Mënyrat më të mira që stresin ta përdorni pozitivisht
Ne të gjithë përballemi me stresin në një çast ose në një tjetër. Por a e keni menduar ndonjëherë që mund ta ktheni stresin në favorin tuaj? A nuk do të ishte diçka e mrekullueshme të përmbushnit me sukses të gjitha sfidat stresuese që ju sjell jeta duke e përdorur stresin si një nxitje?
Stresi vjen në forma të ndryshme. Ndonjëherë është i pakët, si për shembull mund të vij nga shfryrja e gomës së makinës ose vonesa për në punë. Herë të tjera është më i madh dhe shkaktohet nga ngjarje që ju ndryshojnë jetën si për shembull vdekja e një të afërmi, divorci apo një humbje e madhe personale. Megjithatë, gjëja më e mirë që mund të bëni është të mos e mendoni gjatë e gjerë, por të ndryshoni mënyrën se si përballeni me stresin dhe të ecni përpara. Ja se si mund ta ktheni stresin në mikun tuaj më të mirë:
- Shkëputuni nga rutina
Gjithçka në jetën tonë duket se na mban të lidhur ose na pengon për të arritur diku. Nëse jeni i stresuar, gjithçka që ju duhet të bëni është të shkëputeni nga rutina e përditshme dhe të jetoni jetën. Dilni nga shtëpia për një ditë, por mos e merrni celularin tuaj, mos e kontrolloni email-in. Jepini vetes një çast pushimi dhe shihni se si kjo mund të bëjë mrekulli në jetën tuaj. Shkëputja nga rutina e aktiviteteve të përditshme mund t’ju japë një karikim të baterive dhe t’ju kthejë sërish te vetja.
- Ndani kënaqësinë dhe problemet
Stresi mund t’ju bëjë të ndiheni të dobët. Nëse ndiheni shumë të zënë në grackë prej tij, duhet të diskutoni për këtë gjë. Mund ta diskutoni me partnerin tuaj, prindërit, shefin ose këdo që ju bën të ndiheni mirë. Ndarja e problemit me të tjerët e përgjysmon barrën e tij. Diskutimi me miqtë e ngushtë do t’ju ndihmojë në motivimin dhe do të gjenerojë ide se si të ecni përpara. Gjithashtu do ta qartësojë problemin tuaj dhe do të hapë dyert për mundës të tjera që mund të mos i keni vënë re.
- Flini mirë
Që të ruani shëndetin tuaj fizik dhe mendor, duhet të bëni gjumë të mirë. Sigurohuni që të pushoni për të paktën 8 orë në ditë në mënyrë që të merrni kohë për reflektim dhe qetësi. Nuk ka nevojë të nxitoni. Një gjumë i konsiderueshëm do t’ju pastrojë nga mendimet negative që ju kanë shqetësuar.
- Jini në lëvizje
Qëndrimi shtrirë ndërkohë që jeni të stresuar do t’ju bëjë të ndiheni më keq. Duhet të çoheni dhe të jeni në lëvizje në mënyrë që të pakësoni nivelin e stresit dhe të ruani qetësinë. Krijoni një rutinë ditore lëvizjeje ose shkoni në palestër. Duhet ta nxisni veten në mënyrë që të arrini atë që dëshironi.
- Përqendrohuni
Stresi ju merr energjinë dhe shkatërron dëshirën tuaj për të punuar. Gjithçka që duhet të bëni është të përqendroheni në aspektet e ndryshme të problemit tuaj dhe të merrni kohën e nevojshme për ta zgjidhur atë. Nëse stresi ju fut në telashe, mendoni rreth jetës suaj ndryshe dhe gjeni mënyra të tjera se si të përballeni me të.
Përqendrohuni në çështjet e ndryshme nëpër të cilat po kaloni, bëni një listë dhe filloni të gjeni mënyrat e duhura si t’i zgjidhni ato.
- Pranoni faktin që disa gjëra nuk ndryshohen
Është më mirë të pranoni atë që tashmë dihet: nuk ka mënyrë për ta ndryshuar të shkuarën. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të pranoni faktin se gjithçka ndodh për një arsye dhe se disa gjëra nuk mund të ndryshohen. Mësoni të mos e çoni më dëm kohën dhe energjitë duke u përqendruar te gabimet e së shkuarës. Çfarë ka kaluar nuk kthehet më, ndaj filloni të jetoni me të dhe kërkoni mundësi të reja në jetë.
- Jini optimistë
Fiksimi te gabimet tuaja dhe ndjesa e fajit gjatë gjithë kohës krijon energji negative që mund të dëmtojnë shumë besimin tuaj te vetja. Nëse jeni të stresuar për shkak të gabimeve që keni bërë, nuk duhet të ndiheni të zemëruar. Kërkoni ndihmë për gjërat që nuk i zgjidhni dot vetë. Gjithashtu jini optimistë dhe përpiquni të lini mënjanë ndjenjat negative. Mësoni aftësi të reja dhe bëni gjëra që ju bëjnë të lumtur.
- Krijoni një perspektivë të re
Stresi mund t’ju ndihmojë ta shihni jetën ndryshe. Për shembull, nëse keni kaluar nëpër një divorc dhe jeni të stresuar nga vetmia, shkoni nëpër festa, bëni miq të rinj dhe përpiquni të gjeni njerëz me të cilët mund ta shijoni jetën. Ndoshta ju dhe partneri/ja juaj i/e mëparshëm/e nuk ka qenë e thënë të jeni bashkë. Suksesi fillon duke i parë gjërat ndryshe.
*Burimi: Life Hack.