Ekonomia

Më lehtë të gjejmë borxh se sa ta përdorim

Ecuria historike e detyrimeve të jashtme na tregon se qeveritë shqiptare e kanë pasur më të lehtë të gjejnë borxhin se sa ta përdorin atë.

Në totalin e borxhit të jashtëm prej më shumë se 3.5 miliardë eurosh, rreth 26% e tij është ende i patërhequr. Ministria e Financave referoi se në fund të tremujorit të tretë, shuma e nënshkruar e borxhit, por e patërhequr është mbi 954 milionë euro. Kjo shifër, vitin e kaluar, ka qenë edhe më e lartë, por disbursimet e këtij viti e kanë ulur atë me 10%.

Qeveritë mike të Shqipërisë, por edhe institucionet financiare ndërkombëtare ndjekin procedura strikte për disbursimin e huave të tyre, duke bërë që një pjesë të mos angazhohen sipas parashikimeve fillestare.

Qeveria shqiptare, nga ana saj, ka pranuar disa herë vështirësitë që kanë kontraktimi i fondeve të marra nëpërmjet borxhit të jashtëm. Këto defekte reflektohen më së shumti në ecurinë e shpenzimeve kapitale të cilave më së shumti u dedikohet ky borxh.

Shpenzimet kapitale me financim të jashtëm për 6-mujorin e parë të vitit 2016 u realizuan vetëm në 30% të planifikimit të periudhës. Ky mosrealizim i investimeve të huaja në nivelet e kërkuara, në raport me planin për programet në periudhën afatmesme, ka ndodhur për shkaqe të ndryshme si, shtyrja e afatit të realizimit nga procesi i prokurimit, apo edhe nga vonesat në paraqitjen e dokumentacionit teknik e financiar për lëvrimin e fondeve, ka arsyetuar Ministria e Financave.

Huatë e jashtme, 48% me interes fiks

Borxhi i jashtëm shtetëror përbëhet në masën 86.6% nga instrumente të patregtueshme, si kreditë e projekteve për zhvillim, mbështetja buxhetore dhe kredia pjesërisht e garantuar nga Banka Botërore (PBG). Pjesa e mbetur prej 13.4% përbëhet nga instrumente të tregtueshme në tregjet ndërkombëtare, të tipit Eurobond dhe i maturuar në instrumente afatgjata.

Ndërkohë, borxhi i jashtëm përbëhet në masën 48.1% nga norma interesi fikse dhe 47.9% nga norma interesi koncesionare.

Kosto mesatare e borxhit të jashtëm gjatë viteve të fundit ka qenë më e qëndrueshme duke u luhatur maksimalisht me 10 pikë përqindje. Përjashtim bën viti 2015, gjatë të cilit kosto mesatare e borxhit të jashtëm është rritur me 29 pikë përqindje, kryesisht për shkak të rritjes së peshës së borxhit të kontraktuar me terma tregtare (jo koncesionare).

Stoku i borxhit shtetëror në monedhë të huaj është rritur nga 43.1% e totalit në vitin 2014 në 48.6% në vitin 2015, duke sjellë një rritje të moderuar të ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.

Rritja e nivelit të borxhit në monedhë të huaj ka ardhur kryesisht nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të likuidimit të detyrimeve të prapambetura, garancia pjesore e Bankës Botërore (PBG) dhe Eurobondi. Shtesa prej 3.6% e financimit të huaj mbi objektivin është bërë në kuadër të kostove të favorshme që kanë rezultuar në tregun e jashtëm gjatë emetimit të Eurobond-it, në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të presionit të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit dhe rrezikut të normave të interesit.

Rreth 70.0% e portofolit në monedhë të huaj përbëhet nga monedha Euro, duke e bërë këtë portofol jo shumë të diversifikuar.

Megjithatë, pesha e lartë e portofolit në monedhën Euro është në përputhje me objektivat strategjikë dhe me aspiratat e vendit për t’u integruar në një të ardhme të afërt në Bashkimin Europian. Nga ana tjetër, ekspozimi i lartë ndaj kësaj monedhe nuk ka përbërë shqetësim pasi gjatë viteve të fundit, monedha Euro nuk ka qenë shumë stabile në raport me monedhën vendase, për shkak të marrëdhënieve ekonomike me vendet e BE-së.

Gjatë katër viteve të fundit, maksimumi i luhatjes së kursit të këmbimit EUR/LEK ka qenë 1.4%. Ndërkohë, monedha vendase ka pasur luhatje që arrijnë deri në 6.0% kundrejt monedhës USD, që është edhe monedha e dytë më e rëndësishme për sa i përket peshës në portofolin e borxhit. Gjatë viteve të fundit, kostot nga ndryshimet në kursin e këmbimit kanë qenë të moderuara. Kontribut në këtë aspekt ka lëvizja në kah të kundërt e monedhës EUR dhe USD, si dhe fakti që shumica e ripagesave të instrumenteve të borxhit të huaj janë të shpërndara gjatë në kohë dhe ripaguhen në disa këste

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button