Ekonomia

Ministrja Ekonomi nga Patosi: Kemi objekte të lira. Shfrytëzojini me kontratë 1 euro

Nga Patosi gjatë një vizite në dy kompani fason, ministrja Milva Ekonomi tha se, MZHETTS nëpërmjet drejtorisë së pronës ka në dispozicion me qindra objekte në të gjithë territorin e Shqipërisë të cilat janë të gatshme për t’u vënë në shërbim të biznesit me kontratën simbolike 1 euro.
Duke dhënë detaje për kontratat 1 euro ministrja e Ekonomisë tha se tre vitet e fundit janë realizuar 21 kontrata, dhënie objektesh shtetërore me qiranë simbolike 1 euro në ndihmë të sipërmarrjes të cilat kanë mundësuar deri më tani investime me vlerë 25 milion euro dhe kanë punësuar 3000 personave.
Ekonomi ftoi sipërmarrësit të vijnë në MZHETTS apo edhe të shohin përmes dritares së vetme të shërbimeve AIDA si t’i përdorim këto prona.

“Tur Tekstil” në Patos prodhime për kompaninë Zara

Nga godina të rrënuara dhe të lëna në mëshirë të fatit sot në ndërmarrje të suksesshme ku punësohen me qindra punëtor.
Njëra prej tyre ish “Ndërmarrja Gjeofizike Patos” me sipërfaqe të përgjithshme 12,507 m2. Sot në këto ambiente deri dje të braktisura falë mbështetjes së biznesit përmes kontratës simbolike 1 euro operon Shoqëria “Tur Tekstil” SHPK. Dy vite më parë e nisi aktivitetin duke punësuar 65 punonjës ndërsa sot numëron 320 punonjës.
Veshjet e qepura me logon “Made in Albania” shkojnë për tregjet gjermane, franceze dhe spanjolle. Disa prodhime të gjigandit të veshjeve Zara qepen nga kjo kompani.
Ministrja Milva Ekonomi së bashku me deputetët Ervin Koçi, Antoneta Dhima dhe kryetaren e bashkisë së Patosit Rajmonda Balilaj vizituan këtë kompani.
“Tur Tekstil” tha ministrja Ekonomi është të një histori suksesi. “Përveç skemës së vënies në dispozicion të sipërfaqes për aktivitet me qira 1 Euro për 20 vjet, një mbështetje tjetër që ka marrë kjo kompani është mbështetja me fondin e punësimit. Këtu kanë ardhur dhe janë punësuar nga Fondi i Mbështetjes së Punësimit 87 punonjës, 70 prej të cilëve janë bërë forcë pune në këtë industri. Këto mbështetje janë shumë të rëndësishme sepse e para; rrisin mundësinë që Shqipëria të prodhojë produktin e vet “Made in Albania” dhe të ketë një fuqi të madhe eksportuese në këtë lloj industrie dhe e dyta; të lehtësojë shumë edhe skemën e punësimit të rajonit ku padyshim vlerësohet roli që ka bashkia”, u shpreh ministrja Ekonomi.

Picari Sh.P.K një tjetër histori suksesi e kontratave 1 euro

E njëjta panoramë shfaqej edhe një vit më parë në ish “Repartin e Axhusterisë” Patos, me sipërfaqe të përgjithshme 9,800 m2. E rrënuar dhe e degraduar si godinë tërësisht jo funksionale. E dhënë me qiranë simbolike 1 euro sipërmarrësve të kompanisë Picari SH.P.K, tashmë ky objekt është transformuar tërësisht duke prodhuar këpucë për tregjet europiane. E nisi aktivitetin me 250 punonjës në momentin e lidhjes së kontratës në Shkurt 2015, ndërsa tani, 1 vit më pas numëron 380 punonjës. Gjatë vizitës në këtë kompani, ministrja Ekonomi u shpreh e kënaqur se të tilla godina të braktisura kanë marrë jetë në funksion të mbështetjes së sipërmarrjes dhe nxitjen drejt produktit “Made in Albania”.
“Këtu jemi në një tjetër rast suksesi, kompania ka përfituar nga kjo paketë ndihmëse e kontratave me 1 Euro dhe sot jemi në një realitet komplet tjetër. Ajo që e bën edhe më të rëndësishme këtë lloj ndihme nuk është vetëm fakti i mundësisë që ky sipërmarrës të bëj investimin dhe të shtojë numrin e punonjësve, por i shërben këtyre bizneseve edhe në shtimin e inovacionit” u shpreh ministrja Milva Ekonomi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button