Opinion

Mes Ramës dhe Blushit jemi ne

Nga Zamira Çavo

Zamira CavoPas shpresave të vakëta se fushata zgjedhore do të jetë më e qytetëruar, se kandidatët do të jenë më konkretë e më përfaqësues, duket se vendi po përfshihet nën ethet e zgjedhjeve politike. Ky perceptim vjen nga qasjet politike në diskurset e dy liderëve, Ramës dhe Bashës. Basha në çdo takim synon të ngrejë entuziazmin opozitar të qytetarëve, duke përdorur një fjalor të dobët politik me një synim edhe më të dobët. Dhe sikur të fitojë këto zgjedhje, opozita do të vazhdojë të mbetet në opozitë! Kjo do të sjellë padyshim një zhgënjim të ri mes përkrahësve të tij. Nga ana tjetër, kemi fjalimet e Kryeministrit Rama, i cili në çdo dalje publike, duket sikur ka qëllim të vetëm, t’i përgjigjet Blushit pa e përmendur vetë atë. Pra, debati brenda partisë është shndërruar në debat publik, që realisht po zëvendëson debatin mes kandidatëve, të cilët për hir të së vërtetës ende nuk dinë çfarë njësie vendore do të kenë në administrimin e tyre dhe çfarë problemesh kanë zonat ku kandidojnë. (Ka mjaftueshëm kandidatë që ende nuk dinë se sa shtrihet zona e tyre, pasi ndarja e re territoriale i ka ndryshuar dukshëm zonat).

Pse janë rritur ethet e fushatës, kur këto zgjedhje janë thjesht administrative? Përgjigjja është e thjeshtë: të dyja palët kërkojnë që t’i përdorin këto zgjedhje si testin e ardhshëm politik, por të dyja palët po harrojnë që nëse vazhdohet me këtë synim politik, qetësia e deritanishme ose më mirë agresiviteti politik që ka gjetur strehë vetëm brenda Parlamentit, do të dalë në rrugë dhe njerëzit e lodhur nga kjo gjuhë do t’i braktisin zgjedhjet. Dhe do të bojkotojnë zgjedhjet që janë më të rëndësishme për ta!

Opozita ka sot shansin e madh që të fitojë në këto zgjedhje, duke treguar një model tjetër, të ndryshëm nga ai i Berishës, nga i cili njerëzit treguan me votën e 23 qershorit 2013 se deshën të ndaheshin njëherë e përgjithmonë. Por, z. Basha duket se po e kopjon, madje në mënyrë shumë të keqe, Berishën. Z. Basha po përpiqet që gjuhën e epiteteve vulgare, nga Parlamenti ta nxjerrë në publikun e shesheve dhe kjo sigurisht që e bën të pabesueshëm dhe provokues. Pse them që opozita ka shansin të fitojë zgjedhjet? E them këtë, pasi Partia Socialiste është përfshirë në një luftë të brendshme, të cilën po nuk e menaxhoi mirë do të kthehet në problem madhor. E, nga ana tjetër, masat shtrënguese të qeverisë sigurisht kanë prekur një pjesë të madhe njerëzish të pamësuar me rregulla e ligje. Por jam e bindur se këtë shans opozita nuk do të arrijë ta kapë, për faktin e vetëm se vazhdon të na propozojë vetëm etiketime, sharje dhe asgjë më shumë. Madje edhe koalicioni opozitar, që sikundër ndodh në botë, do të duhej të përbëhej nga shumë forca, u katandis si mos më keq, për shkak të paaftësisë dhe modelit të liderit të vet.

Por le të vijmë te mazhoranca, pasi kjo ka marrë votëbesimin e “1 milion shuplakave”. Jemi në mesin e mandatit dhe në fillimin e fushatës. Realisht Aleanca për Shqipërinë Europiane vjen në këtë fushatë me ngarkesa negative. Këto ngarkesa, pasojë e çështjeve “Doshi” e “Frroku”, si dhe e masave shtrënguese të domosdoshme të ndërmarra, po shtohen edhe “falë” kritikave tejet të ashpra që Blushi, një ndër dinjitozët e lidershipit socialist, ka bërë publike. Dhe opinioni publik duket keqas i ngatërruar në këtë debat. Por a ka vlerë ky debat? Personalisht them se ka, madje ka vlerë të madhe nëse menaxhohet mirë dhe do të shndërrohet në krisje të pariparueshme nëse vazhdohet me përjashtime apo përgjigje e kundërpërgjigje në distancë. Në mes qëndrojmë ne, populli, i cili gjendet i sulmuar mediatikisht në një rrëmujë opinionesh që e çorientojnë edhe më shumë. Ky çorientim mund të sjellë bojkotin e zgjedhjeve nga më të zhgënjyerit apo edhe nga më të manipuluarit. E them këtë sepse:

Politika e një shteti ka në fokus dy elemente: Njeriun dhe Ligjin. Nëse ekuilibri mes tyre prishet, politika humbet terren dhe përmbajtje. Qeverisja Rama apo rilindja në përgjithësi, erdhi në pushtet me pretendimin se do të sillte një model tjetër qeverisës, ku të dyja elementet e mësipërme të gjenin ekuilibrin. Me pak fjalë, shqiptarët donin shtet, pasi rrumpalla demokratike e 24 viteve e kishte shkatërruar themelin e shtetit, ligjin, por donin dhe politika më të mira nga të cilat ata vetë të përfitonin në mënyrë progresive. Në 18 muaj, qeverisja duket se është fokusuar pa mëdyshje në të parin: Ligjin. Por pa reformuar sistemin e drejtësisë. Kjo do të thotë që kjo qeverisje barrën e ligjit ia ka lënë më të dobëtit, pasi ai i “forti” di të gjejë “gjuhën” me drejtësinë. Është e kuptueshme që të kërkosh zbatimin e ligjit dhe të mësosh njerëzit të edukohen me domosdoshmërinë e respektimit të tij, është A-ja e bërjes së një shteti për të cilin 1 milion vetë, pra ne, kemi qenë dakord që kur votuam Rilindjen. Por çfarë shihet si tendencë në këtë qasje qeverisëse? Njeriu, populli, i dobëti duket se janë lënë jashtë politikave qeverisëse. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për socialistët, por edhe për të gjithë ata që votuan Rilindjen. Tendenca për ta reduktuar qeverisjen vetëm në “bërjen e shtetit” çon hap pas hapi në autoritarizëm, madje dhe në totalitarizëm kur kjo tendencë shoqërohet me aparatin propagandistik (demagogjik) të ngritur në sistem. Realiteti i këtyre muajve na ka sjellë në vëmendje disa ngjarje të tilla. Ndaj e vlerësoj Blushin në kritikën e tij ndaj Rilindjes. Frika e Blushit, ashtu si edhe e shumë të tjerëve, është pikërisht frika për të mos rrëshqitur në autoritarizëm. Njerëzit janë ata që bëjnë shtetin dhe politikën njëkohësisht. Nëse reformat nuk u shërbejnë atyre “1 milion shuplakave”, pra neve, do të thotë se këto reforma bëjnë shtet për shtet ose shtet për emër. Dhe një shtet i tillë është vdekje jo vetëm e Rilindjes, por edhe e shqiptarëve. Ndaj vlerësoj që kritikat e Blushit duhen marrë në konsideratë e duhen vlerësuar në një reflektim konkret të stilit qeverisës. Askush nuk ka pritur që në 18 muaj Rilindja të bënte shtetin, të zhdukte varfërinë, të rindërtonte vendin. Por ama ka pritur që besimi dhe fryma e njerëzve të vinte në rritje, për shkak të qeverisjes në frymë të interesave jo klienteliste, por mbarëpopullore. Të bësh ligje pa drejtësi, të kërkosh zbatimin e masave në varfëri dhe të mos bësh diferencimin mes nevojave të njerëzve, nevojave jetike të tyre dhe interesave klienteliste, kjo prish padyshim ekuilibrin Ligj / Njeri. Dhe në një vend ku një pjesë e madhe e popullsisë është e varfër, politikat që ndihmojnë këtë shtresë duhet të jenë parësore. Që të mos ndodhë që në Parlament të shkojë për diskutim “marrja e shtëpisë” nëse nuk paguan dritat, Blushi kritikon. Që qytetarëve të Marinzës t’u rimbursohen shtëpitë e tokat, të cilat një kompani e huaj ua shkatërroi, Blushi kritikon. Që ekonomia të mos shkojë keq e më keq, për shkak të paaftësisë së administratës së saj, Blushi kritikon. Dhe kjo kritikë i bën mirë Rilindjes, sepse mes Blushit dhe Ramës, jemi ne. Por nëse vazhdohet të anatemohet Blushi apo dhe çdo kritikues tjetër me etiketën “i lig ose i marrë” jo vetëm nuk kemi zgjidhur gjë, por e kemi afruar një fund të padëshiruar për të gjithë. Nuk ka rëndësi nëse Blushi niset nga X apo Y interes, rëndësi ka që këto kritika të bien si kambanë për zgjimin e nesërm dhe jo për funeralin e sotëm. Sepse mes Blushit dhe Ramës jemi ne, dhe ne jemi ata që do të bëjmë patjetër politikën e së nesërmes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button