Kosova

Mimoza Kusari konfirmon largimin nga AKR, tregon edhe për partinë e re

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari, ka konfirmuar se nuk është më pjesë e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit dhe se do t’i bashkohet partisë së re të Ilir Dedës.

“Nuk jam më pjesë e strukturave të AKR’së”, ka thënë ajo në Rubikon të KTV’së, duke shtuar se tanimë as nuk shkon në takimet e këtij subjekti, madje as në atë që sonte është organizuar në Gjakovë, për të cilin ish njoftuar nga të tjerë për mbajtjen e këtij takimi.

Ajo ka folur për partinë e re që do të themelohet, duke thënë se ndarja e mirëfilltë prej asaj çfarë ka dhe çfarë do të ketë Kosova është koncepti i iniciativës së re.

Nuk ka rëndësi se kush është kryetari dhe kush pas kujt u rreshtua, sipas Kusarit, pasi e gjitha ka të bëjë me individë të cilët duan një Kosovë më të mirë.

“Kjo nuk ka të bëj me mua dhe Ilirin. Ka të bëj me të gjithë ata që e duan një Kosovë me të mirë, një Kosovë ku të gjithë janë të barabartë”, ka thënë Kusari.

Në kuadër të kësaj iniciative, sipas Kusarit, do të vijnë shumë individë nga subjekte të ndryshme politike.

Kusari-Lila të hënën mbrëma publikoi një fotografi me deputetin Ilir Deda derisa tregoi se kjo fotografi është shkrepur nga kryetari ose kryetarja e Iniciativës së re, por në emisionin “Rubikon” ajo nuk ka treguar saktësisht se kush e ka realizuar fotografinë.

Duke mos dashur të tregojë se kush do ta drejtojë partinë e re, Kusari ka thënë se kryetar i kësaj partie është qytetari i Kosovës.

“Kryetar është qytetari i Kosovës”, ka thënë Kusari-Lila. “Kryetari është qytetar i Republikës së Kosovës”.

“Kemi qenë pesë persona [të hënën]. Janë qytetarë që besojnë në këtë ide”, shtoi ajo.

Sipas saj iniciativa e tyre po merr jetë dhe emrat tjerë do të prezantohen në mënyrë formale.

“Do të prezantohen në mënyrë formale në më pak se një muaj”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo iniciativë është e hapur për të gjithë ata që janë të gatshëm t’i hyjnë kësaj sfide dhe besojnë në këtë ide.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button