Meta: Raporti i DASH, platformë për strukturat e policisë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka vlerësuar raportin e Departamentit të Shtetit mbi trafikun e qënieve njerëzore, ku vlerësohen progreset dhe përpjekjet e shtetit shqiptar në luftën kundër këtij fenomeni.
“Raporti përfaqëson një platformë të rëndësishme për punën e strukturave të specializuara të shtetit që përballen me këtë fenomen”, shprehet Meta në një deklaratë për shtyp.
Duke iu referuar përmbajtjes së këtij raporti, kryetari i LSI-së apelon tek strukturat policore të vendit që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me partnerët ndërkombëtarë në luftimin e këtij fenomeni, “në mënyrë që të rrisin nivelin e profesionalizmit dhe të çojnë para drejtësisë të gjithë personat e inkriminuar e të përfshirë në çdo lloj trafiku”.
“Lufta e pandërprerë ndaj krimit dhe korrupsionit është një sfidë e rëndësishme që kërkon modernizimin e shtetit, përkushtim, profesionalizëm, transparencë”, thotë më tej Meta.