Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro jep udhëzimet për Maturën Shtetërore
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi zhvillimet më të fundit mbi programin “Pas Shkolle” dhe përgatitjet për Maturën Shtetërore, duke theksuar masat organizative dhe disiplinore që do të zbatohen në sistemin parauniversitar.
Gjatë një deklarate për mediat, Kumbaro bëri të ditur se me një vendim të Këshillit të Ministrave është dyfishuar pagesa për orët e mësuesve të angazhuar në programin “Pas Shkolle”. Sipas saj, nisma po pilotohet aktualisht në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz.
Ministrja u shpreh se programi është mbështetur tashmë edhe ligjërisht, pas ndryshimeve në ligjin për arsimin parauniversitar, ku është përfshirë për herë të parë nocioni “Pas Shkolle”.
“Nuk do të bëhet sot për nesër, por po ndërtojmë hap pas hapi themelet ku do të ngrihet në mënyrë solide ky program”, deklaroi Kumbaro.
Ajo sqaroi se për klasat 1-5, programi përfshin “Bëjmë detyrat e shtëpisë” si dhe klubet artistike dhe krijuese, mes tyre muzika, teatri, arti pamor, kërcimi dhe zejet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, në Tiranë janë angazhuar 308 mësues dhe rreth 4500 nxënës në 45 shkolla, ndërsa në Kamëz marrin pjesë 17 mësues dhe 240 nxënës në 2 shkolla pilote. Programi po mbështetet edhe nga partnerë ndërkombëtarë si UNICEF dhe Save the Children.
Në fokus të deklaratës ishte edhe Matura Shtetërore. Kumbaro tha se përgatitjet ndodhen në një fazë intensive, ku përfshihen publikimi online i modeleve të testeve, simulimet e provimeve dhe masat e sigurisë në qendrat e testimit.
Provimet e maturës do të zhvillohen më 2, 9, 16 dhe 23 qershor, ndërsa në të gjithë vendin janë ngritur 144 qendra provimi. Ministrja bëri të ditur se mbi 170 monitorues nga Ministria e Arsimit do të jenë të angazhuar në terren.
Kumbaro paralajmëroi gjithashtu masa të rrepta disiplinore për maturantët që shkelin rregullat gjatë provimeve.
“Celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje elektronike janë rreptësisht të ndaluara. Çdo shkelje do të sjellë automatikisht përjashtimin nga provimi”, u shpreh ajo.
Sipas ministres, qëllimi i këtyre masave është garantimi i një procesi të drejtë, të sigurt dhe të rregullt për të gjithë maturantët në vend.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.