Ministrja gjermane – Trumpit: Mos e trajto NATO-n si biznes
Ministrja gjermane e mbrojtjes ka këshilluar presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, që të mos afrohet shumë me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe ta trajtojë NATO-n si një aleancë të shteteve të një mendjeje, më parë se sa një “biznes”.
“Ajo që, me shpresë, këshilltarët e tij do t’ia thonë dhe ajo që duhet ai ta mësojë është se NATO-ja nuk është vetëm një biznes. Nuk është kompani”, i tha televizionit gjerman ZDF Ursula von der Leyen.
Ajo tha se aleanca ushtarake është e udhëhequr nga “vlerat e përbashkëta dhe përvojat e përbashkëta historike”.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ka kërcënuar se do t’i braktisë aleatët e SHBA-së në Evropë nëse nuk shpenzojnë sa duhet në mbrojtje.
Von der Leyen e ka paralajmëruar Trumpin që të mos afrohet me Putinin, duke theksuar se NATO-ja ka qëndruar me SHBA-të pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2011.
“Donald Trump duhet ta thotë qartë në cilën anë është. Nëse është në anën e ligjit, paqes dhe demokracisë apo nuk e çan kokën për këtë dhe në vend të kësaj po kërkon për një mik të mirë”, tha ajo.
Trump-i ka shprehur admirim për Putinin dhe tha se do të kërkojë përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë.