Mediu: Reforma zgjedhore, më e rëndësishme se ajo në drejtësi
Në një takim me strukturat drejtuese të Partisë Republikane për qytetin e Tiranës, kryetari Fatmir Mediu ka folur për gjendjen, sipas tij, alarmante në vend.
Gjatë fjalës së tij Mediu nuk është referuar vetëm tek varfëria e thellë dhe mungesa e zhvillimit ekonomik, por tek mazhoranca dhe qeveria, të cilat sipas tij janë bërë një trup në rrugën e tyre të pandalshme të paligjshmërisë, korrupsionit dhe kriminalizimit të politikës.
“Skandalet e përditshme nuk janë rastësore, por të qëllimshme. Mungesa e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, deri në ekstremin e kontrollit të politikës, shtetit dhe qytetarëve tregon se qëllimi është vetëm një: pushteti dhe vetëm pushteti me çdo kusht! Ky pushtet absolut krijon vetëm korrupsion absolut”, ka thënë Mediu.
Ai ka vlerësuar se, opozita po bën një punë këmbëngulëse dhe serioze që reforma në drejtësi të garantojë një pushtet gjyqësor të pavarur e jo të kontrolluar politikisht.
“Tashmë opozita ka pranuar propozimet e faktorit ndërkombëtar për çështjet e pazgjidhura politike dhe i takon mazhorancës të japë mirëkuptimin e saj”, ka vijuar Mediu.
Por për kreun e republikanëve ka edhe diçka më jetike, reforma elektorale, e cila në vlerësimin e tij është e rëndësishme jo vetëm për opozitën, por për çdo qytetar.
“Manipulimi i zgjedhjeve lokale tregon qartë se pa këtë reformë nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka thënë Mediu. Për këtë arsye, ka shtuar ai, PR ka propozuar:
Identifikim, votim dhe numërim elektronik;
Heqjen e mandateve dhe zëvendësimin e deputetëve që ndërrojnë krahun politik;
Votimi me lista te hapura që të kemi një Parlament të votuesve dhe jo të drejtuesve të partive;
Financim i fushatës nga buxheti duke shkurtuar shpenzimet e saj;
Një rregullim i drejtë dhe proporcional në media;
Ndryshimet ligjore të nevojshme bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR.
“Organizimi dhe drejtimi i ri politik i PR-së në Tiranë është një mundësi për një sukses elektoral në zgjedhjet parlamentare”, ka shtuar Mediu.