Milo mbledh PDS: Pritëm të na vlerësonin, tani a të rrimë më në koalicion me PS?
Partia Demokracia Sociale e kryesuar nga Paskal Milo, ka ngritur sot një pikëpyetje të madhe nëse duhet të vazhdojë të qëndrojë më në koalicionin e majtë me PS-në, në të cilin nuk është e përfaqësuar në qeverisje apo duhet të ndahet prej tij, si e lenë menjanë dhe e neglizhuar.
Kryetari i kësaj partie, Paskal Milo, i ka kërkuar sot Komitetit Drejtues të PDS-së, të mbledhur “në mënyrë të çuditshme”, që të vendosë nëse duhet të qëndrojë më në koalicion me PS-në, në kushtet kur, pasi kanë pritur me durim dhe kanë mbështetur të gjitha reformat, nuk janë përfaqësuar në qeverisje.
Ai ka analizuar të dyja anët e medaljes, edhe ata qeveritarë që sikur u shpreh ai, “ ndoshta thonë me qësendi sot: “Po këta, çfarë kërkojnë?! Ne nuk kemi rregulluar me mijëra anëtarë të PS-së që na kanë ndihmuar!” Por, – theksoi Milo, – nga kjo mbledhje ne u themi: Gabim keni bërë dhe po bëni që nuk i keni punësuar sipas mundësive dhe kontributeve. Por, kjo është punë e PS-së. Ne, vetëm të drejtën tonë kërkojmë, sipas marrëveshjes së nënshkruar.
Të nderuar anëtarë të Komitetit Drejtuar të PDS-së. Ju jeni ata që duhet të vendosni se çfarë duhet bërë që të realizohet marrëveshja e vjetër? Do të vazhdojmë të mbështesim akoma qeverinë, ashtu si deri tani, pavarësisht se nuk është respektuar marrëveshja apo do të fillojmë të reflektojmë? Kjo mbetet për t’u gjykuar prej jush. Unë vetëm ju kam paraqitur disa shqetësime që shihen në dritë të diellit dhe që nuk kanë gjetur zgjidhje. Por, natyrisht, ne nuk duam ta humbasim shpresën. Unë kam besim se ka ende kohë dhe hapësira që ne të respektojmë objektiva tona.”
Që në hapje të mbledhjes, Milo sqaroi: “Mbledhja e sotme po bëhet në rrethana të çuditshme, sepse nuk jemi as në qeveri, as në opozitë. Kemi qënë në opozitë plot tetë vjet, me kontributet tona në të gjitha aksionet opozitare, në protesta, mitingje, studio televizive etj. Shkuam bashkë me aleancën e madhe elektorale, me PS-në dhe 30 parti të tjera, u konsideruam fitues në zgjedhje jo vetëm për votat që na lanë, por për kontributet dhe investimin tonë parazgjedhor.
PS-ja na propozoi një kontratë që ne e nënshkruam, me gjithë hezitimin që patëm në atë kohë. Fitorja e 23 Qershorit na gëzoi, sepse ishte jo fitorja jonë, por fitorja e shqiptarëve ndaj një regjimi të konsumuar deri në kufijtë më ekstremë. Ne shpresuam që një kapitull i ri do të hapej për Shqipërinë. PD-ja la si trashëgim një gjendje shumë të rëndë.
Por, vërejmë se parlamenti nuk është ai që duhej të ishte dhe reformat e sotme nuk janë ashtu siç duhej të ishin. Reformat duhen kryer me zgjuarsi dhe jo me dhimbje. Pritshmëritë për zgjidhjen e një sërë problemesh kanë pësuar një rënie kritike në opinion, por, – paralajmëroi Milo, – zhgënjimi mund të kthehet në një indeferencë politike ose zhgënjim elektoral.”