Meta: Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, detyrim kushtetues
Kryetari i Kuvendit, IIir Meta deklaroi të martën se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve përbën detyrim kushtetues për shtetin tonë, ndërsa vlerësoi se kujdesi për brezat e ardhshëm është investimi më i mençur, më inteligjent dhe më fisnik.
Duke folur në aktivitetin e zhvilluar në sallën e seancave plenare me fëmijët në kuadër të 25-vjetorit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, z. Meta theksoi angazhimin e Kuvendit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Sipas tij, respektimi i të drejtave dhe lirive të fëmijëve, promovimi dhe garantimi i tyre do të jetë prioritet i legjislacionit, politikave dhe analizave të të gjithë institucioneve, por edhe diskutimeve e debateve të organizuara nga vetë fëmijët e shoqëria civile.
“Të drejtat dhe liritë e fëmijëve, formalizimi dhe përcaktimi i tyre në një kuadër të plotë ligjor ka shënuar progres”, deklaroi kreu i Kuvendit. Por, vuri në dukje ai, zbatimi dhe pranimi i vetëdijshëm i tyre ende has vështirësi në realitetin tonë. Sipas z. Meta, rastet e abuzimit, keqtrajtimit, keqedukutimit dhe keqrritjes së fëmijëve në familje, shkollë dhe shoqëri, shfaqja e formave të ndryshme të dhunës ndaj tyre, mbetet ende sfida serioze për t’u përballur.
Zgjidhja e këtyre problematikave, vijoi Meta, duhet të kalojë përmes mbështetjes së familjeve të tyre, por edhe përmes përkujdesjes së posaçme nga strukturat shtetërore dhe mbarë shoqëria për fëmijët vunerabel, jetim, apo ata me aftësi të kufizuar, ashtu sikurse duhet të shtohet akoma më shumë mbështetja për nënat kryefamiljare.
Duke u bazuar në thënien e Rusvelt se “jo gjithnjë mund të ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë, por mund të edukojmë fëmijët për të ardhmen”, Meta tha se ne si shtet dhe shoqëri jemi të angazhuar më shumë se kurrë për t’u përkujdesur për fëmijët tanë dhe për të ndihmuar familjet e tyre.
Meta foli dhe për rolin që kanë deputetët në përmirësimin dhe rritjen e efikasitetit të legjislacionit në mbojtje të fëmijëve. Në sallën e seancave plenare, nën kujdesin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe në bashkëpunim me UNICEF, u zhvillua një veprimtari promovuese për të drejtat e fëmijëve, në kuadër të 25-vjetorit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.