Politika

Meta në Athinë: Tensionimi i marrëdhënieve më Greqinë nuk ndihmon për zgjidhjen e çështjes “Çame”

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta dhënë për televizionin “ABC News” nga Athina

Nga Robert Goro

 Meta ju keni zhvilluar sot takimin me Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras. Ky ishte thjesht një takim protokollar apo pati edhe një përmbajtje thelbësore që mund të na thoni ndonjë detaj?

Mendoj se ishte një takim mjaft pozitiv. Për mua ishte hera e parë që takohesha me z. Tsipras dhe kam përshtypje jashtëzakonisht pozitive përsa i takon predispozicionit të tij për marrëdhënie sa më të ngushta dhe sa më shembullore me Shqipërinë. Por në mënyrë të veçantë më ka bërë përshtypje ndjeshmëria e tij për të drejtat e emigrantëve në Greqi dhe njëkohësisht edhe vullneti i tij për t’u angazhuar edhe personalisht me ministritë përkatëse për të zgjidhur disa probleme dhe disa vështirësi praktike me të cilat ndeshen ende emigrantët tanë këtu, çështje të certifikatave, të vulës apostile e kështu me radhë.

Dhe njëkohësisht, absolutisht vullneti dhe dëshira për të mbështetur rrugëtimin e mëtejshëm evropian të Shqipërisë dhe dëshira për t’u përqendruar në të gjitha fushat e bashkëpunimit dhe për të trajtuar me qetësi edhe çështje, të cilat mbarten nga e kaluara, por kurrsesi duke i vendosur ato si një pengesë për bashkëpunimin e gjithanshëm midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Ju keni mbërritur në Athinë në një moment ku atmosfera është disi e tensionuar për shkak të reagimeve të qeverisë greke ndaj deklaratës së Komisionerit Hahn për çështjen çame. Reagimet e Athinës në fakt drejtoheshin edhe ndaj Tiranës dhe jo vetëm ndaj Brukselit dhe Komisionerit. Tani në përfundim të vizitës, a keni menduar se keni gjetur shenja që tregojnë një përmirësim të mundshëm të klimës?

Besoj se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, midis grekëve dhe shqiptarëve, janë marrëdhënie të pandërprera dhe tani që ne flasim këto janë marrëdhënie të gjithanshme, sepse janë marrëdhënie njerëzore në radhë të parë përpara se të jenë politike dhe institucionale.

Janë marrëdhënie familjare, pasi janë me mijëra familje që janë krijuar gjatë këtyre 26 viteve këtu apo dhe në Shqipëri, familje le të themi të përbashkëta. Janë marrëdhënie ekonomike dhe tregtare. Kështu që këto marrëdhënie asnjëherë nuk mund të reduktohen apo të bllokohen për shkak të një çështje apo disa çështjeve të trashëguara nga e kaluara.

Unë jo rastësisht dhe në takimin me Kryeministrin Tsipras vlerësova se përveç bashkëjetesës historike të dy popujve tanë, e cila në fakt është ajo që prevalon në histori, kemi edhe disa plagë dhe kuptohet këtu që çështja e shqiptarëve të larguar me forcë nga Greqia apo çështja “Çame” siç ne e vlerësojmë, është plaga më e thellë dhe më e vështirë në këto marrëdhënie.

Më duhet të pohoj edhe një herë tjetër që një plagë edhe kur e përkëdhel të lëndon dhe të dhëmb. Ndaj është e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje gjithmonë me qëllimin e mirë për t’i zgjidhur në atë mënyrë që të ndihmojmë dhe konvergimin e interesave afatgjata dhe strategjike të dy vendeve dhe të dy popujve tanë. Dhe kjo sigurisht që kërkon edhe durim, kërkon edhe qetësi, kërkon edhe kujdes dhe natyrisht kërkon edhe një trajtim më kompleks të gjitha këtyre çështjeve të trashëguara.

Ajo që është e rëndësishme dhe që nuk duhet të harrojmë në asnjë moment, është që interesat janë të gjithanshme, bashkëpunimi është i gjithanshëm. Ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet greko-shqiptare, pra për të rritur më tej përfitimet nga ky bashkëpunim për të dy vendet, për të dy popujt tanë, për qytetarët shqiptarë dhe ata grekë. Dhe në këtë drejtim unë do të thosha se ky është mesazhi kryesor edhe i kësaj vizite dhe i këtyre takimeve.

Ky është mesazhi në interpretimin tuaj apo mesazhi edhe në interpretimin e palës greke që keni arritur ta kuptoni? Sepse pala greke për shembull edhe para dy ditësh ka thënë se ka një vijë të kuqe mes Shqipërisë e Greqisë dhe vijë e kuqe është “Çështja Çame”. Nuk dua të insistoj vetëm te kjo çështje, por me ekzistencën e vijave të kuqe, a hapet rruga për ato pritshmëritë që thatë për marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy vendeve?

Pa asnjë diskutim që kjo rrugë do të hapet me vullnet të përbashkët. Unë nuk mund të përgjigjem për deklarata të caktuara të bëra në një kohë të caktuar të cilat mund të reflektojnë edhe një tension që krijohet në njërin apo tjetrin vend për shkak të rrethanave të ndryshme. Të mos harrojmë që politika këtu ka një dinamikë të jashtëzakonshme, ballkanike dhe mesdhetare, siç e ka dhe në vendin tonë dhe në vende të këtij rajoni.

Besoj që ka një ndërgjegjësim, ka një mirëkuptim për të ecur drejt tejkalimit të disa pengesave që vijnë nga e kaluara për të ecur drejt tejkalimit të akteve të së kaluarës, që e bëjnë të vështirë qoftë edhe psikologjikisht, por edhe konkretisht zgjidhjen e çështjeve, të cilat dy palët i shohin në mënyra të ndryshme sot dhe duket ende sikur janë larg. Sikurse është fjala vjen edhe çështja “Çame”, që unë e bëra të qartë edhe pas takimit të parë që pata me Ministrin e Jashtëm, që është një çështje për të cilën për momentin ndajmë dy qasje të ndryshme.

Por kjo nuk do të thotë kurrsesi se është tensionimi i marrëdhënieve ajo që ndihmon për zgjidhjen e kësaj çështje. Përkundrazi! Unë jam i bindur që vetëm përmirësimi i gjithanshëm i këtyre marrëdhënieve do të krijojë ambientin, mundësinë e favorshme për të gjetur një zgjidhje për shërimin e kësaj plage dhe plagëve të tjera të së kaluarës.

Meta, ju në takimet që keni patur me palën greke keni ngritur disa prej çështje që janë shumë shqetësuese dhe që kanë imapkt të drejtëpërdrejtë në jetën e përditshme të shqiptarëve në Greqi, siç është vula apostile, njohja e patentave shqiptare, por edhe arritja e një marrëveshje për sigurimet shoqërore. Do të doja të dija, përtej fjalëve të përgjithshme, dhe gatishmërisë, në thonjëza apo jo në thonjëza të palës greke, a ka pati ndonjë angazhim konkret për t’u vënë këto në rrugën e zgjidhjes?

Unë besoj se disa prej këtyre çështjeve do të vihen në rrugën e zgjidhjes. Mund t’ju them që Kryeministri Tsipras dëgjoi me mjaft vëmendje kërkesën, që unë i bëra për të krijuar disa lehtësi të tjera më praktike për emigrantët tanë, që kanë të bëjnë me njohjen e certifikatave këtu, pra dokumenteve zyrtarë, me vulën apostile, me njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve. Natyrisht që edhe çështja e sigurimeve shoqërore është një çështje që është diskutuar pothuajse në të gjitha këto takime dhe ne shpresojmë që të paktën për disa prej këtyre të ketë një angazhim të shpejtë, konkret edhe praktik. Ndërkohë që ky është një dialog që vazhdon midis dy vendeve, midis dy qeverive dhe vazhdon midis dy parlamenteve tona.

Meta, vizita juaj këtu dua të them që është e para e një zyrtari të rangut të lartë shqiptar prej të paktën 10 vitesh, në mos gaboj ka qenë vizita e fundit presidentit në vitin 2007. Ju erdhët i shoqëruar dhe nga një delegacion parlamentar. Ne e dimë shumë mirë që shumë prej problemeve që kanë emigrantët sot në Greqi janë edhe një lloj impakti i tensioneve politike që ekzistojnë midis dy vendeve. Aktivizimi i Parlamentit, qoftë në bashkëpunim me Parlamentin grek, mendoni që mund të përshpejtojë zgjidhjen e problemeve? Dhe në këtë sens, a do të kemi një kthim vizite të të njëjtit format nga ana e homologut tuaj grek?

Unë besoj se në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi vizitën zyrtare të homologut grek, Kryetarit të Parlamentit, z. Voutsis dhe padyshim që kjo vizitë këtu në Athinë bëhet pak me vonesë. Por ka qenë dhe një mirëkuptim i imi që kjo vizitë të ndodhej në një moment kur vetë Parlamenti dhe autoritetet kishin mundësi të përqendroheshin më shumë dhe në marrëdhëniet me Shqipërinë. Dihet që dhe problemet e brendshme kanë qenë një prioritet i politikës greke dhe vetë Parlamentit.

Kështu që jemi në një moment shumë pozitiv kur parlamenti mund të marri një rol shumë më të madh se sa deri tani për të krijuar një klimë shumë më konstruktive të bashkëpunimit, por edhe të mbështetjes për të dyja qeveritë. Pasi janë disa çështje të cilat kërkojnë një konsensus, të cilat kërkojnë një mirëkuptim kombëtar, edhe në Greqi edhe në Shqipëri, dhe ky ka qenë edhe qëllimi i të gjithë takimeve. Jo vetëm me përfaqësuesit e qeverisë dhe të mazhorancës këtu, por pothuajse me të gjithë grupet parlamentare të opozitës, si Demokracia e Re, PASOK apo dhe Partinë Komuniste në mënyrë që të kërkojmë edhe angazhimin e tyre, dhe përfshirjen e tyre, për një promovim të axhendës pozitive shqiptaro-greke në interes të të dyja vendeve tona. Njëkohësisht, kemi bërë një lutje që çështjet, të cilat janë pak delikate në këto marrëdhënie të mos keqpërdoren ndaj qeverisë apo ndaj mazhorancës, sepse në rast se do të vazhdohet në këtë mënyrë qoftë në Greqi, apo qoftë në Shqipëri, ende do të kemi probleme të pazgjidhura për shkak të fushatave elektorale që nuk mbarojnë asnjëherë. Pra duhet një konsensus i përgjithshëm.

Meta meqë përmendët fushatën elektorale, ju që në muajt e parë të fushatës së fundit keni qenë një ndër partizanët më të flakët, në mos më i flakti, i dhënies së të drejtës së votës emigrantëve nga vendet ku ata jetojnë. Ndërkohë është mandati i dytë qeveritar që ndodheni në pushtet dhe kjo e drejtë e emigrantëve ende nuk i është dhënë. Cila është pengesa?

Mendoj se jemi në momentin e bërjes së reformës zgjedhore. Pengesa të deritanishme kanë qenë të karakterit praktik. Pra, të garancisë së realizimit pa vështirësi dhe pa kontestime të këtij procesi. Të gjitha forcat politike janë shprehur pro në parim. Padyshim edhe forca politike që unë përfaqësoj e ka patur edhe e ka prioritet. Dihet që Kodi Zgjedhor është bërë dhe bëhet me konsensus.

Natyrisht, që kjo çështje kërkon edhe një mirëkuptim më të gjerë, sepse ju e dini që për fat të keq ende ekziston një mosbesim i thellë, ku vihet për fat të keq në pikëpyetje legjitimiteti dhe rregullsia e procesit edhe në Shqipëri, edhe jo më jashtë vendit. Kështu që shpresojmë që në këtë drejtim të kemi një mirëkuptim, një konsensus që të garantojmë përfundimisht në praktikë edhe të drejtën e votës së emigrantëve atje ku jetojnë.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button