Politika

Meta/intervista e plotë: Marrëveshja PS-PD nuk e penalizon LSI-në; garë e barabartë mes tre partive

Intervista e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta për emisionin “Studio e hapur” të Eni Vasilit në News 24.  

Dua të ndaloj te një marrëveshje e rëndësishme e arritur pak ditë më parë midis dy liderëve të PD dhe PS, marrëveshjen e famshme Rama-Basha. Ju luftuat për një kohë të gjatë për të arritur një marrëveshje politike me idenë për ta çuar opozitën në zgjedhje. Sot kjo marrëveshje ekziston, por u arrit pa ndërmjetësinë tuaj, me gjithë luftën dhe përpjekjet tuaja të kësaj kohe. Ka shumë dhe nga ata që thonë se ju penalizon…

Së pari, kjo marrëveshje favorizon Lëvizjen Socialiste për Integrim, por këtë mund ta shpjegoj më pas dhe nuk është kjo arsyeja për të gjykuar nëse një marrëveshje është ose jo e dobishme. Së dyti, kjo marrëveshje mund të them se në thelbin e saj garanton zgjedhje me opozitën, që ato të mos jenë farsë. Është rezultat i një angazhimi sistematik dhe mjaft konstruktiv i Lëvizjes Socialiste për Integrim për një kohë të gjatë. Dhe në fund fare produkti kryesor cili është? Futja e opozitës në zgjedhje gjë për të cilën ne nuk kemi reshtur asnjëherë përpjekjet për ta realizuar. Dhe së treti, krijimi i një qeverie besimi për zgjedhjet. Kjo qeveri u krijua. LSI-ja foli për qeveri besimi prej gati 2 muajsh dhe madje ofroi për të vënë në dispozicion të një qeverie të tillë që garantonte pjesëmarrjen e opozitës në të gjitha mandatet e saj. Pra, në mandatin e kryeparlamentarit, të ministrave dhe kështu me radhë.

Pra, ju ndiheni si kumbar i kësaj qeverie. Kjo është qeveria e besimit, është ajo që propozuat ju.

Nuk dua të them se si ndihemi, ndihemi si kumbarë ose jo, por ndihemi të lehtësuar. Vendi ishte në buzë të greminës për sa i takon demokracisë dhe zgjedhjeve. Për fat të mirë nuk ramë në fund të humnerës për të kuptuar se çdo të thotë kjo, pasi e kemi provuar një herë këtë gjë në vitet ‘96-‘97. Përpjekjet e LSI-së dhe të miat personalisht, por edhe të z. Vasili, kanë qenë sistematike në këtë linjë dhe LSI-ja ka dhënë një kontribut të çmuar, ka qenë mjaft koherente dhe mjaft e balancuar në kapërcimin e një krize tepër të rrezikshme për demokracinë dhe për zgjedhjet.

Jeni të balancuar sidoqoftë dhe në çdo artikulim tuajin, edhe pas marrëveshjes, por ka që thonë se kjo marrëveshje ju penalizon, flas sidomos për mungesën e koalicioneve që ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje.

Në këtë drejtim penalizon edhe PD-në, penalizon edhe PS-në. Madje po të shikoni sot në Partinë Socialiste kishte pasur edhe një shqetësim. Ishin thirrur disa aleatë, një pjesë e të cilëve nuk ishin as të regjistruar dhe ishte kërkuar që votat t’i kalonin Partisë Socialiste. Pra, ata ngrinin një shqetësim ndoshta edhe nga ky vetëpenalizim që i kanë bërë vetes së tyre.

Për të qenë realistë, janë partitë e dyta, partitë e treta që ndihen të penalizuara në mungesë koalicioni apo jo?

Nuk ndodh asnjë penalizim për LSI-në, për arsye se LSI-ja nuk është një parti e vogël, absolutisht që jo. E dyta, LSI-ja në këtë mënyrë është në pozita krejtësisht të barabarta me PD-në dhe PS-në, pasi edhe ato nuk janë në koalicione. Në qoftë se ato do të ishin disa koalicione dhe LSI-ja nuk do të ishte, natyrisht që këtu mund të kishte një relativizim, por është një garë tërësisht e barabartë midis 3 partive kryesore. Mjafton t’ju përmend edhe një herë që me rezultatet e vitit 2013, me këtë formulë, LSI-ja humbi vetëm një mandat në vitin 2016 që ka marrë në atë kohë në Elbasan për 200 vota. Me rezultatet e zgjedhjeve lokale të vitit 2015, LSI-ja…

Që nuk është e njëjta…

Është e njëjta logjikë. Ta them unë pse është e njëjta logjikë. Është e njëjta logjikë për të tria partitë. Ato janë votat e partisë. LSI-ja ka 34 mandate me këtë logjikë. Vetëm në Tiranë, në vitin 2015, ka mbi 7 mandate, sepse ka 74 mijë vota, përveç shumë qarqeve të tjera që kanë nga 4 mandate.

A është njësoj si në vitin 2015 situata?

Situata nuk është si në vitin 2015, sepse LSI-ja ka një rritje shumë të ndjeshme nga viti 2015, për shkak të punës së jashtëzakonshme që ka bërë dhe bën në mënyrë sistematike me rininë. Natyrisht, kjo ndikon shumë në rritjen e prurjeve dhe të trendit në përkrahje të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kështu që forca politike…

Në vitin 2013 ishit në koalicion, apo jo?

Po në vitin 2013 ishim në koalicion, por ishin vota për LSI-në ato. Edhe PS-ja ishte në koalicion me ne.

Dakord, por kemi parasysh formulën çfarë lë në fund, çfarë marrin, çfarë rrumbullakosin partitë e vogla, pa dashur të bëhemi teknikë…

Absolutisht, nga partitë e vogla ka përfituar PS-ja dhje PD-ja më shumë, nuk ka përfituar LSI-ja, sepse ajo ka marrë 16 mandate kur i ka dhënë 180 mijë vota koalicionit. Pra, ka dhënë 20 mijë vota më tepër, të cilat i ka marrë PS-ja ose ndonjë parti tjetër që ka qenë.

Pra, viti 2009 dhe viti 2013 tregojnë diçka.

Nuk tregojnë asnjë gjë, sepse jua thashë edhe një herë këtë gjë që jemi në një situatë krejt tjetër dhe rritja e LSI-së natyrisht që është një shqetësim për forca të caktuara politike, por është e pandalshme, është në progresion të pandalshëm. Kështu që përgatituni për surpriza.

Petrit Vasili e ka konsideruar një veprim antikushtetues pamundësinë që sjell marrëveshja për koalicionet në datën 25 qershor. A keni synim ta ankimoni, të bënë diçka në lidhje me këtë?

Jo, absolutisht. Nuk kemi asnjë arsye të ankohemi, sepse kjo marrëveshje duhej të ishte arritur para 2-3 muajsh, kur ne e kërkuam këtë gjë, kur ne ofruam mandatet tona, kur ne ofruam logjikën e kompromisit midis dy palëve, midis një pale që thoshte le të mos vijë opozita në zgjedhje, se nuk u bë qameti, se ka opozitë, pasi janë dhe parti të tjera që do të bëjnë opozitën dhe një palë tjetër që thoshte se asnjë herë nuk do të shkohet në zgjedhje me këtë kryeministër, me këtë qeveri, e kështu me radhë. Ne ofruam një propozim për krijimin e një qeverie besimi dhe vumë në dispozicion të krijimit të kësaj qeverie të gjitha mandatet e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Po të shohim edhe thelbin e marrëveshjes, praktikisht LSI-ja ka sakrifikuar më pak, pavarësisht nga vullneti i saj, sepse vetëm një ministër i LSI-së është larguar, ndërkohë që janë larguar 6 ministra ose 7 ministra të Partisë Socialiste. Kështu që në të gjitha këto drejtime LSI-ja nuk ka asnjë arsye të ankohet për këtë çështje, pavarësisht se, siç i keni ndjekur edhe ju, në qëndrimet e z. Gjinushi, z. Milo, z. Duka, z. Mediu dhe të shumë përfaqësuesve të partive të tjera duket se ka një nonsens, që jepet mundësia për t’u regjistruar partitë, por nuk jepet mundësia për t’u regjistrua koalicionet. Natyrisht, unë nuk dua të bëj diskutime teknike.

Ju mendoni që ka qenë e qëllimshme kjo nga Partia Socialiste dhe nga Partia Demokratike?

Si dy parti që mirënjohjen ndaj aleatëve e kanë në themel të politikës së tyre, nuk besoj se ka qenë e qëllimshme.

Keni ironi këtu, apo jo?

Jo, nuk thashë asnjë gjë tjetër përveç asaj që nuk besoj ta kenë pasur me qëllim, por ndoshta, ngaqë e lanë për në sekondat e fundit një marrëveshje që duhej ta kishin bërë prej 2-3 muajsh, për t’u kursyer shqiptarëve të gjithë atë stres, pasiguri të ekonomisë, sezonit turistik që po afron, imazhit të vendit, sigurisht, nuk do të presim që kjo marrëveshje të jetë perfekte, por thelbi i kësaj marrëveshje është përfshirja e opozitës në zgjedhje. Ne jemi shumë të kënaqur që kjo që ka ndodhur dhe që vendi nuk rrëshqiti drejt fundit të greminës.

A është një vit 2008 i dytë për ju?

E kam thënë edhe më parë që nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim. I vetmi shqetësim kanë qenë zgjedhjet pa opozitën. Vendi do të shkonte drejt një konfrontimi civil dhe drejt delegjitimimit të institucioneve të ardhshme, pra të parlamentit, qeverisë, e kështu me radhë.Ndërsa për çështjen tjetër, kjo është krejtësisht e parëndësishme, pasi jemi dy realitete të ndryshme politike, elektorale…

Po qëllimet duken të njëjta.

E kam thënë edhe herë tjetër, historia nuk përsëritet njësoj. Nëse atëherë u përjetua si tragjedi, tani një qëndrim i tillë do të përjetohet si komedi dhe asgjë tjetër më shumë.

Ju e njihni mirë paketën McAllister, ishit pjesë e bisedimeve në tryezë dhe, siç thoni, jeni edhe një lloj gjeneruesi i kësaj ideje për qeverinë e besimit e të tjerë.

Unë kam kërkuar nga Partia Popullore Europiane, si Kryetar i Kuvendit, që të dërgonin një përfaqësues të tyre zyrtar, që t’i jepte besim opozitës, e cila nuk po hynte në dialog me maxhorancën për shkak të mosbesimit. Duke qenë se Partia Demokratike ishte pjesë e kësaj familjeje të PPE-së, i kërkuam zyrtarisht kryetarit të kësaj partie, z. Daul, dhe kjo gjë ndodhi. I kemi bërë të qartë Partisë Demokratike që në atë moment se do të pranojmë dhe do të mbështesim gjithçka që do të propozohet dhe do të sugjerohet nga përfaqësuesi i Partisë Popullore Europiane. Kjo gjë ka ndodhur deri në momentin kur ky përfaqësues i nderuar propozoi një paketë, për mua përfikte, në kushtet e qëndrimeve ekstreme të të dyja palëve.

Po, e cila nuk u pranua në fillim nga Partia Demokratike…

E cila në qoftë se të ishte pranuar në atë moment, do të kishte qenë një lehtësim shumë i madh për të gjithë.

Atëherë, sot kemi një “big mac”, kështu e cilëson Rama të paktën, sipas jush, si ka mundësi kaq dorëlëshuar Rama, kur thotë “big mac”, pra që i ka “dhuruar” Partisë Demokratike shumë më tepër seç kërkoi?

Unë nuk e kam parasysh se çfarë do të thotë “big mac” në rastin konkret, por mendoj se thelbi i kësaj që ka ndodhur është propozimi i McAllisterit. Për sa u takon detajeve, nuk është posti i Presidentit pjesë e kësaj pakete, që ne kemi qenë të gatshëm edhe një ditë para se të arrihej marrëveshja q ta rikthenim vetëm që……

U treguat të gatshëm që të jepnit dorëheqjen.

Po, të respektohej kjo paketë dhe të evitohej kriza dhe të garantohej përfshirja e opozitës, por është vendosur Kryeministri, apo janë shtruar dy –tre ministra, këto nuk kanë rëndësi, thelbi ishte që të gjendej një kompromis midis dy qëndrimeve ekstreme dhe të jepeshin disa garanci për zgjedhjet.

Megjithatë kjo marrëveshje, sipas jush, a arrin të artikulojë ato qëllime për cilat u ideua, qoftë edhe çadra, standarde më të mira zgjedhore, luftë kundër drogës, zgjedhje pa para droge e të tjerë? Në një vështrim të përgjithshëm, kjo marrëveshje a ka shërbyer shqiptarëve, përveçse futjen e opozitës në zgjedhje për arritjen e standardeve?

Kjo marrëveshje duhet të ishte arritur disa muaj më parë. Së dyti, po të vëmë re, shohim që asnjëherë, për fat të keq, këto dy parti nuk kanë pasur vullnetin e plotë për të garantuar standardet më të larta të zgjedhjeve, sepse gjithmonë ndryshimet në Kodin Zgjedhor apo reflektimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, gjithnjë për sa u takon zgjedhjeve paraardhëse, sepse për zgjedhjet që do të vijnë, gjithnjë e kanë shtyrë në kufij ekstrem dhe asnjëherë në mënyrë të hapur dhe transparente, nuk kanë respektuar të gjitha afatet dhe të gjitha normat, të cilat krijojnë mundësinë për një proces demokratik tërësisht të qetë, normal dhe në kohë. Pra, gjithmonë krijojmë situata artificiale krize në dëm të standardeve dhe në fund fare bëhen zgjidhje të sforcuara, të cilat arrijnë një qëllim pozitiv, pra shmangien e një përshkallëzimi ekstrem të krizës, por, ndërkohë, natyrisht po të vëmë re shumë probleme përsëri mbeten, sepse si mund të zgjidhen gjithë këto probleme kur kemi një konflikt të pafund për muaj të tërë. Rekomandimet e OSBE-ODIHR-it duhet të ishin miratuar me kohë dhe duhet të ishte koha e mjaftueshme për zbatimin e tyre. Pavarësisht nga këto, është arritur qëllimi kryesor, shmangia e një konflikti me dimensione të paparashikueshme dhe me kosto të mëdha për vendin tonë dhe për demokracinë tonë dhe për qytetarët tanë.

Ky ndoshta ishte qëllimi juaj, por qëllimi i deklaruar i opozitës ka qenë diçka tjetër. A i garanton marrëveshja standardet e lira të zgjedhjeve, z.Meta, apo jo?

Përderisa opozita e ka votuar këtë qeveri, qeverinë “Rama” për zgjedhjet, besoj se i ka garantuar shqetësimet e opozitës. Ky ka qenë shqetësimi ynë kryesor. Fakti që ne nuk kemi pasur mundësinë që t’i zbatonim rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të bërë një proces më demokratik në kohë, domethënë nuk është zhgënjyese, sepse nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë në vendin tonë.

Çfarë mendoni për ministrat teknikë, a do të kenë ata kapacitet të bëjnë diçka?

Unë uroj dhe dëshiroj që edhe ata të japin kontributin e tyre, jo vetëm ata, por të gjithë ministrat…

A kanë mundësi teknike realisht?

Edhe ata teknikë, edhe ata politikë duhet të jenë një shembull për të kontribuar në mënyrë të përgjegjshme që të mos ndikojë administrata dhe qeveria në procesin elektoral.

E kanë këtë mundësi ministrat teknikë?

Besoj se do ta kenë. Kjo është çështje vullneti, duke filluar që nga Kryeministri, nga ministrat politikë, nga ministrat teknikë dhe gjithë të tjerët…

Duke pasur parasysh që stafet janë ato të përzgjedhura nga ish-ministrat e të tjerë, a ka ndonjë mekanizëm real për ta kontrolluar?

Nuk mendoj se kishte ndonjë mundësi tjetër më të madhe për momentin për të realizuar këtë mirëbesim. Kjo mbetet për t’u verifikuar hap pas hapi.

A ju ka kërkuar Edi Rama të bojkotoni tryezën e partive politike të 17 majit të thirrur nga Mediu dhe Duka? Këtë gjë e ka deklaruar ish-kryeministri Berisha dje në këtë studio…

Unë nuk e di se çfarë ka deklaruar ish-kryeministri Berisha, por mund t’ju them që kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Vasili në vijim të qëndrimeve mjaft koherente të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë i vetmi politikan shqiptar që një ditë përpara se Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit të mbërrinte në Tiranë ka bërë një apel publik për të gjitha palët, sidomos për dy kryesoret, për ta kapur këtë shans, këtë vizitë, si një mundësi ndoshta të fundit për të garantuar zgjedhjet me opozitën dhe për të evituar përkeqësimin e kësaj krize me pasoja të paparashikueshme për të ardhmen.Së dyti, ajo që mund t’ju them është që Lëvizja Socialiste për Integrim asnjëherë nuk ka bojkotuar asnjë tryezë, e cila mund të ketë pasur qëllime të mira, pavarësisht nga aftësia apo nga kapaciteti i një tryeze për t’u dhënë zgjidhje edhe problemeve, sepse bojkoti në demokraci është i papranueshëm, aq më tepër i forcave parlamentare, të cilat pavarësisht se ishin të opozitës, treguan një vullnet mjaft pozitiv për të kapërcyer krizën.

E qartë, por ka qenë vetë Petrit Vasili, i cili dje mbrëma në një intervistë tjetër televizive ka deklaruar se eksponentë të Partisë Socialiste i kanë kërkuar të mos marrë pjesë në tryezën e 17 majit me argumentimin se do t’i shtohej rëndësia Partisë Demokratike. Jam duke cituar z. Vasili…

Unë nuk e di, po meqë ju dëshironi të citoni z. Vasili, po e citoj edhe unë z. Vasili, i cili më 17 maj paradite ka nxjerrë një deklaratë mjaft serioze, ku ka deklaruar se është momenti për t’i dhënë fund një teatri absurd apo diçka e tillë dhe jo transparent lidhur me këtë çështje. Ai ka deklaruar se paketa MekAlister duhet të pranohet pikë për pikë nga palët. LSI-ja me qëllim që të zbatohet pikë për pikë kjo paketë është e gatshme të ofrojë edhe postin e Presidentit, që ishte pjesë e kësaj pakete. Kështu që një politikan që bën një deklaratë kaq të përgjegjshme, kaq të fortë nuk mund të ndalet nga askush për të qenë në një tryezë, e cila ishte një shpresë për një reflektim të të gjithëve dhe ajo tryezë pati një rol mjaft pozitiv.

E prisnit 17 majin? E prisnit që Rama dhe Basha të uleshin kokë më kokë?

Kjo nuk është aspak e rëndësishme për mua. Ajo që unë nuk prisja, që nuk e mendoja, që nuk e doja kurrë ishte pikërisht që Shqipëria të shkonte në zgjedhje pa opozitën. Kjo do të ishte dramatike për një vend anëtar të NATO-s, për një vend që synon të çelë negociatat për anëtarësim dhe ua kam thënë edhe disa partnerëve ndërkombëtarë që jam gati të jap edhe dorëheqjen në qoftë se opozita e kërkon përsëri këtë gjë që të hyjë në këtë proces. Ata më kanë thënë: Pse duket ta bësh ti këtë gjë? Unë u kam thënë: “Më mirë të jem qytetar normal i një vendi normal se sa president i një republike që nuk bën dot zgjedhje me opozitën.” Se e ka fajin Lulzim Basha, apo e ka fajin Edi Ram, apo e ka fajin Ilir Meta kjo nuk ka shumë rëndësi edhe për qytetarët shqiptarë në tërësi, nuk jam duke folur për fanatikët e palëve dhe aq më tepër nuk ka fare rëndësi për ndërkombëtarët. Për ata e vetmja gjë që do të mbetet është që ky vend nuk paska kapacitete që të bëhet një vend normal. Sa herë që ka shpresa që ky vend të ngrihet, përsëri rrëzohet dhe kjo do të ishte një gjë mjaft e rëndë.

Të flasim edhe për çfarë ka rëndësi për LSI-në, sepse Rama nuk u konsultua me ju për marrëveshjen, nuk ju bëri pjesë të marrëveshjes, nuk ju pyeti kur shkarkoi ministrin Vasili. A jeni lënduar nga mënyra se si është sjellë aleati juaj?

Së pari, nëse unë kam një pakënaqësi ndaj z. Rama, pakënaqësi të shprehur jo vetëm ndaj tij, por edhe në prani të z. Ruçi, në prani të z. Agaçi, në prani të kolegëve të tjerë, sepse kemi bërë shumë takime ne për këtë çështje, e kam që duhej të kishte reflektuar më shpejt dhe duhet t’i kishte dhënë zgjidhje më shpejt kësaj situate, por absolutisht nuk mund të kem asnjë pakënaqësi, përkundrazi, pse u zgjidh më 17 maj, pse u zgjidh në orën 12:00 apo 03:00 të mëngjesit dhe si u zgjidh e pse u zgjidh. E vetmja pakënaqësi është se duhej të ishte zgjidhur më parë. Sidoqoftë, e rëndësishme është që ajo krizë, për mua dramatike dhe e paparashikueshme, u evitua dhe unë për këtë i falënderoj edhe Edi Ramën, edhe z. Basha.

Kush e zgjidhi krizën?

Mendoj se krizën e zgjidhën faktori i brendshëm dhe faktori ndërkombëtar, i cili u bëri të qartë të dyja palëve se nuk mund të vazhdonin më tej me variantet e tyre ekstreme.

Qartësisht faktori amerikan, atëherë?

Pa dyshim që kontributi i faktorit amerikan ka qenë shumë i rëndësishëm, por paketa “McAllister”, angazhimi i McAllisterit, i Fleckensteinit dhe i partnerëve të tjerë europianë ka qenë mjaft thelbësor gjithashtu. Natyrisht që kemi edhe faktorin shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar.

“Amerikani që erdhi kishte teknika të sprovuara dhe teknologji të sprovuara negocimi”, tha ish-kryeministri Berisha. Meqë është e freskët intervista e tij, që u bë dje në darkë, po e kujtoj. A përdori kërcënimin, shantazhin, çfarë ka ndodhur që u bindën pikërisht në momentin e fundit Rama dhe Basha? Çfarë mendoni?

Unë nuk mendoj se këto teknikat e Doktorit… Nuk i paragjykoj dhe as i paramendoj dot. Natyrisht, kur Doktori flet për gjëra të tilla, ai ka informacionet e tij. Unë pata një takim shumë të mirë më Zëvendës Ndihmës Sekretarin për këtë situatë dhe patëm një mirëkuptim shumë më të plotë për mënyrën si duhet tejkaluar kjo krizë dhe absolutisht, duket si rastësi, ishte një domosdoshmëri që Shqipëria të mos turpërohej, që qytetarët shqiptarë të mos përjetonin një sagë tjetër vuajtjesh, rraskapitjesh, pasigurish, problemesh, konfliktesh e kështu me radhë.

Qëndrojmë te marrëveshja dhe te produktet e saj. Në votimin për shkarkimin e ministrave, që u bë ditën e hënë, u pa se ju votuat kundër shkarkimit të Arben Ahmetajt dhe pyetja e parë është kjo: ishte gabim, apo ishte një qëndrim ndryshe?

Mendoj se ndërrimi i ministrit të Financave, sipas vlerësimit tim, nuk ishte bindës, aq më tepër duke pasur parasysh edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë edhe me stabilitetin makroekonomik dhe me çështje të tjera. Kuptohet që, në rast se do të dilte çështja e ndërrimit të disa ministrave, besoj se të gjithë kemi qenë të qartë që në fillim të kësaj situatë që e para ishte çështja e ministrit të Brendshëm (nuk ka rëndësi se kush ishte dhe se kush është, por në një rast mosbesimi kjo është normale); e dyta, ministri i Drejtësisë, edhe kjo është më se normale, natyrisht edhe disa ministra të tjerë sipas shqetësimeve që mund të kishte opozita. Thjesht ishte një qëndrim personal, por që nuk ndryshonte asgjë.

Dakord që marrëveshja futi Partinë Demokratike në zgjedhje, por nga shumë u konsiderua edhe si pazari i radhës ndërmjet dy partive të mëdha, PD-së dhe PS-së, përveç atyre që janë shkruar qartazi në letër, kur lexoni këtë marrëveshje, a shikoni një pakt tjetër të fshehtë?

Nuk shikoj asgjë tjetër, sepse nuk më intereson asgjë tjetër. Më intereson që opozita është përfshirë në zgjedhje; më intereson që vendi është shumë i qetë. Është shumë e rëndësishme që kjo qetësi dhe kjo situatë pozitive të ruhet edhe gjatë fushatës; qytetarët të jenë të qetë, të votojnë të qetë, të votojnë të lirë dhe larg çdo presioni nga kushdo qoftë. Mendoj se kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër.

Çfarë u luajt realisht në Tiranë që nga largimi i McAllisterit, që prezantoi pa sukses paketën e tij të parë, por mbi cilën u draftua edhe Big Mac-u i famshëm tashmë? A ishte vërtet vendi buzë greminës, siç thuhej, apo ishte i gjithi një teatër, z. Meta? Basha dhe Berisha që thoshin se do ta nxirrnin Ramën zvarrë nga zyra, Rama që thoshte ta harronin qeverinë teknike, kurse sot situata është kjo për të cilën flasim. Çfarë teatri ishte?

Nuk dua të bëj gjykime të tilla, sepse bëra jo pak analiza dhe në pyetjet tuaja të mëparshme. Kemi të bëjmë me një klasë politike që ka ende nevojë të maturohet dhe të ketë një vështrim afatgjatë për zgjidhjen e problemeve dhe, mbi të gjitha, të ketë një vullnet më të madh për t’i parandaluar krizat. Mendoj se kjo është mjaft e rëndësishme për të forcuar qëndrueshmërinë e vendit dhe besueshmërinë e tij, pra parashikueshmërinë e vendit. Kjo është shumë e rëndësishme për qytetarin, është e rëndësishme për sipërmarrësin, për investitorin, për të gjithë. Natyrisht, është e rëndësishme të tregojmë që kemi klasë politike profesioniste, e cila di se çfarë kërkon, e cila përdor mjetet e duhura për të kërkuar diçka që është e arsyeshme, që është e logjikshme, që është në interesin e publikut dhe di që interesat e ngushta të mos i vendosë kurrë mbi interesat e publikut dhe mbi interesat e vendit.

Po thoni që deri tani nuk e ka treguar këtë?

Në rast se do të ishte treguar kjo gjë, do të ishim në një situatë tjetër prej disa muajsh. Megjithatë, në sekondën e fundit pati një reflektim. Kjo është pozitive dhe unë përshëndes.

Marrëveshja që ju e vlerësuat edhe këtë mbrëmje, të paktën publikisht rrezikon të prishet pa hyrë ende në fuqi. Ish-kryeministri Berisha deklaroi mbrëmë në këtë studio se Partia Demokratike thjesht ka miratuar emrat e anëtarëve të komisionit të vetingut dhe ligji duhet riparë. Sot është përgjigjur Rama duke thënë: “Në qoftë se komisionet nuk japin produktin e tyre final brenda majit, marrëveshja prishet”. Po lind një konflikt i ri?

Mendoj se kemi parë konflikte shumë më të forta se ky. Unë besoj se marrëveshja do të funksionojë, opozita do të vazhdojë në zgjedhje dhe reforma në drejtësi do të vazhdojë rrugën e saj.

A qe realisht vetingu thelbi i çështjet, siç thoshte Rama, frika e opozitës?

Fakti që opozita e votoj, tregoi se ky nuk ka qenë shqetësimi i vetëm i saj kryesor. Shqetësimi i saj kryesor ka qenë garancia për zgjedhjet dhe mospërdorimi i vetingut apo i reformës në drejtësi për qëllime politike.

Mendoni se Rama dhe Basha në takim i kanë dhënë garanci njëri-tjetrit, kanë kërkuar garancinë e njëri-tjetrit për imunitet ndaj vetingut?

Ju po i kërkoni pyetjen një personi, i cili, ashtu sikurse edhe ju, nuk ka qenë në atë takim, dhe, natyrisht, nuk ka të drejtë të paragjykojë seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e tyre.

Ju i trembeni vetingut të votuar nga dy partitë e mëdha në këtë mënyrë ?

Të lutem, Eni, as vetingut dhe asnjë gjëje tjetër, përkundrazi, dhe as zgjedhjeve të ndershme dhe të lira. LSI-ja, sikurse ju e dini, ka qenë gjithmonë forca më e interesuar për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Gjithmonë shikojmë se mbas çdolloj marrëveshje thuhet se kjo dëmton LSI-në. Pse duhet të bëjnë marrëveshje për të dëmtuar LSI-në apo partitë e tjera, aq më tepër nga parti, të cilat thonë se kanë kauzë zgjedhjet, që janë partitë të përgjegjshme, që janë parti që janë garanci për demokracinë dhe kështu me radhë?

A keni ndjesinë që vetingu mund të përdoret politikisht në një mënyrë apo në një tjetër për të goditur dikë, një grup, një kategori?

Nuk është fare e rëndësishme në momentin që vetingu apo reforma në drejtësi përdoret politikisht, ajo është e dështuar dhe nuk do të arrijë ato qëllime politike që dikush mund të synojë. Do të ishte një komprometim i reformës dhe unë nuk e dëshiroj këtë, për hir të besimit që qytetarët shqiptarë kanë dhe duan të kenë te një drejtësi e re, larg ndikimeve dhe lojërave politike.

Në datën 20 maj, në një takim me dyer të mbyllura me kandidatët e Partisë Socialiste për deputet, Kryeministri Rama ka deklaruar dhe po citoj: “LSI-së i kemi dalë borxhit, për muaj me radhë e kemi lutur të bëhet pjesë e koalicionit dhe nuk donte”. Keni një koment për këtë?

Nuk e kam dëgjuar këtë gjë. Së dyti, mund t’ju them se nuk ka pasur asnjëherë një ftesë serioze nga lidershipi i Partisë Socialiste për koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Kur thoni ftesë serioze, si kanë qenë ftesat?

Më fal, mund të ketë pasur nëpër takime, që ne i bëjmë 71 edhe pa LSI-në, i bëjmë dhe me PDIU, por është mirë që të vijnë dhe ata e kështu me radhë. Pra, më shumë ka pasur ngacmime apo mistrecllëqe se sa ftesa serioze.Së dyti, LSI- ja ka qenë tepër korrekte në këtë koalicion dhe e ka treguar gjithmonë, siç ka qenë mjaft korrekte edhe me Partinë Demokratike në të kaluarën. Ajo që dua të nënvizoj është se LSI-ja ka qenë e qartë, që ajo do të shprehet për koalicionin pasi të përfundonte periudha e këtij mandati, së dyti, pasi të përfundonte edhe reforma zgjedhore, pra të përcaktoheshin rregullat e lojës, natyrisht ka qenë e hapur që të bëhej edhe një bilanc i qeverisjes në 4 vjet për të konfirmuar dhe për të rikonfirmuar një koalicion të ri, të cilin ajo asnjëherë nuk e ka përjashtuar.

Kjo nuk u bë për shkak të këtij bilanci, edhe pse keni qenë i hapur?

Për shkak të të gjitha këtyre zhvillimeve dhe askush nuk ka pse të justifikohet, pse nuk u bë koalicioni me këtë. LSI-ja nuk e ka një shqetësim të tillë.

Pra, ju nuk e keni refuzuar, nuk keni pasur kurrë një “jo”, ndaj një ftese…

Ju nuk e besoj se keni dëgjuar ndonjëherë ndonjë “jo”.

Në ambiente informale midis jush apo zyrtarisht midis jush, pra jo publike, a ka pasur një refuzim tuajin nga…

As publikisht dhe as informalisht kjo gjë nuk është refuzuar, por ky nuk përbën asnjë lloj shqetësimi për ne, përkundrazi me marrëveshjen aktuale dhe me evitimin e koalicioneve LSI-ja është më e favorizuar.

Dakord, do të dalim përsëri te shifrat, por qëndrojmë te kjo…

Nuk është thjesht çështje shifrash, edhe shifrash, por edhe politikisht.

Ju keni deklaruar disa herë: “E vendosin strukturat, do të shikojmë, do të marrim kohë”, Rama thotë: “Këto janë teknikalitete, përdor teknika LSI-ja e të tjera”. Pra, realisht nuk ka pasur kurrë asnjë ftesë, asnjë bashkëbisedim për të ardhmen e koalicionit midis jush?

Unë mendoj se isha shumë i qartë. Nuk ka pasur asnjëherë asnjë ftesë serioze dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë refuzim nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Qëndrimi ka qenë i qartë, sigurisht që vendosin forumet, vendosim në kohën e duhur, pasi të mbarojë edhe reforma zgjedhore dhe të bëhet një bilanc i koalicionit.

Në një takim me banorët e zonës së Kasharit, Rama ka deklaruar sërish, po e citoj: “Nëse votoni opozitën puna në bashkinë e Tiranës, do të bllokohet”. Shprehimisht ka deklaruar: “Votoni Saliun, ju nuk i shikoni më shkollat, votoni Salin pastaj harroni lali Erin duke bërë punë, e keni vetëm për dasma, e keni vetëm për ngushëllime”. A do të ndërpriten investimet në bashkinë e Tiranës, nëse nuk fiton PS, siç thotë z. Rama?

Tani, unë nuk e kuptoj këtë: “ Nëse votoni Saliun”, sepse me sa di unë doktori nuk kandidon për Kryeministër, por si President i ardhshëm, pas 24 korrikut unë do të bëj çdo gjë që cilido të jetë Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, të vazhdojnë të ndërtohen shkollat në bashkinë e Tiranës, pasi unë mendoj se kryetari i bashkisë bën një punë me përkushtim për qytetin.

Edhe LSI-ja drejton disa nga bashkitë më të rëndësishme të vendit. Mund ta përdorni edhe ju si formulë në fushatë?

Cilën? Jo, absolutisht! Unë mendoj se ky stil është shumë i vjetruar që të kërcënosh qytetarët se do të ndërpriten këto, nëse nuk u votua ky ose ai. Kjo nuk ka lidhje, aq më tepër që pushteti lokal me pushtetin qendror kanë dy raporte të ndryshme dhe nuk është mirë, nuk është etike që të kërcënohen votuesit apo të frikësohen se në rast se do të ndërrohet kjo qeveri nuk do të votojnë, sepse sipas kësaj i bie që të gjithë ata të cilët jetojnë në bashkitë që qeveris Partia Demokratike, patjetër në këto zgjedhje duhet të votojnë për Partinë Demokratike, sepse po të vazhdojë Edi Rama Kryeministër, do të ndëshkohen dhe nuk do të ketë shkolla, investime e të tjera. Kjo nuk më duket e logjikshme.

Sot që flasim, a është LSI-ja në koalicion me Partinë Socialiste, e kam fjalën në një koalicion funksional?

Unë mendoj se është funksional aq sa është brenda të gjithë parametrave të realitetit tonë, mendoj unë, por pyetja më e saktë mund t’i drejtohet z. Vasili.

E kuptoj. E quani veten edhe në koalicion me Partinë Demokratike, sot që flasim?

Partia Demokratike është në këtë qeverinë “Rama” me ekspertë, me teknikë, pra nuk mund të themi se ajo ndan qëllime politike me këtë qeveri apo me këtë maxhorancë.

Pra, do të konsideronim se po bashkëqeverisni të gjithë bashkë në një koalicion të gjerë.

Mendoj se kjo është aktualisht një qeveri besimi për zgjedhjet.

Janë të shumtë zërat që flasin se pikërisht kjo marrëveshje historike midis Ramës dhe Bashës: për herë të parë ulen, shtrëngojnë duart, arrijnë të draftojnë një marrëveshje, është paralajmërimi i një koalicioni paszgjedhor me bazë të gjerë midis Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Ju çfarë mendoni?

Unë mendoj se kjo nuk do të habiste askënd dhe nuk ka arsye as për t’u habitur, as për t’u tronditur, ndoshta mund të jetë diçka pozitive, nëse ky është qëllimi, do të ishte akoma më mirë që kjo të shpallej dhe t’u jepej mundësia qytetarëve që të shpreheshin më parë për një koalicion të tillë. Shpesh kam vënë re se bëhet një paralelizëm i tillë me modelin gjerman, për të gjithë ata që nuk e dinë modelin gjerman, është një model kryesisht bipolar, midis të djathtës dhe të majtës: SCDU-së, CSU-së dhe SPD-së të cilat kanë disa partnerë të tjerë respektivë, në krahët e tyre, siç janë liberalët në krahun e CDU-së apo siç janë të gjelbërtit në krahun tjetër, të së majtës. Kur ata nuk arrijnë të bëjnë një qeveri politike të majtë apo të djathtë me ndonjë nga partnerët e tyre, për shkak të rezultateve, për shkak të pamundësisë për të qeverisur vendin, detyrohen të bëjnë një koalicion të madh. Në rastin tonë, ne në Shqipëri nuk kemi një politikë të tillë, praktikisht, por kemi politikë trepolare. Kemi PS, PD dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim.Kjo formulë pa koalicione e forcon trepolaritetin në vend. Një preferencë e tillë e dy partive vetëm se do ta forconte akoma më tej LSI-në si një faktor shumë të fuqishëm në të ardhmen.

Automatikisht në opozitë, apo jo?

LSI ka lindur si një divorc me një pushtet arrogant, duke u themeluar në opozitë, dhe ka qëndruar për një kohë të gjatë në opozitë. Absolutisht, unë mendoj se do të ishte nder për LSI-në, që të bënte opozitën e ardhshme në rrethana të tilla; do të ishte një opozitë jashtëzakonisht e suksesshme, po të kemi parasysh edhe përjashtimin e shumë faktorëve të rinj, që është bërë aktualisht në jetën politike në mënyrë jodemokratike e transparente.

A mendoni se ka realisht shanse, duke e njohur shumë mirë z. Rama, e po kështu edhe z. Basha, ju i njihni mirë, sepse keni punuar me ta për një kohë të gjatë, pra a mendoni se plani është pikërisht ky, pra ky koalicion me bazë të gjerë?

Kjo gjë nuk më intereson, nuk më preokupon dhe nuk është në axhendën time. Në axhendën time deri më 25 qershor, si anëtar i LSI-së, por edhe si ish-kryetar i saj, sepse kam detyrimet e mia, pasi kryesisht, listat e deputetëve janë bërë nën drejtimin tim, kuptohet me forumet e LSI-së, që të kontribuoj për këtë objektiv mjaft ambicioz por edhe tepër realist që ka LSI për të qenë forcë e parë politike. Mendoj se të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së duhet të përqendrohen te ky objektiv. Më pas, më 26 qershor do të lexohet dhe do të respektohet vota e qytetarit shqiptar.

Do të doja të ndaloja në dy-tri pika, për të përfunduar gjithë kapitullin e kësaj marrëveshjeje midis Ramës e Bashës, marrëveshje e titulluar Big Mek, sipas Kryeministrit. Ju nuk e keni fshehur kurrë simpatinë për ish-Kryeministrin Berisha, për një kohë të gjatë keni deklaruar se e keni pikë të dobët, ndërsa javën e kaluar thatë se e keni edhe pikë të fortë. Ç’donit të thoshit me këtë?

Unë dhe doktori, që të dy, kemi një pikë të fortë: të dy e mbajmë fjalën. Sa për simpatinë, s’e kam fshehur. Jam kritikuar për këtë gjë, por nuk e fsheh dot.

Dakord, por ju e deklaruat këtë menjëherë pasi dolët nga një takim pas marrëveshjes. Berisha dje në mbrëmje tha se thjesht konsumuat një kafe. Në fakt, të gjithë ne pak e besojmë këtë, pra që nuk biseduat për marrëveshjen. Kjo ishte ideja e asaj që tha doktori.

S’kishim asnjë arsye të bisedonim për marrëveshjen, sepse besoj se thelbi i marrëveshjes qe përfshirja e opozitës në zgjedhje. Në mos gaboj, në titra e kam parë se ai ka thënë se unë e dija që LSI do të hyjë në zgjedhje. Apo jo, ka thënë kështu? Atëherë do t’ju them edhe juve, edhe të gjithëve që na ndjekin këtu, se sigurisht, unë kam pasur komunikimet e mia edhe me z. Basha, edhe me z. Berisha, edhe për arsye të ndjekjes së situatës në vend, sepse duke qenë kryetari i Kuvendit, më pas u detyrova që, për shkak të rrethanave, të zgjidhem edhe President. Edhe si president i ardhshëm, por edhe për shkak të përfshirjes sime edhe me partnerët ndërkombëtarë, si në rastin PPE-së, por edhe me partnerët e tjerë amerikanë dhe vazhdimisht më është kërkuar, përveçse veprimet që unë i kam bërë për shkak të bindjes sime, që të jap mesazhe të duhura dhe konstruktive, edhe z. Basha, edhe z. Berisha. Kjo e dyta vjen si rezultat i faktit që ata e dinë këtë dobësi, pra kjo nuk është një dobësi që dihet vetëm këtu brenda vendit, dhe unë ua kam bërë të qartë ndërkohë që ne i përkrahim për çështjet që ata kanë të drejtë, si lufta kundër drogës, si dekriminalizimi, edhe garancitë që duhen dhënë për këtë çështje, kemi bërë të qartë që LSI-ja kurrë nuk mund të bojkotojë zgjedhjet se nuk e ka bërë ndonjëherë këtë gjë, por do të luftojë gjithmonë që opozita të përfshihet dhe ajo duhet të tregojë vullnetin vetë që të përfshihet dhe të heqë dorë nga qëndrimet maksimaliste…

Dakord, po ju thatë nuk ka zgjedhje pa opozitën, pastaj u regjistruan…

Po zgjedhjet u bënë pa opozitën?

Po me një marrëveshje ku ju nuk ishit më ndërmjetës…

Po si mendoni ju, se në rast se unë nuk do të kisha pranuar të zgjidhesha President dhe dy raundet e fundit të ishin djegur dhe vendi të shkonte automatikisht në zgjedhje, a do të kishim zgjedhje me opozitën? Do të kishim një situatë krize.Së dyti, në rast se LSI-ja nuk do të regjistrohej, siç u regjistrua, apo PDIU-ja, çfarë do të kishim? Një përshkallëzim të krizës, një insistim të PD-së për të arritur objektivat e saj maksimalë. Objektivi maksimal ishte largimi i Edi Ramës, i qeverisë e të tjera me radhë dhe do të kishim edhe një acarim të z. Rama në kushte të tilla dhe do të kishim një pështjellim të mëtejshëm dhe përkeqësim të mëtejshëm të krizës. Pra, e gjithë sjellja e LSI-së ka qenë e orientuar në mënyrë mjaft të qartë, mjaft parimore, mjaft konstruktive dhe mjaft të ndershme me të dyja palët, edhe me Edi Ramën dhe drejtuesit e PS-së me të cilët kemi bërë edhe në takim zyrtar në Hotel Tirana, kur vendosëm të ftonim PPE-në, dhe ka qenë shumë i ndershëm dhe shumë konstruktiv edhe me PD-në, kur i kemi bërë të qartë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, edhe indirekt që këto çështje të qëndrojnë dhe keni të drejtë, por zgjedhje përtej 9 shtatorit nuk mund të ketë, sepse zgjedhjet përtej 9 shtatorit ne nuk mund t’i mbështesim. Mund të ndodhë vetëm në qoftë se Shqipëria hyn në luftë, largqoftë, me një vend tjetër, përndryshe nuk mund të zgjatet mandati i një parlamenti në një formë tjetër.Votim elektronik nuk mund të ketë, jo se s’duhet të ketë, mund të ishte bërë më përpara, por koha është e tillë që kjo e bën të pamundur realizimin në një kohë optimale, ashtu sikurse u kemi bërë të qartë se Kryeministri mund të largohet vetëm në rast se jep vetë dorëheqjen, me vullnetin e tij, për të krijuar një situatë mirëbesimi, përndryshe, variantet e tjera për ne janë të përjashtuara, sepse është legjitim për shkak të një koalicioni legjitim

Dakord. Por qëndrimi i LSI-së nuk ka zgjedhje pa opozitën sipas shumë analistëve dhe shumë zërave frymëzuan çadrën dhe qëndrimin për muaj të tërë në Lulzim Bashës aty, duke shpresuar te mbështetja e LSI-së…

Po si të thoshim ne, se do të bëjmë zgjedhje pa opozitën? Se ne këtë e dëgjuam edhe nga disa kolegë ndërkombëtarë…

Ju kanë akuzuar se e keni tradhtuar madje PD-në momentin që ju u regjistruat…

Së pari, nuk i kemi dhënë besën PD-së që nuk do të hymë në zgjedhje. Kemi thënë se nuk ka zgjedhje pa opozitën dhe qëndrimi ynë ka qenë edhe pasi unë jam zgjedhur president, përsëri, patjetër duhet të përfshihet opozita. Dhe mos harroni qëndrimin e Petrit Vasilit edhe ai kur është bërë kryetar i ka qëndruar marrëveshjes dhe propozimit të LSI-së për një qeveri besimi dhe ka konfirmuar edhe ai që LSI-ja është e gatshme të dorëzojë mandatet e saj.Mos të harrojmë që Petrit Vasili ishte i vetmi politikan shqiptar që një ditë para vizitës së përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit u bëri thirrje të gjithë palëve për ta shfrytëzuar këtë shans për t’i dhënë fund krizës dhe po me 17 maj paradite, Petrit Vasili si kryetar i LSI-së ka bërë një deklaratë shumë të qartë për t’i dhënë fund një teatri jotransparent që po rrezikon sigurinë e vendit e kështu me radhë dhe ka thënë që paketa “McAllister” të zbatohet pikë për pikë dhe, për të zbatuar pikë për pikë atë, ne jemi gati të kontribuojmë për të rikthyer në tryezë edhe postin e presidenti, që ishte një nga pikat e para të kësaj pakete.Pra, i gjithë roli i LSI-së ka qenë tërësisht korrekt. Tani çfarë ndodh këtu? Arrihet një marrëveshje në sekondat e fundit, që duhet të ishte arritur më parë, që kur e thamë ne, që kur e thanë të tjerët, se e kanë thënë edhe përfaqësues të komitetit ndërkombëtarë me kohë dhe kemi dy palë që donin ta çonin situatën në ekstrem, të cilat, për mosarritjen e qëllimeve të tyre ekstremiste, duan t’ia vënë fajin LSI-së. Njëra palë, po themi, këta drejtuesit e Partisë Demokratike, thotë se fajin e ka LSI-ja pse s’e hoqëm ne Edi Ramën, sepse na tradhtoi, ndërkohë që ky nuk ka qenë asnjë premtim dhe asnjë angazhim i Lëvizjes Socialiste për Integrim për Partinë Demokratike. Angazhimi ynë ka qenë që kjo kauzë e zgjedhjeve është një kauzë e drejtë dhe ju mbështesim për një, dy, tre, katër dhe pesë gjëra, për Kryetarin e KQZ-së, për çështjet e policisë dhe kështu me radhë, ashtu sikurse ia kemi bërë të qartë edhe kryeartit të Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj se zgjedhjet pa opozitën janë një dramë dhe jo një variant, i cili mund ta zgjidhë këtë lloj krize. Në radhë të parë, është në dëmin e vet, të partisë Socialiste, të këtij koalicioni dhe kësaj shumice. Tani kemi justifikim se fajin e ka LSI-ja pse ne nuk arritëm qëllimin maksimal që kishim, por, natyrisht, le ta mbajë LSI-ja këtë faj, sepse ajo është për stabilitetin dhe normalitetin e vendit dhe qëndrimet e saj kanë qenë mjaft objektive, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

A keni pasur komunikim me z. Rama apo z. Basha pas marrëveshjes?

Ju e dini që pas marrëveshjes kam pirë kafe me Doktorin, siç jua ka konfirmuar ai, kam pirë kafe edhe me z. Rama dhe nuk ka arsye të takohemi, sepse mendoj se ekziston një mirëkuptim i plotë që u arrit qëllimi kryesor, opozita u përfshi në zgjedhje. Kjo është një arritje për të gjithë vendin. Por, në radhë të parë, e gjithë kjo krizë duhet të jetë një mësim se si të parandalohen kriza të tilla në të ardhmen.

Cilat janë pritshmëritë për 25 qershorin? Sa mandate mendoni se mund të merrni? Dua një shifër si qëllim, si targetin tuaj kryesor.

Së pari, kjo është një pyetje që do t’i takonte z.Vasili të përgjigjej. Ajo që unë mund t’ju them është që ditën e zgjedhjeve, ashtu siç kam thënë në vitin 2013 se sa mandate do të dilnin nga kutitë, do t’ua them para se të hapen kutitë dhe do ta them me saktësi të plotë. Ajo që mund të them sot me bindje është që LSI-ja i ka të gjitha mundësitë për të qenë forcë e parë politike në këto zgjedhje dhe e besoj plotësisht këtë objektiv të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky do të ishte një mesazh shumë pozitiv për stabilitetin dhe normalitetin e vendit në të ardhmen dhe për t’i dhënë rinisë shqiptare vendin që meriton në jetën politike.

A do të merrni pjesë në fushatën elektorale të LSI-së apo do të qëndroni në hije, pavarësisht se ju zyrtarisht e merrni detyrën më 24 korrik?

Unë jam anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim deri më 23 korrik. Së dyti, do ta shfrytëzoj të gjithë këtë kohë për të takuar sa më shumë anëtarë dhe simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Unë mund të rrija edhe kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim deri më 23 korrik, sepse nuk më ndalonte as Kushtetuta dhe asgjë tjetër, por e dhashë dorëheqjen për arsye se, duke qenë se unë e filloj ushtrimin e detyrës së Presidentit nga 24 korriku, unë nuk mund të dal të bëj premtime për katër vitet e ardhshme për taksat, për vende pune apo për çdo gjë tjetër, ndërkohë që nuk do të kem një pozicion të tillë për t’i mbajtur këto premtime.  Natyrisht, kjo detyrë dhe kjo përgjegjësi i takon z. Vasili, si lider i ri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Unë, si anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të marr pjesë në çdo takim ku do të ftohem, dhe, sidomos, do të jem në mbështetje të kandidateve dhe kandidatëve të rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Sa mendoni se do e dëmtojë LSI-në në këtë fushatë elektorale mungesa juaj si kryetar i LSI-së?

Zero. Aq sa u dëmtua Portugalia në finalen ndaj Francës kur Ronaldo doli nga loja, për arsye se i gjithë ekipi, që priste ndoshta diçka më shumë nga Ronaldo, u mobilizua akoma më shumë në fushë dhe e mundi Francën e madhe, i cili ishte një rezultat i paparashikueshëm. Ndërkohë që unë nuk është se kam dalë nga loja, por që shiritin e kapitenit e ka z. Vasili.

Unë dua të di se kush është Ronaldo në këtë situatë?

Nuk thashë se kush është Ronaldo, por meqenëse ju e lidhni kaq shumë LSI-në me emrin tim, unë…

Ju po thoni se LSI-ja nuk ka më nevojë për kryetarin e saj?

LSI-ja nuk ka pasur një kryetar, i cili e ka konceptuar LSI-në si partinë e Ilir Metës, pavarësisht se Ilir Meta ka një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim, falë filozofisë që unë kam investuar prej 14 vjetësh, është partia më e organizuar në Shqipëri, është partia që ka forume, ka kryesi, ka komitete në të gjithë vendin, dhe jo vetëm të partisë, por të Lëvizjes Rinore për Integrim, të Lëvizjes së Gruas për Integrim. Pra, është partia që funksionon në mënyrën më demokratike dhe më institucionale në vend. Kjo frymë ekipi është garancia më e madhe për suksesin e LSI-së dhe ky solidaritet i brendshëm reflekton edhe në gjithëpërfshirjen që ofron LSI-ja për të gjithë, jo vetëm për anëtarët e vet, por për të gjithë qytetarët shqiptarë, sidomos të rinjtë që duan të jenë pjesë e një force ku respektohen, ku dëgjohen, ku përfshihen.

Keni paralajmëruar surpriza në këto zgjedhje, e thatë edhe pak më parë gjatë intervistës sonë. Për çfarë surprizash e keni fjalën? Në numra, në ngjarje, në koalicionin e ardhshëm që do të zgjedhë të bëjë LSI-ja? Për çfarë surprizash e keni fjalën?

Surprizat, kur tregohen, nuk janë më të tilla, por surpriza e parë është vetë rezultati i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Më pas, besoj se kjo surprizë do të sjellë surpriza të tjera.

Pra, shifra?

Për shifrat, nuk e di, por rezultati do të jetë surprizë.

Sipas llogaritjeve, nëse pretendoni mandate në Fier dhe në Vlorë, praktikisht do të lini jashtë parlamentit Kryeministrin Rama, që në Vlorë është i 6-ti, dhe Gramoz Ruçin, që në Fier është i 9-ti? Do të tentoni ta bëni këtë?

Së pari, nuk besoj se këtu ka objektiva për të dëmtuar dikë, qoftë nga PS-ja, qoftë nga PD-ja apo ndonjë parti tjetër. Nuk ka lidhje fare, nuk është ky koncepti dhe filozofia e LSI-së. Për fat të keq, forcat e tjera rrezatojnë energji negative. Vendimet e tyre udhëhiqen si të dëmtojnë të tjerët, jo si do të promovojnë veten e tyre, idetë dhe përfaqësuesit e tyre. LSI-ja është një forcë që nuk bazohet te goditja e konkurrentit, bashkëpunëtorit, rivalit apo kundërshtarit, absolutisht, por thjesht ka objektivat e veta të afirmimit të saj, tërësisht legjitim, dhe, natyrisht, duke kërkuar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë. Çdo forcë ka objektivat e veta. Të shikojmë se cila do t’i realizojë. Të gjitha nuk do t’i realizojnë. Kemi tri forca që duan të jenë forcë e parë.

Por a ishin listat e LSI-së, që i keni miratuar edhe ju, e thatë vetë, në bashkëpunim e të tjera, të hartuara me mendimin se Partia Demokratike nuk do të hynte në zgjedhje?

Asnjëherë nuk kam menduar se Partia Demokratike nuk do të hynte në zgjedhje. E kam pasur këtë shqetësim, sepse nuk e kam ditur axhendën e lidershipit të Partisë Demokratike, por nuk kam dashur të mendoj asnjëherë që ky vend mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Kjo do të ishte diçka…

Si shpjegohet ndryshe, për shembull, lista e Tiranës, me aq shumë të rinj? Me persona pa eksperiencë?

Më vjen keq që thoni “pa eksperiencë”, sepse nuk mund të thuash që Klajda Gjosha është pa eksperiencë.

Klajda është vetëm një prej tyre. Po të shikosh të tjerët…

Jo, jo, të gjithë janë me eksperiencë. Nuk mund të thuash se Kejdi Mehmetaj është pa eksperiencë. Ajo vërtet është një deputete e re, por ka shkëlqyer në parlament në raport me shumë të tjerë, që kanë eksperiencë vetëm për sherr, për konflikt, për të sharë kundërshtarin në emër të kryetarit e kështu me radhë.  Nuk mund të them kurrsesi që Luan Rama është një figurë pa eksperiencë, kryetari i grupit parlamentar apo edhe shumë figura dhe shumë personalitete të tjera.  Ardit Çela nuk është pa eksperiencë, është një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe shumë prej tyre kanë bërë një figurë të shkëlqyer si këshilltarë të Bashkisë së Tiranës. Padyshim që ne u kemi dhënë prioritet të rinjve në Tiranë, sepse ne besojmë shumë te republika e re, vendi duhet të ketë një republikë të re.  Në radhë të parë, kërkon një filozofi të re dhe këtë e sjellin të rinjtë dhe të rejat pa ngarkesa, pa intriga, pa pabesi dhe…

Pra, mbështeteni aty për të maksimizuar rezultatin? Pikërisht te kjo lloj liste, me shumë të rinj?

Ne mbështetemi te mesazhi i qartë i LSI-së si forca kryesore që garanton stabilitet, normalitet, demokraci dhe një qeveri në shërbim të qytetarit, si forcë që i vendos të rinjtë të parët në programin e saj. Nuk dua të flas tani për programin, sidomos për programin për rininë, strategjinë për punësimin e rinisë, përgjysmimin e papunësisë tek të rinjtë e kështu me radhë, por mbështetet tek të rinjtë nuk ka të bëjë thjesht me një qëllim elektoral, por është jetike për të ardhmen e Shqipërisë.  Një vend, i cili braktiset nga të rinjtë, të cilët nuk gjejnë siguri këtu, nuk gjejnë arsim cilësor, nuk gjejnë vende pune më të mirëpaguara, nuk gjejnë shanse për ta ndërtuar jetën e tyre këtu, është një vend pa të ardhme dhe ne duhet t’u japim atyre të rinjve mundësinë që të flasin vetë për problemet e tyre dhe të jenë vendimmarrës për çështjet që kanë të bëjnë me të rinjtë, me të rejat, me familjet dhe me problemet sociale.

Zgjedhjet e 25 qershorit e gjejnë LSI-në në pushtet prej 8 vjetësh. Pas rënies së komunizmit asnjë forcë politike nuk ka qëndruar në pushtet për më shumë se 8 vjet. Nëse LSI-ja do të bëhej forcë e parë dhe do të ishte në qeveri, do të qe një përjashtim historik, të paktën deri tani.

Së pari LSI-ja i ka dhënë një mundësi PD-së në vitin 2009 për të treguar aftësinë e saj të drejtimit dhe natyrisht, mënyra sesi ajo drejtoi me një lloj arrogance dhe vetëkënaqësie, solli atë zhgënjim për të. Po kështu, LSI-ja i dha mundësi PS-së, pasi doli në opozitë, sepse u largua nga pushteti me PD-në në prill,

Për disa muaj...

Nuk e di. Doli për disa muaj, por mund të largohej edhe për 20 vjet, sepse zgjedhjet janë zgjedhje. Të mos harrojmë se zgjedhjet u bënë në një klimë jo aq daneze. KQZ-ja ishte 4 me 0, të gjithë anëtarët e LSI-së u hoqën nga puna nga vetë kryetari Basha. U hoqën të gjithë ata që punonin në bashki, ndërkohë që nuk kishte asnjë arsye, sepse bashkia ishte diçka që nuk kishte lidhje me qeverinë. Nuk ka rëndësi kjo, sepse ne i mirëkuptojmë të gjitha këto dhe nuk do të përsëriten më as nga ne dhe as nga ndonjë tjetër në të ardhmen. Prandaj na duhet edhe qeveria e besimit për zgjedhjet. LSI-ja i dha mundësi PS-së për të drejtuar qeverinë. Tani besoj se LSI-ja ka të drejtën e saj legjitime që të tregojë lidershipin e saj në qeverisjen e vendit. Të jeni të sigurt që z. Vasili i ka të gjitha shanset që të jetë një kryeministër jashtëzakonisht i mirë për arsye se është jo vetëm një politikan me eksperiencë, por është mjaft i mprehtë, di të kapë prioritetet kryesore dhe është mjaft praktik dhe mjaft i thjeshtë.

Meqë jemi këtu; keni deklaruar kur ishit kryetar i LSI-së se në çdo rast që një forcë politike bën 71 mandate, ju do të dilni në opozitë. I qëndroni kësaj deklarate apo keni ndonjë qasje tjetër?

Kjo është për z. Vasili, por përveç LSI-së nuk shoh asnjë mundësi që ndonjë forcë tjetër politike do t’i kalojë 52-53 mandate.

Nëse asnjë forcë politike nuk do të marrë 71 mandate e vetme, sipas mendimit tuaj, ku duhet të jetë LSI-ja? Në krah të Ramës apo të Bashës?

LSI-ja do të jetë në krah të shqiptarëve, të stabilitetit, të normalitetit dhe të demokracisë. Ky është mendimi im, se vendimin e merr LSI-ja më 26 qershor, mbasi të lexojë votat e qytetarëve shqiptarë.

Kush nga ata të dy përfaqëson më shumë stabilitetin, demokracinë etj.?

Kjo është një pyetje shumë e vështirë, por qytetarët duhet të dëgjohen dhe të respektohen.

A jeni i kënaqur me rezultatet e bashkëqeverisjes me Edi Ramën?

Unë mendoj që ka pasur disa arritje të rëndësishme. Marrja e statusit të vendit kandidat ka qenë një element pozitiv, thelbësor. Po ashtu, reforma administrative-territoriale dhe reforma në drejtësi, pavarësisht se konflikti dhe politizimi ekstrem e ka vonuar mjaft zbatimin e saj. Edhe përmirësimi i situatës ekonomike në tërësi ka qenë i qartë, pavarësisht se mund të kishte qenë më efikas. Megjithatë, nuk mendoj se është koha për të bërë një bilanc të tillë. Bilancin më të mirë do ta bëjnë votuesit dhe qytetarët.

Ndoshta jo të detajuar, por mund të na jepni një opinion: a e ka konsumuar pushteti qeverisjen e Edi Ramës? A do të arrijë t’i marrë ai 71 mandate i vetëm apo mund t’i marrë bashkë me PD-në? E keni thënë diku, se ata mund t’i bëjnë të dy bashkë 71 mandate.

Nuk dëshiroj të përgjigjem për këtë pyetje, por dua të them se dëshira për të përqendruar pushtetet në kurriz të demokracisë, të transparencës, padyshim nuk është një tregues i mirë për çdo lloj politikani. Në këtë drejtim, unë besoj se qytetarët shqiptarë janë mjaft të vëmendshëm dhe me këmbë në tokë.

Keni pasur një katërvjeçar jo të qetë. Ne jemi të gjithë dëshmitarë të kësaj, të një bashkëqeverisjeje disi të shqetësuar, po përdor këtë fjalë, se mund të përdorja edhe shumë të tjera.

Njëzet e ca vjet në politikë, për mua nuk kanë qenë të qeta dhe do të ishte shumë e vështirë që të ishin të qeta për shkak gjithnjë edhe të angazhimit tim gjithmonë të jashtëzakonshëm.

Sidoqoftë, a ka qenë ky katërvjeçari më i vështirë, problematik, i tensionuar?

Çdo kohë ka pasur vështirësitë e saj, por unë mendoj se kemi pasur një konflikt të pajustifikueshëm dhe maxhoranca i ka pasur të gjitha mundësitë të kontribuonte më shumë për paqen sociale, pasi ka qenë një maxhorancë e plotë, nuk ka qenë një maxhorancë e limituar dhe, pavarësisht nga nervozizmi dhe nga metodat ndonjëherë edhe provokative të opozitës për të acaruar maxhorancën, kjo e fundit ka pasur të gjitha mundësitë për të krijuar një klimë më relaksuese dhe më mirëkuptuese. Në rast se do të kishim pasur një qasje të tillë, reforma në drejtësi do ta kishte filluar zbatimin e saj prej më shumë se një viti, por edhe investimet e huaja në vend do të ishin rritur ndjeshëm. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi një qasje më konstruktive, më gjithëpërfshirëse.

Sa i zhgënjyer jeni nga bashkëqeverisja me Edi Ramën dhe nga vetë Edi Rama?

Tani, nuk mund t’ju them se jam edhe kaq i zhgënjyer, se edhe ndonjë pritshmëri të hatashme nuk është se kam pasur. Unë jam shumë i qetë me veten time dhe me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Mendojmë se kemi qenë mjaft korrektë me Partinë Socialiste, kemi qenë mjaft luajalë, ndaj besoj se korrektesa dhe luajaliteti në çdo lloj partneriteti do ta çojnë gjithmonë përpara dhe në rritje Lëvizjen Socialiste për Integrim, se unë mendoj që këto vlerësohen nga qytetarët, vlerësohen nga njerëzit.

Ju flisni prapë për luajalitet, madje thatë pak më parë se Berisha është i vetmi që bën marrëveshje, mban fjalën e të tjera. Kush nuk e mban fjalën, z. Meta?

Tani, unë nuk jam këtu për të thënë kush e mban ose jo fjalën, por kur z. Berisha e ka të spikatur një element të tillë, dhe unë e kam të provuar dhe të verifikuar qartësisht një gjë të tillë, nuk kam asnjë arsye pse të mos e them. Unë mendoj se politikanët duhet ta mbajnë fjalën, sepse vetë politika është një marrëveshje, edhe zgjedhjet janë një marrëveshje midis politikanëve që premtojnë dhe qytetarëve që votojnë. Është një marrëveshje. Duhet t’i qëndrosh kësaj marrëveshjeje. Në qoftë se gënjen dhe nesër, domethënë qytetarët zhgënjehen, do të thotë se e shkele ti këtë marrëveshje, po edhe midis koalicioneve gjithmonë ka një marrëveshje, ku të dyja palët duhet të respektojnë. Madje edhe vetë politika është një marrëdhënie. Çfarë do të thotë marrëdhënie? Do të thotë: marr dhe jap. Kështu që në këtë kuptim unë mendoj se politikanët duhet të jenë më bashkëpunues, më kontribuues, nuk duhet të ecin me idenë që gjithmonë të marrin dhe të mos japin, sepse vërtet ti merr besim, por duhet të japësh jo zhgënjim, por duhet t’i japësh edhe një satisfaksion atij që beson tek ty.

A ka LSI-ja, a ndien LSI-ja ndonjë përgjegjësi për dështimet, gabimet, keqfunksionimin e qeverisjes apo të bashkëqeverisjes me Edi Ramën, kam parasysh këtu kanabisin, koncesionet, akuzat e opozitës kryesisht?

Për disa nga çështjet kryesore LSI-ja nuk mban asnjë lloj përgjegjësie, sidomos për këto të parat. Për sa i takon çështjes së kanabisit, LSI-ja e ka ngritur këtë shqetësim prej kohësh dhe rezultoi një problem mjaft i mprehtë dhe serioz, madje kemi thënë se kërkohet një konsensus, se ky problem ka qenë edhe në të kaluarën pavarësisht nga përmasat që mori gjatë dy vjetëve të fundit. Për sa u takon problemeve të tjera, LSI-ja nuk mendon se…Për çështjen e koncesioneve, LSI-ja ka paraqitur një projektligj, i cili është ende në Kuvend, që kërkon që koncesionet të miratohen nga Kuvendi, pra të ketë një transparencë shumë më të madhe sesa deri tani. Për sa u përket çështjeve të tjera, natyrisht, LSI-ja mban përgjegjësitë e saj. LSI-ja ka bërë ndërrime ministrash, si dhe poste të tjera herë pas here si shenjë reflektimi apo dëshirë për të përmirësuar bashkëpunimin në qeveri edhe kur mund të mos kenë qenë përgjegjës përfaqësuesit e saj. LSI nuk është parti perfekte, por pjesë e këtij realiteti. Unë besoj se të gjithë janë të qartë që një përpjekje konsensuale shpesh për të demonizuar LSI-në si burim i disa problemeve është kthyer në një bumerang të qartë për të gjithë ata që kanë dashur të ushqejnë etiketime të tilla.

A do t’ju mungojë posti i Kryetarit të Kuvendit, z. Meta?

Unë jam një politikan i përgatitur dhe i trajnuar për t’i ndërruar postet apo funksionet, por natyrisht nuk do të jetë diçka që nuk do të më mungojë. Besoj se kanë qenë katër vjet mjaft interesantë. Nuk do të doja kurrë të kisha qenë kryetar i një parlamenti me disa probleme që Kuvendi i Shqipërisë nuk i meriton. E kam fjalën për përbërjen, disa ngjarjeve të papranueshme që kanë ndodhur.Sidoqoftë jam i kënaqur që kam qenë këto 4 vjet për shkak të përpjekjeve që kam bërë për të garantuar një normalitet, madje edhe konsensuse edhe në momentet më të vështira, dhe më të pamenduara, të cilat mendoj se kanë qenë të rëndësishme për stabilitetin dhe normalitetin e vendit. Ashtu sikurse më vjen keq që ngjarje të caktuara dhe deputetë problematikë kanë eklipsuar shumë kolege dhe kolegë të tjerë deputetë si të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, LSI-së dhe forcave të tjera, të cilët kanë kualitete mjaft të mira, por kuptohet, kur ndodh një ngjarje e pakëndshme askush nuk dëgjon se çfarë thotë një intelektual apo një politikan i përgjegjshëm.Shpresoj dhe dëshiroj shumë që me votën e tyre qytetarët shqiptarë të sjellin një cilësi të re në Kuvendin e Shqipërisë në zgjedhjet e ardhshme.

E besoni këtë, i keni parë listat, apo thjesht e shpresoni dhe uroni?

Për sa u takon listave të LSI-së, e besoj 100%. Grupi i ardhshëm parlamentar i LSI- së do të jetë i një cilësie më të lartë sesa grupi parlamentar që mbylli aktivitetin e tij. Shumë intelektualë, gra, të rinj dhe të reja, por që janë me shumë eksperiencë në politikë dhe mbi të gjitha kanë një eksperiencë pozitive.

Prokurori i Përgjithshëm tha që 2% e listës së Partisë Socialiste ishin persona të inkriminuar. Çfarë mendoni për këtë gjë?

Nuk e di këtë çështje, por në qoftë se kanë qenë, tani nuk janë më.

Megjithatë në variantin përfundimtar u pastruan. Pra, mendoni që do të ketë probleme? Mund të vuaj ende parlamenti i ardhshëm?

Edhe nëse do të ketë ndonjë problem, besoj se ekzistojnë instrumentet, siç është ligji “Për dekriminalizimin” që u jep zgjidhje.

Për ta mbyllur me mungesat: do t’ju mungojë më tepër posti i Kryetarit të Kuvendit apo posti i Kryetarit të LSI-së gjatë kohës që do të jeni President?

Posti i kryetarit të LSI-së nuk do të më mungojë, sepse kam qenë i bindur që kur kemi krijuar LSI-në se nuk mund të isha një kryetar i përjetshëm, madje në statutin e LSI-së, e kemi pasur që kryetari nuk duhet të zgjidhet më shumë se dy mandate. Kjo ka qenë një bindje imja, por për shkak të betejave tepër të padrejta me të cilat LSI-ja u ndesh në vitet 2005, 2009 e kështu në vijim, çdo largim i parakohshëm do të dukej si braktisje dhe thjesht si respektim formal i detyrimit statutor, kështu që, kjo gjë nuk do të mungojë. Jam tepër i lumtur që e kam drejtuar LSI-në në 14 vjet, jam akoma më i lumtur për vlerat pozitive që LSI ka sjellë në jetën politike dhe shoqërore në Shqipëri. LSI-ja mund të ketë shumë probleme, por i ka shërbyer gjithmonë stabilitetit të vendit.Së dyti, LSI-ja, jo vetëm që nuk ka qenë asnjëherë pengesë për çështjet e integrimit europian të Shqipërisë, por ka qenë garanci dhe promotore e zhbllokimeve që kanë ndihmuar integrimin europian të Shqipërisë. Por sigurisht që unë nuk do të iki në hënë, këtu jam. Do të jem midis të gjithë shqiptarëve, demokratëve, socialistëve, LSI-tëve, republikanëve.

Pasi folëm për kryetarin e LSI-së Meta, apo Kryetarin e Kuvendit Meta, ish-Kryetari tashmë, do të flasim për Presidentin e zgjedhur. Vërtet nuk donit të bëheshit President, z. Meta?

Sigurisht që kjo është e vërteta. Ka qenë diçka tërësisht jashtë objektivave dhe planeve të LSI-së, por edhe të miat. Por rrethanat ishin të tilla, kështu që nuk ka nevojë t’i shpjegojmë përsëri. Dhe mendoj se ajo zgjedhje ka pasur ndikimin e vet për ta çuar atë krizë drejt një zgjidhjeje.

Me lejoni të përvijoj një profil 4-vjeçar në krye të Kuvendit. Sikur jeni stërvitur 4 vjet, pikërisht për të krijuar profilin e Presidentit të Republikës, atë që është mbi palët, që i jep gjithmonë kohë opozitës, që mbështet gjithmonë më shumë opozitën sesa aleatin e tij në qeverisje, që ka folur me qetësi dhe dashuri për 4 vjet me radhë, edhe në momente mjaft të tensionuara, që keni pasur me aleatin tuaj. Duket sikur dalëngadalë ky ka qenë një skenar që ka përgatitur Ilir Metën President dhe të bën pak skeptik ideja që ju realisht nuk keni dashur...

Së pari, posti i Kryetarit të Kuvendit ka mjaft ngjashmëri me postin e Presidentit të Republikës, pasi edhe Kryetari i Kuvendit duhet të jetë në pozicionin e tij si Kryetar Kuvendi. Domethënë sa më i balancuar midis palëve në Kuvend. Edhe nga pikëpamja kushtetuese, Kryetari i Kuvendit është posti i dytë pas Presidentit të Republikës i dytë pas Presidentit të Republikës për shkak edhe të pozicionit, por edhe të këtyre ngjashmërive në planet institucionale në raport me institucionet e pavarura në vend, të cilat zgjidhen nga Kuvendi e kështu me radhë. Kështu që unë jam përpjekur që gjatë këtyre 4 vjetëve në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të bëj dhe të interpretoj sa më mirë këtë pozicion sipas Kushtetutës që kemi ne dhe detyrimeve që ka cilido për detyrën e tij.

Realisht a është folur ose të paktën a keni pasur një pakt në vitin 2013 për atë që po ndodh sot, pra që ju do të bëheshit pas 4 vjetëve president? A pasur një pakt me Edi Ramën apo daton më herët, sipas disa zërave, në darkën e famshme të ngjalave?

Kjo është një histori shumë e vjetër, nuk mund të mos themi që gjithmonë ka qenë një ide jo vetëm e z. Rama, por edhe e kolegëve të tjerë socialistë, që kjo mund të ishte një zgjidhje e mirë, por praktikisht, në respekt edhe të marrëveshjes PS-LSI, të koalicionit, ku edhe për çështjen e Presidentit, edhe të qeverisë, edhe të institucioneve të tjera është shprehur që do të zgjidheshin pas kësaj marrëveshjeje, përderisa Kryeministri ishte i Partisë Socialiste, e cila nuk kishte 71 mandate, normalisht presidenti duhet të ishte një figurë ose e LSI-së, ose një figurë që në çdo rast gëzonte një besim më të gjerë sesa thjesht i Partisë Socialiste. Kështu që nuk është se ka pasur ndonjë marrëveshje të caktuar ose të paracaktuar, thjesht ka qenë gjithmonë koncepti që do të ketë një konsensus PS-LSI për këtë çështje. Në rastin konkret, të zhvillimeve konkrete, ne kemi insistuar, edhe unë personalisht, edhe LSI-ja, që posti i Presidentit, për shkak të krizës në të cilën u vendosëm pas realizimit të çadrës, të vendosej si një mundësi, si një alternativë në çështjen e negociatave me opozitën për t’i ofruar asaj mirëbesimin. Ajo nuk e pranoi këtë, është çështje e saj.

Kur u vendos kjo? Mos u vendos në darkën e famshme të markatës së peshkut te Pazari i Ri? Të gjithë zërat thonë që ajo ka qenë darka që vendosi këtë.

Këto janë spekulime të rëndomta. Kjo gjë është vendosur, që të jemi fare të qartë për të gjithë, ditën pasi ka përfunduar përpjekja e të dërguarit të PPE-së dhe nuk është pranuar nga PD paketa e tij, dhe mbasi unë kam bërë një përpjekje të fundit për të thirrur partitë parlamentare që të vinin në Kuvend ku Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk erdhën. Pas takimit që kam pasur me z. Oerd Bylykbashi, e kam kuptuar që kishim dy alternativa; ose do t’i jepnim një zgjidhje çështjes së Presidentit për të cilën PD nuk kishte dëshirë të bashkëpunonte me mendimin që kjo çështje mund të thellonte krizën më tej; ose pastaj do të thellonim krizën në vend, do të përshkallëzonim krizën, të mos shkonim drejt zgjedhjeve automatike ku natyrisht opozita nuk do të mund të bëhej pjesë dhe do të na akuzonte se kishim bërë një lojë për të dërguar vendin në zgjedhje të papritura…

Po ju kujtoj z. Ruçi që ju kërcënoi me 71 votat..

Ruçi shprehu një shqetësim për përpjekjen time të palodhur që opozita të përfshihej. Natyrisht kishte edhe një zhgënjim, sepse ai kishte mendimin që opozita nuk donte të bëhej pjesë e zgjidhjes, donte të thellonte krizën dhe donte të më vinte mua para një përgjegjësie që “vepro si të duash tani, ose vepro për një zgjidhje ose kjo çështje do të mund të shkojë në një drejtim që askush nuk ishte i bindur nëse do të ishte drejtimi i duhur”

Ju erdhi keq për tonet e z. Ruçi apo e mirëkuptuar?

E mirëkuptova, sepse tensioni nuk ishte vetëm i imi. Mendoj se tensioni ishte edhe i z. Rama edhe i z. Ruçi edhe i shumë aktorëve të tjerë si aktorëve të opozitës, sepse situata ishte e tillë…

Ka zëra që edhe ndërkombëtarët kanë insistuar që ju ta pranonit që të bëheshit president?

Këtë çështje unë nuk e di dhe kjo nuk është e rëndësishme në rastin konkret. Ndërkombëtarët gjithmonë kanë insistuar për zgjidhje që ndihmonin për evitimin e krizës. Edhe zgjedhje e Presidentit në rrethana të caktuara do të ndihmonte për këtë gjë.

Çfarë Presidenti do të jeni z. Meta?

Këtë nuk e di, do t’ua them mbas 24 korrikut, sepse nuk jam përgatitur, por jam i bindur që do të bëj më të mirën për të përmbushur detyrimet kushtetuese në këtë detyrë të re që do të jem më 24 korrik.

Ndryshimet e vitit 2008 e dobësuan rolin e Presidentit. Ju mendoni se kjo është edhe një çështje personash përveçse institucionesh dhe ligjesh. Pra mund të ndryshojnë emrat diçka në lidhje me këtë?

Jemi ende herët për të folur për këtë çështje. Por unë do të bëj çdo gjë që t’i shërbejë vendit tim, me përgjegjshmëri maksimale, me një angazhim të jashtëzakonshëm, gjithëpërfshirës.

Në LSI ju presin krah hapur thotë Petrit Vasili, pasi të mbaroni Presidencën. Do ta merrni edhe një herë drejtimin e LSI-së kur të mbaroni mandatin presidencial?

Unë besoj se në LSI, jo vetëm Vasili do të bëjë një punë të shkëlqyer si kryetar i saj me të gjithë ekipin, por në LSI unë shoh shumë kryetarë të ardhshëm të LSI-së dhe kryetare, por edhe kandidat për kryeministër dhe kryeministre në të ardhmen. Por për mua do të jetë gjithmonë një obligim që pas përfundimit të mandatit të Presidentit, të rikthehem në LSI dhe të kontribuoj atje edhe qoftë si një anëtar i thjeshtë. Sepse 14 vjet të jetës time, çdo ditë, çdo orë dhe çdo sekondë ka qenë vetëm LSI, kështu që besoj se të gjithë e mirëkuptojnë këtë gjë.

Mendoni që realisht do të mundeni që të jeni thjesht anëtar i LSI-së pas 4 vitesh?

Pse jo, edhe kaq do të ishte një kënaqësi dhe një nder për mua, sepse jam i bindur që LSI do të vazhdojë të ketë një forcë gjithnjë e më pozitive për Shqipërinë dhe do të ketë gjithnjë më shumë shpresa më e madhe për të rinjtë e Shqipërisë, kjo është kënaqësia më e madhe.

Ky është një vendim që keni marrë, që nuk do të ktheheni më në drejtim, apo thjesht është një nga opsionet?

Tani, unë mendoj se u shpreha fare qartë, që do të ishte nder për mua të isha qoftë edhe anëtar i thjeshtë i LSI-së.

Në 24 korrik do të zëvendësoni Bujar Nishanin. Çfarë do të bëni ndryshe nga presidenca e tij?

Nuk kam menduar asnjëherë se çfarë do të bëj ndryshe. Kam një respekt të jashtëzakonshëm për Presidentin Nishani, gjithmonë institucional, bashkëpunues, i qetë, i ekuilibruar, edhe nuk kam pasur as rast të flas me të nga afër për të ndarë ndonjë eksperiencë, sepse ka ende mjaft kohë për këtë çështje. Unë do të përpiqem të bëj më të mirën, çdo individ ka individualitetin e tij dhe unë do të përpiqem ta përshtat sa më shumë këtë individualitet në raport me institucionin që do të përfaqësoj.

Pas presidencës, Ilir Meta kryeministër është një opsion i jetës politike? Ju jeni shumë i ri. Berisha dje në këtë studio tha se unë kur dhashë dorëheqjen mendova të krijoj një fondacion, etj. Kishte tre variante. Ndoshta për fondacionet ju jeni shumë i ri. Qëllimet politike të forta si ideja e kryeministrit, i keni akoma?

Ju përmendët Doktorin dhe ai i ka këto eksperienca: president, kryeministër, por mbi të gjitha është kështu si president i përgjithshëm them unë.

President i përgjithshëm është e bukur. Dakord, ju vazhdoni pas presidencës të keni ambicie për poste të tjera politike të tipit kryeministër? Apo është herët?

Unë nuk mund të them asgjë për të ardhmen. E theksova, pasi të mos jem President, të paktën do të jem anëtar i LSI-së. Kjo është kënaqësia ime më e madhe dhe besoj se deri atëherë këto të rinj e të reja do të jenë në nivele të tilla politike, që do të më bëjnë mua shumë krenar, por do të bëjnë krenar edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse këta në fakt janë LSI-ja e vërtetë.

Na shuaj ndonjë kuriozitet. Keni marrë ndonjë vendim ku do jetoni? Do të përdorni Pallatin e Brigadave?

As kam menduar fare për këtë gjë. Ajo që është e sigurt është se do të jetoj gjithmonë midis shqiptarëve kudo që ata të jenë. Nuk do të mbyllem as në zyra dhe as nëpër institucione. Besoj që do të jetoj gjithmonë me shqetësimet e qytetarëve shqiptarë edhe me gëzimet e tyre. Do të përpiqem të jem zëri i shqetësimeve të tyre dhe të jem pjesë e gëzimeve të tyre.

Era u mësua me idenë e babait President?

Nuk jam takuar shpesh këto kohë me të. Por është qetësuar për LSI-në dhe kjo është e rëndësishme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button