e operave të tij. Me porositë e tij pashë për të parën herë Operën “Parsifal”, kur u luajt në Boston më 1910. Tridhjetë vjet më vonë, në funeralin e Konicës, duke ditur sa shumë e admironte Vagnerin, unë i kërkova organistit që të luante muzikë të Vagnerit nga fillimi deri në fund të funeralit. Ka disa fakte, të cilat shoh se mungojnë në librin e papërfunduar të Konicës, fakte rreth Shqipërisë që i kam dëgjuar nga vetë goja e Konicës. Për shembull Konica flet për krenarinë e malësorëve shqiptarë. Miss Durham, e përforcon këtë thënie në librin e vet “Brenga e Ballkanit”. Kur përshkruan ndarjen e ndihmave në Maqedoni në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të njëzetë, ajo tregon si e rrethonin gratë fshatare ditë e natë për t’i kërkuar ndihma ushqimore dhe veshmbathje. Ato vendoseshin rreth e rrotull shtëpisë së saj dhe nuk pranonin të largoheshin pa marrë ndonjë send. Edhe kur ajo u thoshte se s’kishte çfarë t’u jepte, ato nuk luanin nga vendi. Kur erdhi në Shqipëri, miss Durham priste t’i ngjante edhe këtu e njëjta histori. Për çudi të saj, askush nuk iu afrua t’i kërkonte ndihmë. Konica përmend edhe faktin se miss Durham ishte një admiruese e gruas shqiptare si amvisë. Ajo ishte e mendimit se vetëm amvisa gjermane mund të krahasohej me të për pastërti. Miss Durhami kishte të drejtë. Vetëm pasi viziton banesat e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara, njeriu mund të kuptojë menjëherë ndryshimin në mes të amvisës shqiptare dhe shumë të tjerave fqinje joshqiptare. Një çështje është lënë jashtë nga Konica; shpifja që u bëjnë atyre fqinjët ballkanas dhe italianët, kur i quajnë mizorë dhe të egër. Miss Durham na thotë se kjo nuk është e vërtetë. Ndërsa ajo kishte takuar fshatarë sicilianë që rrihnin pa mëshirë kuajt e gomarët, nuk kishte parë ndonjë shqiptar duke rrahur kafshën e vet. Këtë gjë e kam vënë re unë vetë, kur udhëtoja hipur në kalë nëpër Shqipëri. Kur arrinim te ndonjë kalim i vështirë, duhej të zbrisnim dhe të zotët përdornin fjalë të buta inkurajuese me kafshët, si për shembull: “Jepi vëllaçko! Hajde, bir! Mos u mërzit! Jepi edhe pak!” Një shpifje tjetër, e përhapur nga fqinjët tanë, është ajo që i akuzon shqiptarët si njerëz që nuk respektojnë ligjin. Në të vërtetë është e kundërta. Shqiptarët e respektojnë ligjin më shumë se çdo fqinj i tyre. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat që jepen nga qendrat e policisë në ato qytete ku banojnë shqiptarë. Përvoja e gjatë më ka bindur se shqiptarët e respektojnë ligjin në Shqipëri, po ashtu si dhe në Shtetet e Bashkuara. Por kur fqinjët e Shqipërisë duan të cenojnë integritetin e këtij vendi, atëherë fillojnë t’i akuzojnë shqiptarët si njerëz që nuk njohin ligjet. Kur përshkruan bukuritë natyrore të Shqipërisë, Konica përmend shumë turistë të huaj që e kanë admiruar këtë vend. Një emër që s’e ka kujtuar është romancieri, dramaturgu dhe kritiku frëng me famë Romen Rolan (Romain Rolland), i cili në një libër të vet bën fjalë për “kodrat e bukura të Shqipërisë”. Unë vetë i kam admiruar ato nga maja e malit të Tomorit dhe nga kështjella e Krujës, kryeqyteti i vjetër i Skënderbeut. Kurrë ndonjëherë s’kam parë gjë më të bukur në jetën time. Shumë gjëra mund t’i shtoheshin kapitullit të Konicës për cilësitë luftarake të shqiptarëve. Për shembull, mjeshtëria e shqiptarëve si kalorës, ishte bërë proverbiale në mbarë Europën pas vdekjes së Skënderbeut. Mbretërit më të fuqishëm të Italisë, të Francës dhe të Britanisë së Madhe, e kishin zakon të rekrutonin shqiptarë për kalorësinë e lehtë të ushtrive të tyre. Vetë Konica më tregonte se në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, kur një francez donte të lavdëronte një kalorës, i thoshte: “il chevauche comme un albanais” (i rri kalit si shqiptar). Kemi shumë dokumente që bëjnë fjalë për mjeshtërinë e shqiptarëve si kalorës dhe tregojnë si e shpëtoi Skënderbeu mbretërinë e Napolit me kalorësinë e vet të lehtë. Sipas dëshmive të historianëve bashkëkohës, Ferdinandi e humbi luftën, kur e braktisën feudalët, të cilët u bashkuan me Rene d’ Anzhunë (d’ Anjou), rivalin e tij francez dhe pretenduesin për fronin e Napolit. Dihet mirë se ushtritë mercenare të Rilindjes nuk zhvillonin ndonjëherë luftë të vërtetë në mes tyre. Ata nuk i shqetësonte lavdia ushtarake, por rroga që merrnin. Zakonisht krijohej një komision, me përfaqësues nga të dy palët kundërshtare, që vendoste kujt i duhej dhënë fitorja. Për shembull, kur njëra nga ushtritë ndërluftuese ishte shumë më e madhe në numër, shpallej fituese pa e çuar punën më gjatë. Në rastin kur të dy ushtritë ishin të barabarta si numër dhe komisioni nuk e përcaktonte dot fitimtarin, atëherë organizohej një luftim përfaqe (fiktiv), në të cilin nuk vritej njeri, me përjashtim të ndonjë rasti aksidental. Manovra vazhdonte aq kohë sa i duhej komisionit për të marrë një vendim. Diçka e tillë pat ngjarë edhe atëherë kur Skënderbeu u hodh në Itali me kalorësit e vet të lehtë. Komandantët e ushtrive ndërluftuese, konti Piçinino dhe Skënderbeu organizuan një luftim të tillë sa për faqe, në mënyrë të atillë që të kuptohej cila ushtri kishte më tepër shans të fitonte luftën. Dy detashmente të zgjedhura nga ushtritë shqiptare dhe italiane u rreshtuan në fushë të betejës për të treguar para të gjithëve aftësinë e tyre si kalorës dhe si luftëtarë trima. Shqiptarët e fituan garën e me aq puna mori fund. Italianët asnjëherë tjetër nuk i dolën më përballë epërsisë së kalorësisë shqiptare. Natyrisht, me turqit ishin punët ndryshe. Me ata Skënderbeut iu desh të bënte luftëra të vërteta dhe të korrte fitore reale. Turqit nuk i trembeshin përballimit të forcës. Skënderbeu ka qenë, pa dyshim, një komandant i madh dhe meriton të çmohet lart për kryqëzatën e tij heroike kundër turqve, por s’duhet harruar se edhe ushtarët e tij kanë pjesë në këto merita. Kryengritja shqiptare e viteve 1910-1912 kundër turqve ka treguar se luftëtarët e çetave shqiptare e kishin ruajtur guximin dhe trimërinë e kohës së Skënderbeut. Ata i mundën turqit pa ndihmën e askujt, marshuan deri në Selanik dhe e detyruan qeverinë turke t’u jepte autonominë. Disa muaj më vonë u desh bashkimi i të gjitha shteteve ballkanike për të mundur po ata turq. Në vitin 1920 u përsërit edhe një herë e njëjta histori. Shqipërinë e kërcënonte copëtimi. Italianët kishin pushtuar Vlorën me rrethinat e saj jugore deri poshtë në Gjirokastër. Fqinjët e tjerë kërkonin dhe ata pjesën e tyre, duke u mbështetur në traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Vetëm një zë u ngrit atëherë për të protestuar, zëri i presidentit Vilson. Kaq mjaftonte për të ngritur peshë kombin. Të parët u ngritën malësorët shqiptarë të bregdetit jugor. Atyre u vajtën pas të tjerët. Brenda pak muajve italianët u hodhën në det dhe u detyruan të lëshonin Vlorën me rrethinat e saj. Njëzet vjet më vonë, në vitin 1940, grekët, megjithëse shtatë herë më të shumtë në numër, nuk e përsëritën dot këtë veprim. E pra ata ishin të ndihmuar nga flota detare britanike, e cila i pengonte italianët në dërgimin e përforcimeve.

Tani pak fjalë në lidhje me vendin që zë Konica në historinë e re të Shqipërisë. Si mysliman dhe me prejardhje nga një familje e vjetër aristokrate e Shqipërisë së Jugut, Konica i kishte të gjitha rrugët e hapura për të zënë pozitat më të larta në Perandorinë Osmane, ku Shqipëria bënte pjesë që nga vdekja e Skënderbeut. Për shembull, në kohën kur Konica ishte ende i ri, vezir i madh ose kryeministër ishte Ferid Pashai, një shqiptar nga Vlora. Por kjo rrugë për të bërë karrierë nuk e tërhiqte Konicën. Ai mendonte se misioni i tij ishte të luftonte për pavarësinë e Shqipërisë.

Nga viti 1897 deri më 1912, dy ndër pionierët kryesorë të pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja, botues të dy revistave shqiptare që dilnin jashtë vendit, “Albania” dhe “Drita”.

Gjatë sundimit otoman, shqiptarët kishin harruar çdo gjë nga e kaluara e tyre e lavdishme e kohës së Skënderbeut. Konica qe ai që rizbuloi dhe popullarizoi Skënderbeun dhe flamurin e tij, shqipen e zezë dykrenare mbi një sfond të kuq. Ky flamur u bë simboli i pavarësisë kombëtare dhe u ngrit më në fund në Vlorë më 1912 nga Ismail Qemali, kur Shqipëria u shpall shtet i pavarur.

Konica mund të quhet si krijues i prozës moderne shqiptare. Kur unë vendosa të përqafoj kryqëzatën për pavarësinë e Shqipërisë, gjëja e parë që më ra në sy qe mungesa e plotë e veprave artistike në letërsinë shqiptare. Por kur shkova në Egjipt më 1903, Spiro Dine, një patriot shqiptar, më dha të lexoja numrat e revistës “Albania” të Konicës, nga viti 1897 deri më 1903. I lexova ato nga fillimi deri në fund dhe atëherë e kuptova se me shkrimet e Konicës e kishim atë që na nevojitej, domethënë një letërsi të mirë shqipe. Për më tepër Konica zbuloi dhe popullarizoi letrarë shqiptarë të tillë si Kristoforidhi, Mitko, Fishta dhe Zako (Çajupi F.L.). Me porositë dhe nën drejtimin e tij unë përktheva disa vepra të Shekspirit, të Ibsenit, të Edgar Allan Poe-s dhe “Don Kishotin” e Servantesit. Të gjithë autorët që erdhën pas Konicës janë pinjojtë e tij, duke përfshirë dhe atë që shkroi këta rreshta.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button