Bota

Miller: SHBA “nuk ka parë veprime që përbëjnë gjenocid” në Rripin e Gazës

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë veprime në konfliktin në Rripin e Gazës, që përbëjnë gjenocid, tha të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, pasi Afrika e Jugut i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që operacionin ushtarak të Izraelit në territoret palestineze ta konsideronte gjenocid.

“Këto akuza nuk duhen bërë me lehtësi…ne nuk po shohim asnjë akt që përbën gjenocid”, tha zëdhënësi Miller në një konferencë të rregullt shtypi. “Ky është një përfundim i Departamentit të Shtetit,” shtoi ai.

Matthew Miller
Matthew Miller

Ai u pyet në lidhje me kërkesën e Afrikës së Jugut të martën që Gjykata Botërore të lëshonte një urdhër urgjent duke deklaruar se Izraeli po shkelte detyrimet e tij bazuar në Konventën e Gjenocidit të vitit 1948.

Gjykata ka caktuar seancat publike për 11 dhe 12 janar me kërkesë të Afrikës së Jugut. Izraeli tha se do të mbrohej nga akuzat. Në operacionet ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 22 mijë palestinezë, janë shkatërruar shumë shtëpi dhe 2.3 milionë banorët e këtij territori por përballen me një krizë humanitare.

Uashingtoni kritikoi të martën dy ministra izraelitë për përkrahjen e zhvendosjes së palestinezëve jashtë Gazës, por tha se Izraeli i kishte siguruar zyrtarët amerikanë se deklaratat e tyre nuk pasqyrojnë politikën e vendit.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shumë palestinezë janë vrarë në konflikt. Ata i kanë kërkuar Izraelit, të cilin Uashingtoni e furnizon me armë, të bëjë më shumë për të mbrojtur civilët.

Lufta u shkaktua nga një sulm ndërkufitar i Hamasit në qytetet izraelite më 7 tetor, në të cilin Izraeli thotë se 1200 njerëz u vranë dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Numri i palestinezëve të vrarë nga ofensiva e Izraelit arriti në 22,313 të mërkurën, tha ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.

Izraeli ka thënë se akuzat për gjenocid janë “të pabaza” dhe se Hamasi po i përdor palestinezët si mburoja njerëzore dhe po vjedh ndihmat humanitare prej tyre, akuza që Hamasi i ka mohuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button