Merkel: Pranojmë vetëm refugjatë. Kush kërkon punë do të kthehet
Përpara Parlamentit gjerman, Bundestag, Angela Merkel pohoi se refugjatët, që nuk u largohen luftës apo persekutimit, por synojnë ekonominë më të madhe të Europës me shpresën e një jete më të mirë, do të kthehen mbrapsht.
Kancelarja foli për emergjencën e krijuar së fundi, e me tone pragmatike – siç bën zakonisht, – kujtoi se ata, të cilëve iu njihet e drejta e azilit e që kanë vërtet nevojë për ndihmë, duhen integruar me shpejtësi në Gjermani, duhet të mësojnë gjuhën gjermane e të gjejnë një vend pune.
Por, një shtet që mirëpret kaq shumë njerëz nuk mund të mos tregojë, se ka edhe rregullat e tij. Për shoqërinë paralele – sipas Merkelit, – nuk do të ketë tolerancë.
“Ata që nuk i largohen persekutimit politik, që nuk u largohen konflikteve të armatosura, por vijnë te ne të shtyrë nga nevoja ekonomike, nuk do të mund të qëndrojnë në Gjermani”, tha Merkel.
Kancelarja gjermane i mëshoi sërish idesë se, blloku europian duhet të jetë i bashkuar përballë sfidës së pranimit të refugjatëve. Dhe një qasje unike – sipas saj, – do të ishte më e prekshme, nëse Gjermania tregon “guxim” dhe “drejton rrugën”.
“Nëse Europa dështon me këtë krizë, atëherë ajo do të tradhtojë parimet, mbi të cilat mbështetet. Kjo nuk është një sfidë në nivel kombëtar, është një dorashkë që i hidhet bllokut në tërësinë e tij. Thjesht duhet të tregohemi këmbëngulës e të kapërcejmë pengesat, për një bashkëjetesë paqësore”, tha Merkel.
Kancelarja shtoi më pas se, për sistemin e emigantëve, Qeveria gjermane do të dalë me një plan masash deri në tetor. Fjalimi i saj në Bundestag koinçidoi me fjalën e mbajtur nga Jean-Claude Juncker në Bruksel, ku në fokus ishte po ashtu ngërçi i krijuar prej vërshimit të mijëra refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.