Meta: Vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk prek dekretin për anulimin e zgjedhjeve
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtojë aspak vlefshmërinë e Dekretit pasi nuk ia njeh Kushtetuta.
Në një konferencë për shtyp nga presidenca, në ora 8.00 të mëngjezit, Meta tha se “Presidenti nuk është thirrur si palë, prandaj vendimi nuk ka asnjë efekt juridik”.
“Dje në Kolegjin Zgjedhor u shqyrtua kërkesa e një partie kundër KQZ-së që e pengonte të çregjistrohej. Kolegji e rrëzoi. Vendimi i Kolegjit ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese dhe organizatës socialiste në KQZ që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm”, tha ai.
Meta tha se Kolegji nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë, pasi nuk ia njeh Kushtetuta.
“Vendimi i marrë dje nga Kolegji Zgjedhor ka të bëjë vetëm me marrëdhënien e partisë ankuese, aleate e Partisë Socialiste dhe organizatës socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që kanë vendosur të zhvillojnë një proces të paligjshëm në 30 Qershor. Në këtë proces Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte aspak vlefshmërinë kushtetuese të Dekretit të Presidentit të Republikës, pasi një tagër të tillë nuk ia njeh Kushtetuta. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk është thirrur nga kjo gjykatë zgjedhore si palë në proces, e për rrjedhojë vendimi i marrë nuk mund të prodhojë asnjë efekt juridik, qoftë për Dekretin, ashtu edhe për anulimin e datës së zgjedhjeve”, tha ai.
Sipas tij, vendimi u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit të shumicës.
“Vendimi i djeshëm i marrë nga Kolegji Zgjedhor është një truk procedurial për të justifikuar politikisht paligjshmërinë e veprimtarisë së organizatës socialiste në KQZ-së dhe është një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik brenda dhe jashtë vendit për të anatemuar indirekt vendimin e Kreut të Shtetit, por kurrsesi, ky është një operacion i dështuar pasi nuk prek aspak vlefshmërinë e Dekretit të Presidentit të Republikës. Është e qartë se ky vendim i Kolegjit Zgjedhor, i orkestruar dhe i paralajmëruar prej kohësh, është marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik të mazhorancës”.
Ai sqaroi se vendimi për anulimin e datës së zgjedhjeve “synonte që t’u krijonte palëve një mundësi reflektimi dhe hapësire për të dialoguar për një zgjidhje në funksion të interesit kombëtar dhe agjendës së përbashkët europiane të Shqipërisë”.
Ndër të tjera, Meta tha se “Presidenti nuk ndërhyn për të penguar zgjedhje partiake por pa dyshim, besoj se lidhur me datën 30 qershor, si zgjedhje në Republikën e Shqipërisë kjo datë ka rënë. Nuk ekziston më ligjërisht. Kush dëshiron të bëjë zgjedhje të karakterit partiak është i lirë. Presidenti nuk ndërhyn në punët e brendshme të partive. Kjo duhet të jetë e qartë për ju dhe për të gjithë brenda dhe jashtë vendit”.
Ndërsa partner ndërkombëtarë kanë konfirmuar mbështetjen për procesin zgjedhor në 30 Qershor si dhe kanë bëri thirrje për mbrojtjen e integritetit dhe sigurisë së procesit zgjedhor, Meta u përgjigj pyetjes së gazetarëve se zgjedhjet nuk i ka shtyrë brenda ndonjë selie diplomatike, por në vendin e tij.
“Nuk hyj te ata politikanë që flasin në emër të ambasadave, ndërkombëtarëve dhe që fshihen pas tyre. Në Shqipëri i vetmi institucion që vendos për datën e zgjedhjeve është Presidenti. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Itali, apo në një vend tjetër, por në Shqipëri, për shkak të një krize të thellë, që vijon prej disa muajsh. Mos prisni nga asnjë ambasador të iu thotë këtë që po iu them unë. Nuk kam anuluar zgjedhjet në asnjë ambasadë, por në Shqipëri. Pa zgjedhje me standarde nuk ka çelje negociatash, kjo është e sigurt. Më besoni se jam esëll gjatë gjithë ditës, jo më në mëngjes”, tha ai.