Më shumë bashkëpunim në rajonin e Mesdheut për të luftuar terrorizmin
Pas një pauze të gjatë BE kërkon sërish bashkëpunim intensiv me vendet në bregun jugor të Mesdheut. Në rradhë të parë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit.
“Mesdheu i bashkon shtetet dhe nuk i ndan”, tha kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy në hapje të takimit të ministrave të Jashtëm të Bashkimit për Mesdheun të hënën në Barcelonë. Kjo vlen të thuhet edhe në lidhje me shtimin e vazhdueshëm të numrit të refugjatëve dhe për sulmet e milicëve terroristë të “Shtetit Islamik” (IS), të cilin kreu i qeverisë spanjolle e cilësoi si “kërcënimin më të madh për BE”. Ai kujtoi se disa ditë më parë policia spanjolle zbuloi në Barcelonë një celulë terroristësh, të cilët kishin planifikuar një sulm ndaj një librarie hebreje dhe rrëmbimin e një menaxheri. Drejtësia spanjolle dyshon për lidhje me xhihadistët.
Takimi i parë i përfaqësuesve të lartë të Unionit të Mesdheut që prej themelimit në vitin 2008 ishte një iniciativë e Spanjës dhe Italisë. Ata e konsiderojnë të domosdoshme një kundërpeshë ndaj politikës BE ndaj fqinjëve lindorë, që për shkak të krizës në Ukrainë tërheq ndërkohë të gjithë vemendjen edhe një pjesë të madhe të fondeve.
Politikë jo koherente
Tetë shtete, që nga Egjipti në Lindje deri në Marok në perëndim, bëjnë pjesë ndërkohë në Grupin e shteteve bregdetare të Mesdheut, me të cilat BE donte të kishte në fakt kontakte intensive në kuadrin e të ashtuquajturit Union i Mesdheut. Por iniciativa ngeci. Kontaktet ishin të veçuara dhe josistematike, evropianët nuk arritën të formulonin një politikë koherente.
Takimi aktual është një përpjekje e re. Në të mungoi Siria, për shkak të sanksioneve të BE kundër regjimit të Asadit. As Libia nuk ishte e përfaqësuar, sepse nuk ka një qeveri qendrore të aftë për veprim. Kështu edhe shpërberja e shtetit të Libisë, avancimi i milicëve të IS dhe kërcënimi, që ato përbëjnë për vendet fqinje dhe për BE, ishin në rend të ditës në Barcelonë. Megjithatë deri tani nuk ka konsens tek evropianët se në ç’ masë duan të përfshihen konkretisht në vendngjarje.
Bashkëpunim kundër “eksportit të terrorizmit”
“Ne kemi një krizë akute në prag”, tha shefja e politikës së jashtme evropiane Federica Mogherini në lidhje me rritjen e vazhdueshme të numrit të refugjatëve. Këtë fundjavë janë gjetur sërish nëntë refugjatë të vdekur para bregdetit të Libisë. Në të njëjtën kohë autoritetet italiane njoftuan, se vetëm në tri ditët e fundit kanë shpëtuar në det 5.600 refugjatë. Të hënën u kapën anije të tjera në Mesdhe.
Që nga pranvera BE diskuton se si mund të sigurohen më mirë kufijtë me Libinë. Përveç kësaj BE do të përmirësojë bashkëpunimin kundër “eksportit të terrorizmit”. Sulmet terroriste në Paris dhe Tunis, si dhe sulmet në Egjipt dhe në Tripoli të dielën, treguan se sa e rëndësishme është kjo. “Të gjitha vendet e rajonit janë të konfrontuara me situatën e paqëndrueshme”, tha Mogherini. Vendeve partnere u duhet dhënë mundësia për të mbrojtur interesat e tyre. “Ownership” është parulla e re e të ngarkuarës për politikën e jashtme të BE. Vendet afrikanoveriore duhet ta kuptojnë bashkëpunimin si dhënie dhe marrje.
Interesa të ndryshme
“Interesi ynë është që krizat të mos shtrihen edhe më gjerë në Evropë”, tha ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Interesi i vendeve mesdhetare qëndron në bashkëpunimin e mëtejshëm ekonomik, ndihmën në trajnimin e të rinjve dhe projekte të tilla të ngjashme. Ai vuri gjithashtu në dukje, se është fjala për fqinjë shumë të ndryshëm, Disa vende fundosen në luftë, krizë dhe kaos, në vende të tjera si Maroku dhe Tunizia zhvillimi është inkurajues. Në këtë kontekst Steinmeier e quajti Tunizinë një fanar. Megjithatë situata edhe atje është ende e brishtë. Vendi ka nevojë për më shumë mbështetje. Rreth 1,3 miliardë euro nga fondet e ndihmës evropiane dhe gjermane kanë shkuar në këtë vend të tre vitet e fundit.
Por interesat e vendeve fqinje janë shumë të ndryshme. Egjipti pretendon të ketë rolin e një zëdhënësi, gjë që u pëlqen më pak të tjerëve. Përveç kësaj Kairo dëshiron një bashkëpunim me BE pa kushte, pra pa folur për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe tema të ngjashme. Algjeria nga ana tjetër, si fuqi më e fortë rajonale në skajin perëndimor të Afrikës së Veriut, ka një interes të veçantë për bashkëpunimin energjetik, furnizimet me gaz edhe përtej Spanjës. Me ushtrinë e saj të fortë dhe me një shërbim të fshehtë të armatosur mirë vendi është mometalisht më në gjendje për të kapur luftëtarët e IS, që hyjnë përmes kufijve nga Libia.
Muajin e ardhshëm Ministria e Jashtme në Berlin do të mbajë një takim tjetër në nivel operativ me shtetet në brigjet e Mesdheut. Dhe e ngarkuara e BE premtoi, se do të thërrasë një herë në vit takimin e madh të ministrave të jashtëm, për të zgjeruar dhe ruajtur fqinjësinë me vendet në skajin jugor të Mesdheut.