MERS, shënohet viktima e parë në Europë. A duhet ta kemi frikë këtë virus?
Sindroma respiratore e Lindjes së Mesme, MERS, u ka shkaktuar vdekjen 19 personave në Korenë e Jugut. Prej tij, ka vdekur edhe një shtetas gjerman. Situata shpjegohet nga një eksperte italiane
Autoritetet gjermane kanë konfirmuar se një burrë i moshës 65 vjeç ka vdekur në Gjermani prej komplikacioneve të sindromës respiratore të Lindjes së Mesme (MERS), një virus shumë i keq dhe vdekjeprurës, i identifikuar për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012. Duket se personi në fjalë është prekur nga ky virus në muajin shkurt të këtij viti gjatë një vizite në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa ai ka vdekur në qytetin e tij, Ostercappeln (Nord Reno Westfalia).
19 vdekje, ai në Gjermani mbase ka ndodhur prej komplikacioneve
Lajmi i konfirmuar nga autoritetet gjermane të ngjall paksa frikën. Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetit thonë se numri i të vdekurve ka arritur në 19, ndërsa ai i të prekurve deri në 154, nga të cilët 17 janë deklaruar tashmë të shëruar.
“Në kaq shumë javë pas infeksionit, vdekja e pacientit gjerman mund të jetë rezultat i komplikimeve të natyrës respiratore, që me shumë gjasa më pas janë bërë shkak i komplikacioneve më të mëdha”, shpjegon për “La Stampa”, Maria Rita Gismondo, drejtoresha e laboratorit mikrobiologjik klinik e virologjik nga një spital i Milanos. “Për më tepër mund të bëhet fjalë për një subjekt me imunitet të dobët, ose me pamjaftueshmëri të burimeve imunologjike, duke përfshirë edhe mundësinë e kushteve jo të mira spitalore”.
Në kontakt me ajrin është më i frikshëm se Ebola
Vdekja në territorin europian është një sinjal alarmant. Maria Rita Gismondo ka thënë: “Bëni kujdes, sepse kemi të bëjmë me një sëmundje e cila mund të merret nëpërmjet ajrit dhe kjo e bën atë më të frikshme se sa Ebola, e cila është e kufizuar gjeografikisht”. Ajo ka shtuar se “pas kësaj që ndodhi nuk duhen përjashtuar edhe rastet e tjera të ngjashme në vende të tjera të botës”.
“Nëpër aeroporte duhen bërë menjëherë kontrolle serioze”
Deri më tani, vendi më i goditur nga virusi MERS është Koreja e Jugut, ku për qarkullimin nuk është bërë asnjë lloj kufizimi. “Nuk besoj se këto masa do të kenë ndikim të madh për ekonomitë e vendeve”, ka komentuar Gismondo, e cila bën apel për të mos nënvlerësuar situatën. “Të gjitha këto aspekte tregojnë se është e nevojshme të veprohet shpejt, me kontrolle efikase dhe serioze nëpër aeroportet që kanë lidhje me Arabinë Saudite, Kinën dhe Korenë”.
Në Korenë e Jugut, shumë persona mbahen të izoluar
Në të njëjtën kohë, në Korenë e Jugut vazhdojnë masat ndaj përhapjes së rrezikut për një përhapje më të madhe të sëmundjes. Në izolim janë vënë qindra persona dhe në këtë mënyrë numri i të prekurve po vjen në ulje.
Antivirusi kundër MERS
Shkencëtarët kinezë dhe amerikanë pohojnë se kanë zhvilluar së bashku një antivirus të ri për të sulmuar virusin e sindromës së frymëmarrjes të Lindjes së Mesme (MERS). Një ekip kërkuesish i Universitetit Fudan në Shangai, në bashkëpunim me homologët e tyre nga Instituti Kombëtar Amerikan i Shëndetit, kanë zhvilluar antitrupa dhe bëjnë të ditur se testet mbi kafshët kanë dhënë rezultate. Jiang Shibo, i cili udhëheq ekipin kërkimor kinez, thotë se ka nevojë për shumë studime para se një medikament i ri të vihet në përdorim klinik. “Nevojiten testime të mëtejshme mbi sigurinë e këtij produkti dhe efekteve që jep, pra mbetet ende një proces i gjatë”, ka theksuar Jiang (Raela).
Burimi: La Stampa