Meta: LSI, rol kyç për realizimin e reformave në vend
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me banorë të Beratit, ku iu dhanë kartat edhe 600 anëtarëve të rinj të kësaj partie.
Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, që u zhvillua në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit për kreun e partisë, Meta vlerësoi rolin e LSI-së në realizimin e reformave më madhore të vendit, që do të bëjnë të mundur çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
“Ne presim javën e ardhshme një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Padyshim që roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë kyç për realizimin e shumë reforma në vend dhe në mënyrë të veçantë për arritjen e konsensusit për reformën kryesore, atë të drejtësisë.
Sepse vetëm përmes bashkëpunimit për çështjet më të mëdha që i interesojnë të ardhmes afatgjatë të vendit dhe qytetarëve tanë, ne do të arrijmë të plotësojmë të gjitha ato standarde që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian, por që kërkon edhe përmirësimi i vazhdueshëm i standardeve të jetesës së qytetarëve tanë”, deklaroi kryetari i LSI-së.
Gjithashtu, Meta theksoi se LSI do të kërkojë shumë më tepër nga vetja në mënyrë që t’i shërbejë më mirë Shqipërisë dhe të gjithë atyre që besojnë tek kjo lëvizje.
Sipas Metës, hapja e LSI-së është një kontribut shumë i rëndësishëm për forcimin e saj, ashtu sikurse demokratizimi i mëtejshëm i vetë LSI-së e ndihmon atë që të bëhet akoma më e fortë.