Miratohen 12 konkluzionet për rolin e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë
Nën organizimin e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë në ambientet e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik “Pavel Shatev” sot u mbajt tryeza e tretë përmbyllëse e rrumbullakët me temë: “Roli i Këshillit Gjyqësor dhe gjykatave më të larta në mbrojtjen e gjykatësve nga përzierja në pavarësinë e tyre”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë tryezë të rrumbullakët të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë u miratuan 12 konkluzione, ku parashtrohen masa në pavarësinë e gjykatësve dhe punën sa më efikase të tyre.
Në rezymenë e prezantuar para gjykatësve u theksua se në dy tryezat e deritanishme koncepti i pavarësisë së gjyqësorit ishte nga aspekti se çka paraqet pavarësia e gjyqësorit në nivel individual dhe institucional dhe si të mbështeten dhe përforcohen vlerat themelore të pavarësisë së gjyqësorit. Gjithashtu u vlerësua se pavarësia e gjyqësorit është parakusht për sundimin e së drejtës dhe garanci për gjykim të drejtë. U theksua se një gjykatës mund të jetë i pavarur, por jo edhe i paanshëm nëse është fjala për ndonjë lëndë të caktuar, si dhe pavarësia është parakusht për arritjen dhe mbajtjen e paanshmërisë e cila është shumë e rëndësishme për funksionin e gjykatësit.
Sipas kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë, Branko Ushkovski, asnjë gjykatës në Maqedoni nuk është vlerësuar me notë negative. Sipas tij, gjykatësit në Maqedoni punojnë sipas ligjit. “Lidhur me lëndët civile në Republikën e Maqedonisë të njëjtat zgjidhen në afat prej 175 ditëve dhe jemi në pozitë më të mirë se shumë shtete, ku lëndët civile në Slloveni zgjidhen për 405 ditë, në Kroaci për 457 ditë, në Serbi për 242 ditë, në Spanjë 264 ditë dhe në Francë për 311 ditë. Qartazi shihet se lidhur me kohën e zgjidhjes së lëndëve civile jemi në situatë më të mirë. Lidhur me kohën e zgjidhjes së lëndëve penale Republika e Maqedonisë është në pozitë të barabartë me shtet e rajonit dhe me shtetet e Bashkimit Evropian”, tha Ushkovski.