Kronika

Merrte para për të favorizuar kriminelët/ Arrestohet kryeprokurori i Kukësit, Edmond Karriqi. Kush është ai?

Kryeprokurori i Kukësit, Edmond Karriqi është arrestuar ditën e sotme në qytetin e Kavajës për korrupsion, pasi hetimeve nga SPAK. Bashkë me të  është vënë në pranga edhe shoferi i prokurorit, Isuf Gega dhe dy të tjerë që u janë bërë publike vetëm inicialet D.D. dhe E.B. Ai ka përfituar para në këmbim të favorizimit të personave të përfshirë në krime që kanë qenë nën hetim në Gjykatën e Kukësit. Sipas njoftimit të SPAK, atij i është dhënë masa “Arrest me burg” bashkë me Gegën dhe dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar me të.
“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qënë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës” – thuhet në dokumentin e SPAK.

Hetimet janë në vijim dhe ende nuk kanë përfunduar. Karriqi hetoi çështjen e artistes shqiptare, Fjolla Morina pasi ajo u kap me armë në makinë ndërsa tentoi të kalonte doganën e Morinës bashkë me dy persona të tjerë mes tyre bashkëshorti i saj aktual. Ai u vendos 3 muaj më parë në krye të prokurorisë së Kukësit pas shkarkimit nga KPK të Rita Gjatit, që nuk e kaloi dot Vettingun.

NJOFTIMI I SPAK:

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të proçedimit penal nr.49/1 viti 2021, që bën fjalë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë proçedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qënë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij proçedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.46, datë 30.06.2021 18 Gjykatës Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur. Caktimi ndaj shtetasit Edmond Kariqi të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest me burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve te tjere te drejtesise” te parashikuar nga neni 319/ i Kodit Penal.

Caktimi ndaj shtetasve Isuf Gega, D.D dhe E.B të masës së sigurimit personale shtërnguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjere te drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 30.06.2021 masën e sigurimit personale të vendosur ndaj shtetasve Edmond Kariqi dhe Isuf Gega. Hetimet paraprake për këtë proçedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar”.

Po kush është Edmond Karriqi dhe si u ngjit në krye të Prokurorisë së Kukësit?

Karriqi ka një karrierë të gjatë në organin e akuzës. Ai ka punuar në Prokurorinë e Durrësit, Kavajës, Kurbinit, Lushnjes dhe Kukësit. Në vitin 2010, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme i propozoi Ina Ramës, në atë kohë kryeprokurore, ndëshkimin e prokurorit Edmond Karriqi për shkelje të kryera në fund të vitit 2019, kur ishte pjesë e Prokurorisë së Durrësit. Propozimi për ndëshkimin e prokurorit me vërejtje me paralajmërim u bazua në një raport të Drejtorisë së Inspektimit pas një kontrolli disamujor të dosjeve në Prokurorinë e Durrësit, ku gjeti shkelje. Megjithatë, nuk ka të dhëna nëse propozimi për ndëshkimin e prokurorit është pranuar apo rrëzuar, por në vitin 2012, Ministria e Drejtësisë akuzoi Prokurorinë e Përgjithshme se nuk kishte ndëshkuar 59 prokurorë me shkelje.

Në tetor në vitit 2017, Edmond Karriqi mori në dorë një dosje të ish-drejtorit të Aeroportin e Kukësit, Agron Xhafa, më pas kandidat për deputet i LSI-së, i cili kishte punësuar rreth 40 persona në Aeroportin e Kukësit, të cilët merrnin rrogën pa u paraqitur asnjë ditë në punë. Xhafa mbante postin e drejtorit nga janari i 2017 deri në momenti që u vu në listën për deputet në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Prokurorja Rita Gjati e kishte dërguar dosjen në gjykatë, duke kërkuar ndëshkimin e drejtorit të Ilir Metës dhe ish-drejtorit Arben Carkanji. Burime të sigurta për Shqiptarja.com kanë bërë me dije se ndaj prokurores Rita Gjati është ushtruar presion i madh për mbylljen e dosjes flagrante, por prokuroja nuk u tërhoq, duke e çuar çështjen në gjykatë. Për këtë dosje, Rita Gjati u ndëshkuar më pas nga Adriatik Llalla, duke e transferuar në Tropojë. Prokurori që e zëvendësoi, Edmond Karriqi, befas tërhoqi dosjen nga gjykata, pas dy seancash gjyqësore më 5 dhe 16 tetor 2017. Më pas Karriqi mbylli dosjen.

Megjithatë, në 27 shtator 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi të caktonte në mënyrë të përkohshme Edmond Karriqit në krye të Prokurorisë së Kukësit. Në 27 prill 2021, Karriqi, nga prokuror në Kukës, caktohet në Prokurorinë e Lushnjës.

Në 18 qershor 2021, pra 12 ditë më parë, KLP-ja vendosi të caktojë sërish Edmond Karriqin përkohësisht në krye të Prokurorisë së Kukësit. Arsyeja se pse KLP-ja nuk e ka emëruar Karriqin përkohësisht dhe jo përfundimisht në krye të Prokurorisë së Kukësit, ka të bëjë procesin e Vetingut. Prokurori i Arrestuar nuk e ka kaluar procesin e Vetingut. Verifikimet për veprimtarinë dhe pasurinë e tij kanë nisur që në dhjetor të vitit 2019, por ende nuk ishte caktuar një datë për seancën dëgjimore, për t’u njohur me dosjen.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button