Meta pret zyrtarin hungarez: Intensifikim i bashkëpunimit
Presidenti përshëndeti vizitën e zotit Sztáray në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë vlerësoi pjesëmarrjen e tij në ceremoninë e 90-vjetorit të krijimit të Mbretërisë shqiptare.
Të dy bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu në bashkëpunimin dypalësh, duke vlerësuar në mënyrë të veçantë interesin e përbashkët për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik e tregtar.
“Investimet hungareze janë shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe gjatë vizitës sime të fundit në Hungari, konstatova me shumë kënaqësi dëshirën dhe vullnetin e autoriteteve hungareze për të rritur nivelin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare me Shqipërinë”, nënvizoi Presidenti Meta.
Kreu i Shtetit vlerësoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë midis Bashkisë së Tiranë dhe asaj të Budapestit, duke e konsideruar atë një shëmbull që duhet ndjekur, si në nivel vendor ashtu edhe në atë qendror me Hungarinë.
Me interes u bashkëbisedua edhe për zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe të ardhmes euroatlantike të vendeve të këtij rajoni.