Ekonomia

Miratimi i këstit të kredisë nga FMN, Ahmetaj: Inkurajim i drejtpërdrejtë për reformat

Ministri i Financave Arben Ahmetaj e cilësoi miratimin e këstit të kredisë nga Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar një lajm të mirë për performancën e ekonomisë shqiptare dhe një inkurajim të drejtpërdrejtë për reformat.

“Në përfundim të rishikimit të shtatë të performancës së ekonomisë shqiptare në kuadër të programit tre-vjeçar me qeverinë, Bordi Ekzekutiv i FMN vlerëson se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë, po përshpejtohet ndërsa parashikimi në afatmesëm është i favorshëm”, shkruan ministri Ahmetaj në rrjetin social “Facebook”.

Sipas tij, FMN vlerëson edhe se qeveria shqiptare ka marrë autorësinë e programit dhe vendosmëria e treguar për implementimin e reformave ambicioze dhe të vështira strukturore dhe fiskale është e lavdërueshme.

“Angazhimi i autoriteteve për të vijuar me konsolidimin fiskal është thelbësor për të garantuar qëndrueshmërinë e borxhit dhe ulur risqet fiskale. Planet e autoriteteve për t’i fokusuar përpjekjet e tyre të axhustimit fiskal në kahun e të ardhurave, është e përshtatshme. Vendosmëria e qeverisë për implementimin e reformave strukturore fiskale për të reduktuar risqet fiskale është inkurajuese.Autoritetet kanë bërë progres mbresëlënës në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura në nivelin e qeverisë qendrore”, citon deklaratën e FMN-së ministri Ahmetaj

Është fakt, shkruan ai, që ekonomia shqiptare e ka konsoliduar tashmë trendin e saj të qëndrueshëm të rritjes dhe zhvillimit. “Ne jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë. Ndajmë të njëjtin qëndrim me FMN se është thelbësore të ruajmë ritmin e reformave në ekonomi; se do të duhet të punojmë ende për përmirësimin e klimës së biznesit, se e kemi sfidë rritjen e konkurrueshmërisë së vendit dhe mbi të gjitha, të implementojmë sa më shpejt reformën në drejtësi, për të hapur një kapitull të ri në perspektivën europiane të Shqipërisë”. shprehet ministri Ahmetaj.

Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi shqyrtimin e shtatë të performancës ekonomike të Shqipërisë në kuadrin e një programi të mekanizmit mbështetës (EFF). Përfundimi i rishikimit u mundëson autoriteteve të tërheqin një shumë shtesë prej rreth 36.1 milion €, duke e çuar tërheqjen totale në rreth 263.700.000 €.

Bordi Ekzekutiv miratoi një marrëveshje me afat 36 mujor të programit mbështetës EFF për Shqipërinë më 28 shkurt 2014 në një shumë ekuivalente me 295,42 milion SDR (rreth 330.9 mln € në kohën e miratimit), ose 212,1 për qind të kuotës së tanishme të vendit në Fond.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button