Ministrja Ekonomi në Bulqizë: T’i japim jetë pronave shtetërore të fjetura
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, vizitoi qytetin e Bulqizës për të parë nga afër ecurinë e një biznesi të ri të ndërtuar në një pronë shtetërore, dhënë me qiranë simbolike 1 euro.
Nga një sipërfaqe e pashfrytëzuar prej 12,200 m2, sot falë një investimi 2.2 milionë euro nga kompania Lubima SHPK, kjo tokë e lënë djerrw është kthyer në një fabrikë ku prodhohet Pellet druri për ngrohje.
“Kjo pronë shtetërore e pashfrytëzuar ndër vite falë mbështetjes të qeverisë përmes qirasë simbolike 1 euro është kthyer në një model nga ku prodhohet material ngrohje dhe aktualisht janë punësuar 30 persona. Sipas planit të biznesit dhe kontratës, deri në fund të investimit punësimi do të arrijë mbi 60 persona. Është një shembull suksesi dhe vlen për tu theksuar se kur iniciativa e sipërmarrjes mbështetet edhe nga bashkia për ta bërë të lehtësuar praktikat proceduariale të kësaj iniciative, investimi arrin të japë rezultatet e tij të para. Kjo iniciativë filloi në Korrik të vitit 2015 dhe sot kjo fabrikë që jo vetëm prodhon dhe punëson, por ka nënshkruar edhe kontratat e para të shitjes në Shqipëri dhe jashtë saj”, tha ministrja Ekonomi.
Ky investim, theksoi ministrja e Ekonomisë, dëshmon se kontratat me qiranë simbolike 1 euro janë një gjetje që bën të mundur që investimet të marrin jetë dhe të shtohet punësimi për banorët e zonës.
Vlen për t’u inkurajuar iniciativa e ndërmarrë nga ky biznes për ta përdorur Pelletin si një mundësi ngrohjeje biologjike në Shqipëri, duke përdorur lëndët drusore që kanë nevojë për qarkullim në pyjet e zonës dhe përqark.
Luan Manjani, sipërmarrësi i kësaj kompanie, tha se “ndërkohë që investimi ka shkuar në përmasa të mëdha ne duam ta zgjerojmë akoma edhe më shumë këtë aktivitet duke rritur prodhimin e si pasojë do të na duhet të shtojmë edhe fuqinë punëtore duke ulur papunësinë në Bulqizë. Çdo lloj ndihme në formë subvencioni nga shteti do të ishte një mbështetje tjetër për ne”.
Kjo kontratë qiraje me 1 euro, theksoi ministrja Ekonomi, është e 22-ta që qeveria ka dhënë për këtë periudhë.
“Ideja e këtij investimi ka ardhur së bashku me përdorimin e një teknologjie që vjen nga një vend fqinj europian siç është Italia, një teknologji nga më bashkëkohoret që përdoret në fushën e prodhimit të Pelletit”, u shpreh ministrja Ekonomi.
Në Bulqizë, ministrja e Ekonomisë qëndroi edhe në bashkinë e këtij qyteti nga ku me kryetarin e bashkisë, Melaim Damzi, diskutuan për mundësitë e shtrirjes së investimeve si dhe zhvillimin e turizmit në këtë zonë.