Ministri Tahiri : Ja pse nuk shpallet gjendja e Emergjencës
Ministri i Punëve të Brendshme në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, sqaroi dhe arsyet se përse qeveria nuk ka shpallur gjendjen e Emergjencës për zonat e përmbytura.
“Ju kam dëgjuar disa herë të thoni pse nuk e shpall Gjendjen e jashtëzakoshme qeveria. Shpallja e Gjendjes së Emergjencës mbi bazën e ligjit, bëhet kur plotësohen disa kritere. Por ne nuk preferojmë në kushtet kur asnjë njësi e vetme vendore, Bashki, Komunë, nuk ishte e paralizuar; të paralizonim jetesën e një Qarku të tërë apo të disa qarqeve të tëra, ku përfshihen pezullimi i shkollës, pezullim i jetetës normale, vetëm pse në disa zona kishte përmbytje, për më tepër kur forcat operacionale të të gjitha institicioneve, ishin në gadishmëri të plotë”, tha Tahiri, duke theksuar gadishmërinë, angazhimin dhe punën e gjithë instancave shtetërore.
“Në këtë moment gjeni rastin t’ju thoni qytetarëve se nuk duan t’ju dëmshpërblejnë ndaj nuk e shpallin gjendjen e jashtëzakoshme. Po kush e thotë këtë, ju që nuk i shpërblyet dhe i keni lënë 37 milion euro borxh? Keni ju merakun e qytetarëve për dëmshpërblim, kur ndërkohë vete keni shkuar dhe i keni gënjyer disa herë, “përmbytu hajt se t’i kam, përmbytu hajt se t’i kam, përmbytu hajt se ti kam”, dhe i këni lënë borxh, dhe sot bëni sikur jeni të interesuar për qytetarët ju?”, pyeti Tahiri.
“Kur ishin në krye të qeverisë për të bërë ndonjë punë, thoshit vetëm fjalë, sot është normale të bëni vetëm fjalë. Por ne jemi tjetër gjë. Ne i dalim në sy qytetarëve dhe fare sinqerisht i themi, PO, ne jemi në gadishmëri të plotë për të përballur pasojat e fatkeqesisë natyrore siç jemi në gadishmëri të plotë edhe të angazhuar për të bërë vlerësimin real të çdo dëmi të qytetarëve dhe mbi këtë bazë të bëjmë dëmshpërblimin”, vijoi Ministri i Punëve të Brendshme.
Ministri Tahiri gjithashtu theksoi se “ky është qëndrimi i qeverisë shqiptare, sepse ne themi atë që bëjmë, bëjmë atë që themi, bëjmë dhe atë që keni thënë ju dhe se keni bërë kurrë, por nuk shkojmë te qytetarët në pikët të hallit të përmbytur, për t’i përmbytur për herë të dytë me lumë gënjeshtrash siç keni bërë ju.”