Mickoski vizitë në Pustec: Brezat e rinj nuk duhet të paguajnë çmimin e ndasive politike
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, zhvilloi këtë të diel një vizitë në fshatin Kallamas në bashkinë e Pustecit, ku mori pjesë në inaugurimin e një monumenti kushtuar heronjve maqedonas të Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë ceremonisë përkujtimore, Mickoski deklaroi se monumenti përfaqëson “një dëshmi të historisë, sakrificës dhe guximit” të atyre që, sipas tij, mbrojtën lirinë dhe identitetin maqedonas gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Ai theksoi se të rënët “nuk u lëkundën dhe nuk hoqën dorë nga populli i tyre” në ditët më të vështira të luftës.
“Nuk jemi mbledhur vetëm përpara një monumenti, por përpara një kujtese që nuk mund të fshihet, sepse është shkruar me sakrificë, guxim dhe dashuri për Maqedoninë e Veriut”, u shpreh kryeministri maqedonas në fjalën e tij.
Mickoski vlerësoi gjithashtu komunitetin maqedonas në Shqipëri, të cilin e cilësoi si pjesë të pandashme të trungut kombëtar maqedonas dhe njëkohësisht qytetarë besnikë të shtetit shqiptar.
Në fjalimin e mbajtur në Kallamas, ai u ndal edhe te rëndësia e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe kulturës maqedonase, duke theksuar se populli maqedonas ka arritur të ruajë vazhdimësinë e tij pavarësisht sfidave historike ndërsa tha se ndasitë politike nuk duhet të pengojnë interesin kombëtar dhe të ardhmen e brezave të rinj.
“Vetëm të bashkuar mund të jemi të fortë dhe të sigurojmë përparimin e vendit”, tha Mickoski.
Ceremonia u mbyll me homazhe për të rënët dhe mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike, vlerave kombëtare dhe unitetit. /Euronews



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.