Meta në Maqedoni: Afrim i dy vendeve përmes forcimit të lidhjeve infrastrukturore
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit sot në Shkup nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov.
Në takim u bisedua mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe u theksua se rritja e shkëmbimeve dhe forcimi i bashkëpunimit cilësor mes dy vendeve fqinje i shërben avancimit të projekteve konkrete të përbashkëta me interes të madh reciprok.
Presidenti Ivanov i uroi mirëseardhjen Kryetarit të Kuvendit, Meta dhe delegacionit parlamentar shqiptar në Shkup dhe nënvizoi rëndësinë e afrimit mes dy vendeve dhe dy popujve përmes forcimit të lidhjeve infrastrukturore.
Në këtë drejtim, duke vënë në dukje rëndësinë e avancimit me projektin strategjik hekurudhor mes dy vendeve, Kryetari Meta dhe Presidenti Ivanov ndanë bindjen e përbashkët se përforcimi i ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike në të dy anët e kufirit do t’i shërbejë rritjes së shkëmbimeve tregtare e kulturore mes dy vendeve dhe dy popujve.
Kryetari i Kuvendit Meta dhe Presidenti Ivanov theksuan se në emër të së ardhmes së përbashkët evropiane dhe duke vlerësuar rëndësinë e harmonisë ndëretnike dhe ndërfetare në rajon, dy vendet duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në avancimin e procesit të integrimit evropian, duke e ngritur bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal në një nivel edhe më të lartë.
Në përfundim, Meta shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nënvizoi se e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit gjendet në integrimin e plotë brenda strukturave euro-atlantike.
Gjithashtu, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u prit edhe nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Në takim u bisedua mbi intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vënë theksin në forcimin e ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe të shkëmbimeve tregtare e njerëzore mes dy vendeve fqinje si një domosdoshmëri ekonomike e kulturore.
Meta dhe Gruevski vunë theksin në rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, duke e konsideruar atë si një emergjencë strategjike si për Tiranën ashtu edhe për Shkupin, dhe si një hallkë të fortë të Korridorit 8 që i shërben tërë rajonit.
Kryetari i Kuvendit, Meta u shpreh se në kuadër të rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe të avancimit me projektet ndërkufitare, Kuvendi i Shqipërisë mbështet mbledhjet e përbashkëta dhe bashkërendimin e punës mes dy Qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, që do t’i shërbejë procesit të integrimit evropian të të dy vendeve fqinje.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ndau bindjen e përbashkët me Kryeministrin Gruevski se sfidat e terrorizmit ndërkombëtar në Evropë kërkojnë një bashkërendim më të madh mes të gjitha vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, ku Shqipëria dhe Maqedonia kanë një peshë të veçantë.